HISTORIA/ Notarët shqiptarë kanë marrë pjesë në gjashtë Olimpiada, në Paris është e shtata
Për herë të parë në historinë e pjesëmarrjes në Lojrat Olimpike Verore Botërore, për Shqipërinë Flamurmbajtëse është një notare, pikërisht Kaltra Meça në “Paris 2024”. Flamurtarët e tjerë të Shqipërisë në Lojërat Olimpike Verore janë: Në Gjermani 1972-Afërdita Tusha/ Qitje; Në Spanjë1992-Kristo Robo/ Qitje; Në SHBA 1996-Mirela Maniani/ Atletikë; Në Australi 2000-Ilirjan Suli/ Peshëngritje; Në Greqi 2004-Klodiana Shala/ Atletikë; Në Kinë 2008-Sahit Prizreni/ Mundje Lirë; Në Angli 2012-Romela Begaj/ Peshëngritje; Në Brazil 2016-Luiza Gega/ Atletikë; Në Paris 2024-Kaltra Meça/ Not-Zelimkhan Abakarov/ Mundje Lirë
Agron KAJA
Në tetë notarë garues, Sidni Hoxha e Kaltra Meça më të mirët
Shqipëria ka marrë pjesë në 8 Olimpiada Botërore Verore, duke nisur nga Mynih 1972 e deri te Tokio 2020. Dhe në këto pjesëmarrje, edhe notarët kanë lënë gjurmët e tyre, të cilët kanë marrë pjesë në 6 Lojra Olimpike Botërore, nisur nga Barcelonë 1992 e deri në Tokio 2020. Por notari i parë shqiptar që ka shënuar emrin e tij në këto lojra ishte Frank Leskaj në Barcelonë 1992. Ai garoi në 50 m Stil i Lirë duke u renditur në vëndin e 50-të, ndërsa më të fundit janë notarët Greisi Koxhaku e Kaltra Meça në “Paris 2024”, të cilët do të fiksojnë në 8 numrin e notarëve shqiptarë që kanë garuar në olimpiadat verore. Por nisur nga statitikat e Federatës Shqiptare të Notit, notari Sidni Hoxha ka më shumë pjesëmarrje, pasi ai ka garuar në tre Lojra Olimpike Botërore: Në Pekin 2008, Londër 2012 dhe Rio 2016. Ndërsa notaret Rovena Marku dhe Nikol Merizaj kanë garuar përkatësisht: Marku në Athinë 2004 dhe Pekin 2008 dhe Merizaj në Rio 2016 dhe në Tokio 2020. Edhe renditjen më të mirë në këto pjesëmarrje, për Meshkuj e ka arritur Sidni Hoxha në Londër 2012, duke u renditur në vëndin e 37-të në Botë, pasi garoi në 100 m Stil i Lirë. Ndërsa Kaltra Meça u rendit në vëndin e 27-të në 200 m Stil i Lirë, garë e zhvilluar dje në “Paris 2024”, Bateria A. Ndërkohë që renditjen më të ulët për notarët shqiptarë që kanë garuar në olimpiada botërore verore, është ajo e Kreshik Gjatës në Athinë 2004, i cili u rendit në vëndin e 66-të. Ndërkohë kujtojmë se dy notarët e Tiranës, Greisi Koxhaku e Kaltra Meça do garojnë në “Paris 2024” me ftesa, dhe për të dy këta është hera e parë që marrin pjesë në një olimpiadë sportive botërore verore. Kaltra garoi dje në 200 m Stil i Lirë, ndërsaGreisi në 100 m Stil i Lirë garon në datën 30 korrik, ora 11:30, dhe në këto gara, dy notarët tanë shoqërohen nga trajneri i tyre tek Tirana, Arjan Fetishaj. Thuajse në të gjitha këto pjesëmarrje, notarët shqiptarë kanë qënë me ftesa, dhe jo si të kualifikuar, ndërkohë që paraqitjet e tyre kanë qënë dinjitoze. Por ka edhe një fakt për historinë e notarëve shqiptarë si pjesëmarrës në olimpiadat botërore verore, se në të gjitha këto pjesëmarrje, vetëm Kaltra Meça në “Paris 2024” është flamurmbajtëse e delegacionit olimpik shqiptar. Nga ana tjetër, për periudhën që Agim Çiraku e drejton Federatën Shqiptare të Notit, notarët shqiptarë kanë garuar në tre olimpiada sportive botërore verore,2016, 2020 dhe 2024. Në edicionin e 33-të të Olimpiadës në Paris që do zgjasë 19 ditë, kanë nisur të garojnë 10,714 sportistë nga 206 shtete në 32 disiplina sportive, për një numër total prej 329 medalje.
Majkëll Felps, kampion me medalje
Notari më fitues në historinë e Lojërave Olimpike, për meshkuj, rekordin e mban amerikani Majkëll Felps. Në vitet 2004-2016, në katër Olimpiada, Felps ka fituar 28 medalje: 23 Ari, 3 Argjendi dhe 2 Bronzi.
Rekord olimpik në stafetë 4X100m
Në “Paris 2024”, Noti ka dhënë medaljet e para në këto lojra olimpike. Vetëm një rekord olimpik i thyer në 4×100 metra stil i lirë për femra, që ka ardhur nga Australia, e cila ka fiksuar kohën e re 3’28”92
Notarë shqiptarë në Lojrat Olimpike
BARCELONË 1992
Frank Leskaj
50m e 100m St. Lirë
Renditja-Vëndi 50
ATHINË 2004
Kreshik Gjata
100m Stil i Lirë
Renditja-Vëndi 66
Rovena Marku
50m Stil i Lirë
Renditja-Vëndi 60
PEKIN 2008
Sidni Hoxha
50 m St. Lirë
Renditja-Vëndi 63
Rovena Marku
50m Stil i Lirë
Renditja-Vëndi 53
LONDËR 2012
Sidni Hoxha
100m St. Lirë
Renditja-Vëndi 37
Noel Borshi
100m Stil i Lirë
Renditja-Vëndi 40
RIO 2016
Sidni Hoxha
50m Stil i Lirë
Renditja-Vëndi 41
Nikol Merizaj
50m Stil i Lirë
Renditja-Vëndi 43
TOKIO 2020
Nikol Merizaj
50m Stil i Lirë
Renditja-Vëndi 42
Anglezi Adam Peaty pranë legjendës Felps
Anglezi Adam Peaty pranë legjendës Phelps, 100m larg medaljes së artë të tretë radhazi. Notari britanik u kualifikua në finalen e garës së 100 metrave not stil delfin, dhe me këtë arritje ai është shumë pranë një suksesi që më parë e ka shijuar vetëm notari legjendar amerikan, Majkëll Felps. Ai është i vetmi notar që ka fituar tri medalje të arta radhazi në tri edicione të ndryshme të Lojrave Olimpike: Në Rio 2016, në Tokio 2020 dhe në finalen 100 m Delfin në “Paris 2024”.