Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, në një postim të tij në Facebook, ka theksuar angazhimin e Partisë Demokratike për t’u ofruar mbështetje të vazhdueshme studentëve shqiptarë.
Xhaferri ka bërë me dije se, pas datës 11 maj, PD ka në plan të ofrojë një mbështetje të konsiderueshme për të rinjtë duke u siguruar çdo studenti një ndihmë prej 200 eurosh në muaj.
Ai ka shtuar se për ata që punojnë, kjo shumë do të jetë një mundësi për të siguruar minimumin jetik për jetesën e tyre, duke i ndihmuar ata të përballojnë sfidat financiare të ditëve të sotme.
Në postimin e tij, Xhaferri ka bërë një krahasim me Kosovën, e cila ofron 100 euro për çdo student, ku për këtë shumë mbulohen edhe 3 vakte dhe akomodimi.
Ai ka theksuar se Partia Demokratike do të bëjë shumë më tepër për studentët tanë, duke i konsideruar ata si “të ardhmen e vendit” dhe duke garantuar se mbështetje e tillë është një përparësi e qeverisë së ardhshme të PD-së.
Postimi i plotë:
Pas datës 11 Maj, do të ofrojmë 200 euro për çdo student dhe, nëse ata punojnë, kjo shumë do t’i ndihmojë që të sigurojnë minimumin jetik 🏡🍽️. Kemi detyrim ta mundësojmë këtë për ta, sepse ata janë e ardhmja jonë! 🌟
Kosova jep 100 euro për çdo student, dhe me 45 euro në muaj sigurohen 3 vakte dhe fjetja 🛏️🍴. Ne do të bëjmë më shumë për t’i mbështetur studentët tanë.