Është krim që banda grabitqare, të marrin jo vetëm pronat, por dhe resurset natyrore. Ndihem i fyer, e i revoltuar si bir i këtij fshati emërmadh, me histori në luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar e shoqëror, që janë gjakosur me të huajt, por jo t’i gjakosin vëllezërit e vetë, aventurierët me oligarkët
Historikisht, nga koha e monizmit dhe deri në këto 32 vjet të ashtuquajtura demokraci, pushtetet paradë kanë përdoru trysni, presione e dhunë ndaj banorëve të Dukatit, për interesa diktuese të klaneve pushtetare. Ky denigrim vjen për dy arsye subjective, që rrjedhin ose nga lakmia që kanë për vetë pozicionin demografik dhe orografik të vendndodhjes së Dukatit, me një sipërfaqe 260 km2, me fusha, male e qendra turistike, e lagur nga dy dete, ( deti Adriatik dhe deti Jon), ose për karakterin stoik, burrëror, identitar të banorëve të zonës, që nuk përulen e nënshtrohen pushtetarëve, se kanë qenë zot në pronat e tyre. Mesa duket kjo është leva e Arkimedit, që i ka xhelozuar dhe vazhdon t’i xhelozojë “kalorësit “ e pushtetit. Dukati tradicionalisht ka qenë nacionalist, duke jetuar në trojet e veta dhe për asnjë rast nuk ka cënuar lirinë dhe të drejtat e askujt dhe për rrjedhojë nuk ka lejuar që të cënohen interesat vetiake. Për këtë krenari legjitime është penalizuar, paragjykuar, dënuar, ndëshkuar e denigruar në vitet e monizmit si antisistem, antikomunist. Ky qëndrim injorues, është shfaqur dhe në vitet e pseudemokracisë, që i është mohuar prona dhe liria për të lëvizur e administruar pronat e veta nga Gadishulli i Karaburunit deri në Llogora. S’është e largët dita për të kujtuar rezistencën e djemve të Dukatit, që protestuan dhe u përgjakën me forcat e rendit për të vetmin “krim”, se kërkonin pronat e tyre, që ua mohoi ligji fatkeq 7501, kur të parët e tyre i kanë blerë me flori. Ky ritual i urisë gllabëruese të resurseve të Dukatit, vazhdon edhe sot, e papritmas na u shfaq më datën 25 Korrik, ku një grup banorësh nga Dukati protestuan se po ju marrin dhe ujin, që e kanë të kufizuar, por s’duan të dinë oligarkët e “borgjezisë” së re okulte. Vetëm ajrin nuk e pushtojnë dhe nuk j’ua mohojnë dot. Është krim ordiner, që edhe pas 32 vjetësh të ashtuquajtur demokraci veprojnë banda grabitqare, që të marrin jo vetëm pronat, por dhe resurset natyrore dhe kërkojnë t’i asfikësojnë, izolojnë e përdhunojnë në banesat e tyre. Këta aventurier të “borgjezisë së re”, vertikalisht dhe horizontalisht, gjejnë terren dhe te përfaqësues të pushtetit vendor, apo të komunitetit dukatas, që shiten ndyrësisht për ndonjë kockë, që u ofrojnë matrapazët politik dhe ekonomik. Ndihem i fyer, e i revoltuar si bir i këtij fshati emërmadh, me histori në luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar e shoqëror, që janë gjakosur me të huajt, por jo t’i gjakosin vëllezërit e vetë, aventurierët, grabitqarët e kompromesaxhijtë e pistë që bëjnë “orgji” me oligarkët, që tundin flamurin e “demokracisë”. Ky veprim i shëmtuar, më ka shkaktuar një frakturë të tmerrshme shpirtërore dhe psikologjike, që e përjetoj keq. Fraktura të tilla shkaktohen në sisteme diktatoriale dhe jo në sisteme demokratike.“ E keqja e demokracisë është se ajo na detyron të dëgjojmë edhe mendimin e budallenjve”,- shkruan George Bernard Shou. Të gjithë grabitqarët aventurierë, duhet t’i bëjnë mirë llogaritë, se nuk do dalin të fituar nga ky veprim banditesk. Është për të ardhur keq, që në territorin e Dukatit veprohet në mënyrë arbitrare, duke shkelur të drejtën e pronës apo dhe të banesës. Shteti për nevoja publike, siç është rasti i rrugës së Dukatit, mund të prek territore e prona private, të prishi pemtore e banesa, por paraprakisht duhet të negocjojë me pronarët legjitim dhe t’i dëmshpërblejë ata, për çdo ndërhyrje e cënim të pronës. Këto veprime banditeske, të kujtojnë qeveri xhunglash, që veprojnë si hordhi mbi një komunitet të caktuar. Po të shkojmë larg në histori, të gjithë e dinë luftën e Çezarit me Pompeun në Orikum. Çezari pasi zbriti në Palasë me ushtrinë e tij moderne, u ngjit rrugës së bardhë për në Llogora, ku qëndroi e pushoi dhe mori takim me përfaqësues të fshatit Dukat. Toponimet popullore e përligjin këtë veprim, pasi fshatarët qafën e Llogorait e quajnë “ Qafa e Çezarit”. Ai do kalonte nëpër Dukat për të mbëritur në Orikum dhe për këtë fakt takoi pleqësinë e fshatit, ku bëri marrëveshje për të kaluar me ushtrinë e tij. Ata ranë dakord me dy kushte, që të mos shkatërrojë të mbjellat dhe bagëtitë. Me këtë marrëveshje, Çezari mësyu drejt Orikumit. Ndërsa sot, në të ashtuquajturën demokraci liberale, është ironi kur kujton se si vepron shteti me qytetarët e vetë, në mënyrë krejt arbitrare, pa marrë pëlqimin e pronarit. Si intelektual dhe qytetar i këtij komuniteti, i bëj thirrje klanit që ka nisur këtë aventurë të paprecedent , që të tregojnë mënçuri, qetësi e maturi, se nuk do dalin të fituar, me një veprim banditesk. Ndërsa komunitetit të ndershëm të Dukatit dhe përfaqësuesve të tij, do t’ju kujtoja thirrjen e poetit amerikan Wollt Uitman, që u drejtohej qyteteve ndërshtete me këto fjalë: “Kundërshtoni shumë e binduni pak, se bindja e thellë të çon në robëri të plot dhe prej robërisë së plot asnjë vend nuk ka dalë dot”.





















