Joan Laporta rizgjidhet si President i Barcelonës

161
Sigal

I lumtur, rrezatues dhe i kënaqur, shumë i kënaqur. Kjo është mënyra se si Joan Laporta, presidenti i ri i Barcelonës, u prezantua para mediave, pasi mbaroi numërimi zgjedhor. Laporta përballet me një fazë të dytë në krye të klubit katalanas, pasi e komandoi atë midis viteve 2003 dhe 2010, me forcën që i dhanë 54.28% të votave të hedhura.

Para përfundimit të numërimit, rreth orës 22:35, të tre kandidatët u takuan në një nga mjediset e “Camp Nou” dhe treguan përzemërsinë midis tyre. Víctor Font priti Joan Laporta, teksa u përqafuan. Më pas edhe Toni Freixa u bashkua me ta. Një imazh uniteti që lehtësoi tifozët e Barçës për të ardhmen. Të dy, Font dhe Freixa e uruan Laporta, përgëzuan ekipin fitues, një gjest i dukshëm i një loje të paparë “fair play”.

Më vonë, nën drejtimin e Laporta, të gjithë bashkëpunëtorët e tij kënduan himnin e Barcelonës. Euforia kishte pushtuar ekipin e tij, sepse presidenti i ri kishte marrë tashmë 80.13% të votave. Menjëherë më pas nisi dollia me shampanjë. Laporta bëri që pija e gazuar të fluturonte nëpër ajër në festën tipike të fitores.

Laporta i kërkoi ekipit të tij “një duartrokitje të fortë për Kryetarin e Komisionit të Menaxhimit”, i cili u afrua për ta uruar. Presidenti i ri nënvizoi: “Zgjedhjet janë organizuar në një mënyrë shembullore”. Më vonë u përqafua me Carles Tusquets, pavarësisht se kishte disa mosmarrëveshje gjatë fushatës zgjedhore.

Në një moment, gjatë kësaj feste, Joan Laporta u çlirua nga tensioni i akumuluar në debate dhe prezantime për ta lëshuar veten me një ton euforik: “Le të shkojmë në Paris për të parë nëse mund ta përmbysim disavantazhin”, shkruan Telesport.

Fjalët e para të Laporta, në “Auditori 1899”, tashmë në të gdhirë të së hënës, me të gjithë ekipin e tij në skenë, ishin për të falënderuar anëtarët për pjesëmarrjen e tyre në votime: “Këto zgjedhje ishin më të rëndësishmet në histori, sepse janë zhvilluar në kushte shumë të veçanta. Le të mburremi me këtë festë të demokracisë dhe Barcelonës. Dua një duartrokitje për Johan Cruyff, sepse ai na frymëzon në të gjitha vendimet që marrim. Falënderoj lojtarët që përfaqësojnë emblemën tonë, sepse shumë prej tyre morën pjesë në këto zgjedhje. Ato i meritojnë të gjitha”.