Çelsi dhe Ajaksi dhurojnë një 4-4 të çmendur, tani kanë pikë sa Valencia

503
Sigal

Çelsi dhe Ajaksi kanë dhuruar një takim të çmendur në Londër, i cili është mbyllur në barazim 4-4 dhe ka hapur plotësisht diskutimet për vazhdimësinë e skuadrave në turne.

Ajaksi bëri gjithçka mirë në pjesën e parë, të cilën e mbylli me avantazhin 3-1 dhe shënoi edhe golin e katërt në fillimin e pjesës së dytë, duke lënë të mendohej se tashmë sfidën e kishte në dorë.

Por Çelsi shkurtoi diferencën me Azpilikueta dhe aty nisi edhe kthesa. Brenda një minute Blind e Veltman u ndëshkuan me të kuq duke lënë Ajaksin me 9 lojtarë, ndërsa penalltia e Zhorzhinjos rihapi sfidën. Më pas, goli i Xhejms çoi në 4-4 duelin i cili u mbyll me anglezët në sulm, por pa mundur të shënonin më në portën mikë.

Të dy skuadrat kësisoj janë në kuotën e shtatë pikëve, aq sa Valencia e cila bëri detyrën duke mundur 4-1 Benfikën në shtëpi.