Ish-qendërmbrojtësi i Flamurtarit dhe i Kombëtares, Kreshnik Çipi: Sistemi aktual i Superiores, i dështuar!

524
Sigal

Gazeta Telegraf/


INTERVISTA/ Për
realitetin në futboll, flet për “Telegraf” ish-qendërmbrojtësi i Flamurtarit
dhe i Kombëtares, Kreshnik Çipi

 

Sistemi aktual i
Superiores, i dështuar!

 

Agron KAJA

 

Kreshnik Çipi dje një “idhull” për tifozerinë
vlonjate, ndjeheni i tillë sot pas lënies së futbollit?

Unë jam një
qytetar i zakonshëm në Vlorë, asnjëherë nuk e kam ndarë veten si i tillë. Edhe
në atë periudhë kur kam luajtur futboll, unë ndjehesha më mirë kur talentin në
fushë e përktheja me thjeshtësinë qytetare.

Pas lënies së karrierës si futbollist keni provuar
biznesin, politikën dhe “kupolën” e futbollit shqiptar, si jeni ndjerë në këto
pozicione?

Po, unë kam më
shumë se 25 vite që kam biznesin tim privat dhe aty ndjehem shumë mirë, sepse
punoj dhe fitoj me ndershmëri. Për disa vite kam qenë edhe anëtar i KE në FSHF
dhe sinqerisht ju them se jam ndjerë i vlerësuar për atë post, por kam patur
edhe bindjet e mia për shumë gjëra ndryshe. Gjithsesi, pozicioni më i vështirë
për mua në periudhën pas lënies së futbollit ka qenë ai politik, sepse nuk më
përshtatej.

Atëherë pse pranuat të zgjidheshit deputet në
Kuvendin e Shqipërisë?

Nuk ishte
zgjedhja ime, pasi unë respektova shumë njerëz që më besuan si deputet. Nuk jam
dakord me mënyrën se si zhvillohet politika në vendin tonë dhe krahasuar me
politikën në Botë dhe Evropë jemi shumë larg.

Aktualisht ju jeni treguar “besnik” i qytetit tuaj,
Vlorës, jeni nostalgjik apo aty ndjeheni më i kompletuar?

Jo, unë nuk kam
pasur asnjëherë synim që të largohem nga Vlora, edhe pse mundësitë i kam pasur
dhe i kam në çdo kohë. Këtu ndjehem më mirë, kam aktivitetin tim jetësor dhe
jam i lidhur me Vlorën.

Me futbollin vlonjat dhe atë kombëtar, si i keni
“marrëdhëniet” në këtë periudhë?

Nuk jam në
pjesën aktive, por në asnjë çast nuk jam larguar nga ambienti futbollistik. Pas
vitit 1990, ndryshuan shumë gjëra në futbollin tonë dhe unë sipas situatave i
jam përshtatur ndjekjes së futbollit. Asnjëherë pa futboll, këtë nuk e harroj.

Flasim për Superioren ku bën pjesë skuadra juaj e
zemrës, Flamurtari, cili është këndvështrimi juaj për këtë kategori?

Mendoj se
aktualisht Kategoria Superiore nuk është opsioni im. Edhe kur isha në KE të
FSHF-së unë e kam kërkuar ndryshimin e formulës me 10 skuadra, këtë pasi e
kisha votuar më parë.

Pse ka ndodhur kështu kaq shpejt ky mendim
anti-Superiore me 10 skuadra?

Sepse që në
vitin e parë unë e pashë që formula me 10 skuadra favorizonte më shumë skuadrat
e kryeqytetit dhe është në disfavor të skuadrave të rretheve. Këtë e tregon
vetë kalendari, prandaj unë e mendoj një Superiore më të mirë me 14 ose 16
skuadra, edhe pse mund të ketë problem financiare më të shumta me këto
struktura.

Në shtatë javët e para, Flamurtari ka marrë vetëm 5
pikë dhe ndodhet në fundin e renditjes, çfarë tregon për ju kjo gjendje?

Mendoj se nuk
është gjendja reale kjo për Flamurtarin, pasi me mundësitë që ka kjo skuadër
është për më tepër, por jo për titullin kampion. Kam pasur dhe kam shumë besim
te trajneri Magani, tek i cili shoh një trajner pasionant, serioz e punëtor dhe
karakteri i tij duhej të afrohej më shumë te skuadra. Besoj se do të dalë nga
kjo gjendje shumë shpejt, pasi ky Flamurtar do të flaës më cilësisht në tre
fazat e tjera të Superiores.

Administratori Sinan Idrizi thuhet se nuk e ka
paguar rregullisht skuadrën, ka ndikuar kjo situatë financiare në rezultatet e
dobëta të skuadrës së Flamurtarit?

Nuk mendoj se
s’janë paguar, por edhe nëse do të ishte e vërtetë ashtu, kjo nuk mund të jetë
shkak për rezultatet e dobëta. Ndoshta ka një ngërç në pagesa dhe nuk duhet që
te jetë pengesë për të ndryshuar kursin negativ të rezultateve.

Po situata në bankinë pas dorëheqjes së dyshimtë të
trajnerit Magani, mendoni se do të ndikojë negativisht për vazhdimësinë e
skuadrës?

Nëse ka një
veprim të tillë, besoj se ndikon, por Magani nuk është djalë i nxituar. Unë nga
njohja e respekti që kam për të, shpresoj shumë tek ai, e për këtë duhet
pritur.

Për Superioren në përgjithësi, cilat shikoni si
skuadrat pretendente dhe ato të mbijetesës?

Me këto shtatë
ndeshje që janë luajtur, Skënderbeu po duket si pretendent për titullin
kampion, I ndjekur nga Kukësi që është për t’u marrë në konsideratë së bashku
me Partizanin. Për Tiranën kam rezerva, pasi nuk ma ka mbushur mendjen me ç’ka
treguar deri tani, ndërsa për mbijetesë mendoj se Korabi e Luftëtari do të
rivalizojnë, pse jo me Laçin apo edhe Teutën. Gjithsesi, janë edhe tre faza të
tjera për t’u formatuar skuadrat në pretendimet e tyre.

Po te arbritrat, çfarë veçoni në këto shtatë javë të
Superiores 2016-2017?

Me aq sa kam
parë, unë kam bindjen time të plotë se me arbritrat jemi difektozë. Nuk
pretendoj të them se X apo Y ndeshje  u
shit apo u ble nga X apo Y arbitër, por duke i parë në anën sportive dhe atë
fizike, ata lenë shumë për të dëshiruar. Elementi atletik i tyre është
skandaloz, sepse shumë prej tyre nuk dinë të vrapojnë dhe jo më të gjykojnë.
Kështu më revoltojnë kur i shoh.

Në këndvështrimin e ish-anëtarit të KE në FSHF,
çfarë ndryshime për mirë dhe çfarë nuk është bërë mirë në futbollin shqiptar?

Si ish anëtar i
KE-së në FSHF, unë shikoj se ndryshimet me infrastrukturën janë bërë mirë,
ndërsa për të tjerat kam shumë për të kritikuar. Mbi të gjitha, unë mendoj se
nuk ka transparencë të plotë të aktivitetit të FSHF-së.

Po Kombëtaren e futbollit, sa e keni ndjekur në këtë
periudhë pas Evropianit?

E kam ndjekur
këtë Kombëtare si gjithë shqiptarët, dhe me atë çka ka arritur deri në
Evropian, patjetër që  jemi ndjerë më të
plotësuar. Trajneri De Biazi ka bërë punë të mirë që në seleksionimin e
futbollistëve e deri në përshtatjen e tyre me skuadrën. Ai ka afruar
futbollistë cilësorë, ku si ata kosovarë dhe shqiptarët mund të themi me plot
gojë se janë një ansambël simpatik në fushën e lojës.

Në këndvështrimin tuaj, si “lexohet” Kombëtarja sot
në ndeshjet eliminatore të “Botërori 2018”?

Me atë renditje
që ka aktualisht në grupin G eliminator, unë mendoj se është merita e De Biazit
dhe e vetë lojtarëve. Nuk bëj pjesë tek ata specialist që i delegojnë shumë
merita FSHF-së, ndërsa për këto eliminatore nuk e mendoj Shqipërinë më larg se
vendi i tretë në grup. Sepse si Spanja ashtu dhe Italia janë në avangardën e
futbollit botëror, çka do të jetë e vështirë që të thyhen nga Kombëtarja jonë.


Skeda

Kreshnik Çipi

Datëlindja: 15
shkurt 1958

Vendlindja:
Vlorë

 

Sporti që ka
ushtruar: Futboll

Pozicioni në
fushën e lojës: Qendërmbrojtës

Skuadrat ku ka
luajtur: Flamurtari në periudhën 1973-1992; me Dinamon i huazuar dy ndeshje me
Ajaksin në 1980  si dhe 16 ndeshje
ndërkombëtare me Flamurtarin: HJK Helsinki, Barcelona, Partizan Beograd,
Vizmuth AUE, Leh Poznan, Olimpiakos Pire dhe Goteborg

Ka fituar:
Titullin Kampion me Flamurtarin 1990; Kupën e Republikës me Flamurtarin
në1984-1985 dhe 1987-1988; Superkupën e Shqipërisë me Flamurtarin në 1989-1990
dhe 1990-1991

Më Kombëtaren:
1980-1990 

Në KE të
FSHF-së: Në periudhën 2008-2012

Tituj personalë:
Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i Sportit, Medalje e Artë për Merita të
Shquara në Sport, Nderi i Sportit Shqiptar

Arsimi: ILKF
Vojo Kushi 1987, Fakulteti Juridik në Vlorë 1995

Aktualisht:
Biznes privat

 

 

 

Boks

Çipi: Liga e
ndryshon futbollin

Duke e menduar
si një element cilësor Ligën e Futbollit, Kreshnik Çipi mbetet një nga
oponentët e Kategorisë Superiore, të cilën e quan tashmë të dështuar për
kushtet e futbollit shqiptar. “Kategoria Superiore nuk ka qenë dhe nuk është
opsioni im. Edhe kur isha në KE të FSHF-së unë e kam kërkuar ndryshimin e
formulës me 10 skuadra, këtë pasi e kisha votuar një vit më parë”, thekson Çipi
për këtë strukturë, ndërkohë që si zgjidhje mendon vetëm krijimin e Ligës
Profesioniste. “Fatet e ndryshimit cilësor në futbollin shqiptar i ka vetëm
krijimi i Ligës Profesioniste. Formula me 10 skuadra favorizon më shumë
skuadrat e kryeqytetit dhe është në disfavor të skuadrave të rretheve. Këtë e
tregon vetë kalendari, prandaj unë e mendoj një Superiore më të mirë me 14 ose
16 skuadra, edhe pse mund të ketë problem financiare më të shumta me këto
struktura”.

 

 

 

Ndeshjet-Java e
tetë

Datë 22 tetor
2016

Korabi-Partizani            14:00

Laçi-Flamurtari              14:00

Skënderbeu-Kukësi        17:00

Datë 23 tetor
2016

Luftëtari-Tirana             13:00

Vllaznia-Teuta               13:00

RENDITJA

N/R
Skuadrat      Nd     Pikë

1.
Skënderbeu      7        18

2.
Partizani           7        14    

3.Kukësi               7        13

4. Tirana               7        13    

5. Vllaznia            7        7      

6.
Luftëtari            7        7      

7. Laçi                   7        6        

8. Korabi              7        5      

9.
Flamurtari        7        5

10.Teuta               7        5

GOLASHËNUESIT

6 gola: Pejiç
(2p) (Kukësi)

5 gola: Salihi
(1p) (Skënderbeu)

4 gola:
Ekuban  (Partizani)       

3 gola: Shkodra
(Flamurtari), Taku (Tirana)

2 gola: Xhejms
(Skënderbeu)

1 gol: Bushiç,
Galiç, Shehaj, Berisha (Flamurtari), Batha (1p), Atanda, Bardhi, Vila, Trashi
(Partizani), Jashanica, Junior, Nimaga (Skënderbeu), Greca, Emini (Kukësi),
Montero. Abazaj, Ramadani (Luftëtari), Marville, Ede, Muzaka (Tirana), Tafili
(1p), Hebaj (Vllaznia), Cmajcanin, Kotobelli, Bengal, Çyrbja (Teuta), Plaku, Nexhipi,
Kaja (Korabi), Lulaj, Toski (Laçi)