INTERVISTA/ Në prag të kryendeshjes së javës së 4-të të Superiores, Flamurtari-Skënderbeu, flet për “Telegraf” trajneri i Flamurtarit Ilir Daja
Nga Agron KAJA
Në tri ndeshjet e para të Superiores, Flamurtari ka grumbulluar 7 pikë, e prisnit këtë start?
Në këto tre javë, veç 7 pikëve ne kemi instaluar edhe mentalitetin e fituesit në skuadër, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Starti ka edhe paragjykime, por me dy transferta dhe një ndeshje në fushën tonë, mendoj se kjo është nisja e duhur për Flamurtarin, me 2 fitore e 1 barazim.
Në javën e katërt ju prisni Skënderbeun, ish-skuadrën që e drejtuat në dy sezone, si do ta përjetoni këtë sfidë?
Shumë normalisht. Gjithmonë sfidat mes Flamurtarit e Skënderbeut kanë prodhuar emocione, prej rivalitetit që kanë pasur mes tyre. Kjo përballje është kthyer në një kryendeshje, dhe unë tashmë te Flamurtari, e mendoj të vështirë, jo vetëm për njohjen time me Skënderbeun.
Në aspektin teknik, si e prisni këtë sfidë me Skënderbeun, edhe si ish-trajner i tij?
Flamurtari është ekip i ndërtuar rishtazi në këtë sezon, dhe në hapësirën dyjavore pa ndeshje zyrtare, kemi punuar për të konsoliduar manovrën sulmuese. Filozofia e gjithçkaje që ne kemi përgatitur gjatë stërvitjeve tona, është që ta mundim Skënderbeun në këtë përballje direkte.
Si ju “tingëllon” ju deklarata e trajnerit të Skënderbeut, Orges Shehi, se kjo do të jetë edhe një sfidë mes jush si trajnerë?
Unë nuk mendoj kështu, sepse për mua kjo nuk është një ndeshje personale me Shehin. Jemi profesionistë dhe kështu duhet të sillemi në fushë e jashtë saj, dhe këtë të hënë unë mendoj se kjo do të jetë vetëm një ndeshje e javës së katërt mes Flamurtarit e Skënderbeut.
Po në aspektin emocional, mund të jetë kjo një “sfidë” brenda vetes suaj?
Te Skënderbeu ka qenë një periudhë shumë e mirë për mua si trajner, dhe këtë as nuk e mohoj, por as edhe nuk do ta harroj. Tani jam në tjetër ekip, sepse ky është profesioni im. Si profesionist, kam emocione që drejtoj Flamurtarin, dhe me të dua të shkoj në nivele sa më të larta.
Merakto e verës është mbyllur zyrtarisht, ju kishit pritshmëri më shumë, apo jeni të plotësuar për momentin?
Ndoshta për momentin po, jemi të plotësuar, por duhet të presim zhvillimet që do të sjellin ndeshjet e Kampionatit e të Kupës deri në muajin janar, nëse do të na duhet ndonjë plotësim i ri. Gjatë merkatos së verës, Flamurtari ishte aktiv në merkato dhe kemi krijuar një grup cilësor.
Në mesjavë në ndeshjen e Kupës, Alvesh u rikthye te goli, si e vlerësoni këtë sulmues në këto tre javë të luajtura?
Rikthimi i Alveshit te goli, për Flamurtarin është sinjal shumë pozitiv, sepse ai është një lojtar që e shton kualitetin brenda ekipit. Por, unë si trajner do të doja që ai të shkonte më shumë drejt golit, pasi për një sulmues, tek ky element matet cilësia.
Si e shikoni situatën e Flamurtarit pas tre javëve të luajtura, ka eliminuar ndonjë mangësi?
E shoh se Flamurtari ka një grup të mirë dhe në vazhdimësi do të bëjmë një sezon shumë dinjitoz, Kampionat dhe Kupë, për të arritur objektivat që klubi ka në këtë sezon. Rëndësi ka se te skuadra është rikthyer mendësia e të fituarit, një mangësi kryesore kjo në sezonet e fundit.