Prof. Lush Susaj: Pasojat e abuzivizmit me investimet dhe buxhetin e reduktuar të bujqësisë po rëndojnë rëndë ekonominë

17

Shihet qartë abuzivizëm dhe injorancë në drejtimin dhe menaxhimin e bujqësisë

Sigal

 – Nga bujqësia dhe blegtoria ku janë të punësuar mbi 560000 forca pune, buron punësimi dhe mirëqënia për shumicën e popullsisë.

-Për bujqësinë e vitit 2024, planifikohet një buxhet 11,6% më i ulët se sa buxheti i vitit 2023.

-Gafa thellohet edhe më shumë në momentin që është planifikuar që të reduktohet me 28% buxheti për mbështetjen e drejtëpërdrejtë të fermerëve dhe blegtorëve.

 

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

 

Bujqësia ishte i vetmi sektor që nuk po gjen veten edhe në vitin 2023, pasi ekonomia në tërësi vijoi të ketë paksa stabilitet nga zhvillimet pozitive në turizëm dhe në sektorin e ndërtimit. Sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë në Shqipëri që prej fundit të komunizmit ka pësuar degradim të vazhdueshëm me ritme të larta, duke u mënjanuar totalisht nga importi dhe politikat qeverisëse regresive. Së fundmi, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pranoi hapur se e ka të pamundur të mbulojë financiarisht kërkesat e gati gjysmës fermerëve dhe bujqve shqiptarë nga projektet e iniciuara. “Oligarkia.al” bëri me dije se vetë MBZHR, nëpërmjet një raporti, pranoi se ka kapacitet ekonomik të mbulojë 54% të kërkesave të fermerëve në blegtori dhe 61% të bujqve. Me gjithë propagandën e fuqishme të kryeministrit Edi Rama dhe ministres Frida Krifca se qeveria dhe shteti do të nxjerrin nga kriza sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë, ashtu si çdo premtim e fushatë e madhe mediatike nga shteti, edhe në këtë rast gjithçka duket se ka rezultuar “flluskë sapuni”. Edhe të dhënat e fundit të publikuara në media, tregojnë se bujqësi/blegtori është ndër sektorët që kontribuon më pak në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Ja si shprehet Prof. Lush Susaj për problemet e bujqësisë shqiptare.

-Flitet shumë për bujqësinë shqiptare dhe problemet e saj. Madje shumë plantacione me mollë tentohen të priten. Gruri po mbillet në sipërfaqe shumë të pakta. Si do ta cilësosh bujqësinë shqiptare sot?

Do e përkufizoj me dy fjalë: Abuzivizëm dhe injorancë në drejtimin dhe menaxhimin e bujqësisë.

Që në momentin e daljes së projekt buxhetit e vitit 2024, vemendja ime është përqendruar tek buxheti i planifikuar për zhvillimin e bujqësisë. Vëmendja dhe shqetësimi për buxhetin e bujqësisë për vitin 2024, ka për bazë dy arsye. Së pari, për shkak të specifikës që ka Shqipëria, ku bujqësia është dhe do të mbetet dega themelore e ekonomisë, e stabilitetit dhe e zhvillimit shoqëror, politik dhe demografik të vendit. Nga bujqësia dhe blegtoria (ku janë të punësuar mbi 560000 forca pune), buron punësimi dhe mirëqënia për shumicën e popullsisë. Për Shqipërinë, prodhimi bujqësor është prosperitet, është stabilitet, është pavarësi dhe qëndrueshmëri. Kjo merr një rëndësi edhe më të madhe në rastet e katastrofave natyrore dhe të luftërave, që sikurse dihet përbëjnë rrezik potencial, e sikurse e thotë populli “lufta dhe tërmeti janë tek dera”. Së dyti, interesi për buxhetin e bujqësisë lidhet me profesionin tim të përjetshëm, i cili me ka lidhur dhe më ka mundësuar që ta njoh në mënyrë të detajuar bujqësinë dhe hallet e saj. Në kuadër të kësaj prekje dhe njohje të afërt të njerëzve dhe të problemeve të terrenit, unë dhe asnjë fermer dhe specialist i përgjegjshëm i këtij vendi nuk mund të heshtë, e nuk mund të qëndrojë indiferent përballë paradokseve dhe politikave të gabuara në drejtim të planifikimit, të zhvillimit dhe të menaxhimit të bujqësisë dhe prodhimit bujqësor e blegtoral.

Shqetësimet janë të shumta, e para që bie në sy është fakti që për bujqësinë e vitit 2024, planifikohet një buxhet 11,6% më i ulët se sa buxheti i vitit 2023. Sikur të mos mjaftonte ulja e financimit, gafa thellohet edhe më shumë në momentin që është planifikuar që të reduktohet me 28% buxheti për mbështetjen e drejtëpërdrejtë të fermerëve dhe blegtorëve, nga ku rriten kostot dhe bie konkurueshmëria në tregje.

Ky buxhet nuk është aspak i mirë për punësimin, mirëqënien dhe as stabilitetin ekonomik, demografik e politik të vendit.

Papërgjegjshmëria e thellë duket edhe në faktin që financimi është ulur në një moment shumë kritikë, ku për shkak të korrupsionit me fondet IPARD, strukturat e BE kanë ndërprerë me kohë fondet e IPARD 2, si dhe kanë bllokuar për një afat të pacaktuar fondet e IPARD 3. Pavarësisht nga demagogjia, sipas të cilës kjo ndërprerje është e përkohshme, situata duket që qëndron ndryshe. Strukturat e BE, nuk po flasin për gabime të vogla njerëzore, përkundrazi po shohim dhe dëgjojmë thirrje që strukturat shtetërore të Shqipërisë, të veprojnë e të bashkëpunojnë me strukturat e Brukselit për të identifikuar, gjykuar, ndëshkuar e dorëzuar kokat dhe bishtat e korrupsionit dhe abuzivizmit me fondet e taksapaguesve të BE.

Në këtë rrugë, është e qartë që BE nuk do të mund të mashtrohet më gjatë me koka turku. Sikurse dihet e sikurse do të vërtetohet, abuzimi dhe korrupsioni me fondet e IPARD-it, nuk ka lidhje me specialistët e thjeshtë e të keqpërdorur, por ka lidhje me kokat e drejtimit militantesk të institucioneve dhe të strukturave të bujqësisë.

– Ky buxhet nuk është aspak i mirë për punësimin, mirëqënien dhe as stabilitetin ekonomik, demografik e politikë të vendit.

– Gjatë vitit 2023, duket që ka një përkeqësim edhe më të thellë në drejtim të rritjes së importeve dhe të uljes së ndjeshme të eksporteve.

­ Qeveria shqiptare dha nga 300 euro/ha grurë të mbjellur dhe fermerët e Shqipërisë u stimuluan dhe mbollën e prodhuan shumë grurë e misër.

Unë mendoj që dëmi më i madh ka të bëjë me faktin që tashmë është hedhur në erë gjithë reputacioni, besueshmëria dhe çertifikimi i AZHBR-së dhe strukturave menaxhuese të projekteve dhe investimeve. Tashmë ka vdekur mbështetja nga IPARD 2, dhe nuk është hapur akoma as aplikimi për IPARD 3, edhe pse ka kohë që ka kaluar afati. Kemi folur dhe kemi shkruar aq shumë për këto fenomene. Koha na dha të drejtë, e turpi le të bjerë mbi ata që korruptuan dhe heshtën, mbi ata që na përjashtuan e na persekutuan vetëm pse reaguam, folëm, shkruam dhe thamë të vërtetat e hidhura të korrupsionit në bujqësi.

Sipas meje, reduktimi i fondeve për bujqësinë është një budallallëk me brirë, pasi rritja e prodhimit bujqësor dhe të ardhurave nga bujqësia në këto dy vitet e fundit, pothuajse është zero, e papërfillshme. Madje, gjatë vitit 2023, duket që ka një përkeqësim edhe më të thellë në drejtim të rritjes së importeve dhe të uljes së ndjeshme të eksporteve. Sikurse dihet, rritja e importeve buron dhe ndikohet nga mungesa e subvencionimit dhe nga rënia e prodhimit vendas. Nga mungesa e mekanizimit bujqësor dhe nga situata monopol mbi farat, fidanat, plehërat dhe pesticidet. Për më tepër, rritja më e madhe e importeve në kurriz të prodhimit vendas duket që po buron edhe nga lobimi korruptiv që importuesit bëjnë pranë drejtuesve të lartë, të cilët prodhojnë politika, ligje dhe rregullore abuzive dhe korruptive, nga ku përfitojnë pak importues dhe disa qeveritarë të korruptuar. E nga ana tjetër, varfërohen, falimentojnë dhe detyrohet që të emigrojnë me qindra e me mijëra fermerë, blegtorë dhe specialistë të bujqësisë.

Parë nga ky kontekst, këtë buxhet nuk mund ta quaj buxhetin e zhvillimit, përkundrazi e vlerësoj dhe e konsideroj si buxhetin e varfërimit dhe shpopullimit të mëtejshëm të Shqipërisë. Kujtoj faktin që agropërpunuesit e vendit tonë, si në asnjë vend tjetër të rajonit, nuk po e grumbullojnë më prodhimin vendas, që sikurse dihet del me një kosto shumë të madhe për shkak të mungesës së subvencioneve dhe të mungesës së mekanizimit dhe krahut të lirë të punës. Ndërsa për qumështin dhe produktet, që vijnë nga Serbia dhe vendet e tjera, përpunuesit rimbursohen me 20% të TVSH. Kështu hidhet në erë lidhja midis prodhuesit dhe përpunuesit vendas. Me këtë lloj zgjidhje, shkatërrohet prodhimi vendas, nga ku përfitojnë 4-5 bisneset që impotojnë dhe ata pak njerëz që përpunojnë e shesin. Nga ana tjetër, fermat bujqësore e blegtorale të lëna pa subvencione, pa mbrojtje doganore dhe pa lehtësira fiskale, falimentojnë me radhë e vështirë që mund të ngrihen më. Efekti i zgjidhjeve dhe politikave të gabuara në bujqësi është afatgjatë, e duket kudo në mjedis, në siguri ushqimore, në kosto jetese, në demografi dhe në konsum.

-A mund të na japësh disa shembuj për politikat e gabuara në bujqësi?        

Shëmbuj nga pasojat e politikave të gabuara në bujqësi janë pa masë.

Përshëmbull, të marrim goditjen që ju dha prodhimit të drithërave të bukës, fiks në momentin që ky prodhim tentoi që të ngrihet. Sikurse dihet, për shkak të luftës në Ukrainë, u rrit edhe çmimi i grurit dhe bukës. Qeveria shqiptare dha nga 300 euro/ha grurë të mbjellur. Fermerët e Shqipërisë u stimuluan dhe mbollën e prodhuan shumë grurë e misër. Ndërsa strukturat, që duhet të mendonin për grumbullimin e prodhimit dhe për shitjen e tij. Heshtën deri kur prodhimi ra deri në nivelet aktuale, që po shitet me 25 euro/kv gruri dhe 22 euro/kv misri, pra po shitet nën kosto. Kjo është ajo goditja dhe demoralizimi i thellë e i pamerituar ndaj fermerëve për të mos mbjellur e prodhuar as drithërat e bukës, kjo bëhet në një kohë kur hijet e tërmeteve, përmbytjeve luftës janë tek dera. Ndryshe ka ndodhur dhe po ndodh në Kosovë, ku për këtë vit qeveria ka programuar për të subvencionuar shpejt e paprocedura korruptive e burokratike nga 474 euro/hektar të mbjellur. Ndërsa nuk bëhet fjalë fare për grumbullimin e as shitjen e grurit e të misrit, ajo punë është e zgjidhur me kohë. Për shkak të politikave dhe masave të gabuara, në vitin e kaluar (2022), çmimi i vajit të ullirit zbriti deri në 4-5 euro/litër. Ndërsa këtë vit për shkak të rënies së prodhimit me rreth 50%, ky produkt në vendet e rajonit është rritur me rreth 30%. Ndërsa në Shqipëri çmimi është rritur me 200-300%, sepse këtu mungon kontrolli dhe mekanizmat e grumbullimit, standartizimit dhe eksportit. Për lexuesin po sjell ndërmend mënyrën se si mungesa e mekanizimit dhe largimi i fuqisë puntore në emigracion po e deformon dhe mbyt çmimin e vajit të ullirit. Praktikisht, në një ditë, për të vjelur kokrrat e ullirit, një puntor grumbullon me krahë 50 kg ullinj dhe paguhet 3000 lekë. Që do të thotë që vetëm kostoja e grumbullimit është 60 lek/kg. Për një litër vaj duhen rreth 9 kg ullinj. Që do të thotë që vetëm nga paga për vjeljen, kostoja është 9 x 60 = 540 lekë/litër. Po të shtojmë këtu edhe krasitjen dimërore me krah, po edhe dy spërkatje dimërore, edhe tre spërkatje të tjera gjatë vegjetaconit. Shtojmë këtu edhe kostot e plehërimit bazë dhe atij plotësues. Të shtojmë edhe kostot e punimit rreth trupit dhe koston e prerjes së barërave të këqija. Po të shtojmë këtu edhe kostot e tjera për pesticide, plehëra e pasisje të luftes biologjike, etj. Të gjitha sëbashku do të bëjnë koston totale, që në kushtet primitive të bujqësisë së Shqipërisë, shkon deri në 12 euro/litër të vajit të ullirit. Kjo është ajo kostoa, që është ndikuar e rritur edhe nga korrupsioni, fiktiviteti dhe mashtrimi mbi 30 vjeçarë. Ku na është thënë dhe po na thuhet se është rritur mekanizimi i ullishteve, e ku mekanizim nuk ka. Sepse fondet e akorduara janë vjedhur, e ku edhe studimet nuk janë reale. Janë abuzuar edhe ato grantet dhe fondet për paisjet e vogla e të manovrueshme të punës së krahut, e ku për pasojë puna e krahut po kryhet njëlloj sikur në mesjetë. Kështu ka ndodhur edhe me vreshtarinë, edhe me pemëtarinë, edhe me agrumet e me të gjitha kulturat dhe fushat e prodhimit. Sikurse dihet, me këtë kosto të rritur me 200-300%, kurrë nuk mund të dilet në tregun vendas, rajonal e as europian. Pasi kostoja dhe çmimi i lartë i produkteve tona po e penalizojnȅ rëndë konsumatorin edhe vendas dhe po e detyrojnë me kursye e me ulë konsumin. Pasojat e korrupsionit me fondet, me projektet dhe me buxhetet e bujqësisë, do të bëhen edhe më të dukshme në fazën aktuale të integrimit, sapo të fillojë hapja e kapitujve me BE. Kjo për shkak se fondet dhe buxhetet e bujqësisë, për një kohë shumë të gjatë janë orientuar gabim, si dhe janë vjedhur duke menduar se vjedhjen e mbulon toka, pasi tek bujqësia dhe mekanizimi ka shkuar shumë pak. Sikurse dihet, tashmë BE, tregjet rajonale dhe ato europiane, por edhe konsumatorët dhe turistët e Shqipërisë, nuk mund të ushqehen e nuk mund të mashtrohen më gjatë me dosjet fiktive, as me kronikat televizive, e as me lajket e facebookut. Sikurse po e kërkon edhe BE, duhet përgjegjshmëri dhe përballje me fiktivitetin që në vite e dekada ka ushqyer hajninë, korrupsionin, shpopullimin dhe degradimin e mjedisit rural.

-Problem ishte shitja ku shteti heshti dhe tani po shiten me 25 euro/kv gruri dhe 22 euro/kv misri.

– Akoma më keq është situata e krijuar në blegtori, ku tashmë është përgjysmuar numri i krerëve dhe është tre e katërfishuar çmimi i prodhimeve blegtorale

Po sjellim edhe një shëmbull tjetër nga Malësia e Madhe, ku aktualisht po shkatërrohen e mbetën pa asnjë ndërhyrje shtetërore mbi 5000 ha të mbjellura me bimë medicionale (sherebelë, levandul, etj). Sipas informacioneve që më vijnë nga fusha, këtë vit ka mbetur stok prodhimi e korrjes së pranverës dhe korrjes së vjeshtës, e që minimumi është mbi 600 kg/ha. Sipas një llogaritje të thjeshtë, kur çmimi i shitjes së bimëve është mbi 1 euro/kg (apo 100 euro/kv), aktualisht atje po kalben dhe dëmtohen mbi 30000 kv sherebelë (5000 x 6 = 30000 kv = 3000 ton).

Nga ku dëmi i llogaritur për Shqipërinë dhe popullsinë e atjeshme është minimumi mbi 3 miljon euro në vit. Unë nuk arrij që të mund të kuptoj se për çfarë duhen ambasadat, që në të tilla sitauata nuk bëjnë diplomaci ekonomike. Pasi vendi ynë, në pjesën më të madhe është bujqësor e blegtoral, e nuk shquhet për industri e prodhime elektronike, as kimike, as ushtarake, as kozmike e as galaktike. Jam ndier shumë keq në ditën që njëri nga banorët e Koplikut, në një takim që patën me drejtuesit e ministrisë së bujqësisë, ju drejtua ministres me fjalët: “sherebela po na damtohet, e nuk bën ma as me ja shtrue lopës, na ndihmoni pash atë Zot”. Fermerët paguajnë taksa për të marrë shërbime, sikurse marrin fermerët dhe banorët e vendeve të tjera fqinjë si Mali i Zi, ku këto fenomene nuk njihen, sepse janë zgjidhur me kohë. Kjo duhet me ndodh edhe në Shqipëri, ku administrata duhet të ndërtohet me njerëz të ditur e me moral e qëllim të lartë, e jo me të paditur, me abuzues e me të korruptuar. Shteti duhet me ju dalë për zot fermerëve dhe blegtorëve të vet, e jo me i falimentue, me i varfërue e me i prerë në besë. Në afërsi të Koplikut, njërin nga fermerët që ka mbjellur ullinj, para 10 vitesh e orientuan për të mbjellë ullirin e bardhë të Tiranës dhe atë të Krujës. Ka 10 vjetë që fermeri nuk ka marrë asnjë kokërr, pasi ky kultivarë në këtë zonë lulëzon, por nuk lidh frutat, përkundrejtë kultivarëve Leqino dhe Frantojo që lulzojnë dhe prodhojnë shumë mirë. Dëmin me 90 bimë ulliri me moshë 10 vjeçare që do të pritën këtë dimër, fermerit nuk ja njef askush, edhe pse provat fushore dhe strukturën varietore duhet ta kishte zgjidhur e drejtuar shteti.

Mbase akoma ka njerëz që nuk ju bën më përshtypje kilja e domatës në treg me 150 lekë/kg, në një kohë kur fermeri që e prodhon, e shet tek grumbulluesi me 20, maksimumi me 30 lek/kg. Kjo rritje e çmimit me 700% nga Lushnja deri në Tiranë, duket që është abuzive për konsumatorin që kërkon mbrojtje nga shteti që ka votuar e që ka zgjedhur që ta drejtojë e mbrojë.

Të tilla rritje nuk kanë bazë llogjike e as ekonomike. Sikurse dihet, shteti ka të gjitha mundësitë dhe mekanizmat për ta mbrojtur fermerin dhe konsumatorin. Kjo bëhet me anë të ligjeve dhe reformave të hartuara e të implementuara nga njerëz që e njohin fushën, e që shohin përtej interesave të ngushta dhe hapësirave të ministrisë dhe qendrës së Tiranës.

-Po për blegtorinë si është situata?

Akoma më keq është situata e krijuar në blegtori, ku tashmë është përgjysmuar numri i krerëve dhe është tre e katërfishuar çmimi i prodhimeve blegtorale. Investimet dhe situata reale e infrastrukturës në stalla, në tufat e reja, në komplekset blegtorale edhe në qëndrat e përpunimit, nuk ka asnjë përputhje me ato, që thuhen e që shkruhen në dosjet fiktive.

Keq është puna edhe tek arrorët, ku këtë vit, lajthia dhe arra po grumbullohen me 200-300 lek/kg, e më pas në mënyrë abuzive po i shiten tek konsumatori me 800-1000 lek/kg, një rritje me 400-500%, rritje si askund tjetër. Kjo që po ndodh nuk është për shkak të popullit e as të tokës dhe klimës, përkundrazi po ndodh, sepse administrata dhe institucionet nuk po e kryejnë si duhet punën për të cilën paguhen.

Unë nuk e humbas kurrë durimin, shpresën e as lirinë për të folur e për të reaguar kundër korrupsionit dhe injorancës që po e varfëron, po e plak e po e boshatis Shqipërinë. Ama nuk ndihem mirë nga heshtja dhe nga mungesa e gjatë e kundërshtisë dhe reagimit qytetarë ndaj korrupsionit dhe injorancës.

Për ta mbyllur, për të gjithë abuzuesit dhe të korruptuarit e sistemit të bujqësisë e më gjërë, po sjell ndërmend fjalët e Niko Pedrazit (dt 12.11.2023), marrë nga “balcanicaucaso”, ku fjalë për fjalë ka shkruar: Edi Rama ka 10 vjet që qeveris vendin e tij me mediat e huaja dhe konsensusin që fiton jashtë, nga Brukseli në Ankara (sepse ka edhe një skenar të konsoliduar “orientalist”, por kjo është tjetër histori). Sot në Shqipëri mungon një opozitë e besueshme, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë bashkiak, kryesisht, sepse kundërshtitë e saj nuk merren parasysh. Krimi i organizuar është pajtuar me këtë pushtet të ri, të vetëm. Korrupsioni nuk është i shfrenuar, ai është endemik, e vetmja metodë e mundshme. Reformat e kërkuara nga BE-ja janë në luftë, shqiptarët emigrojnë masivisht: pa varka, por kërkojnë azil në Evropën veriore, si eritreasit e “Diciottit”.

Shpresoj që lexuesit të kuptojnë sa më mirë dëmin që shkaktohet duke heshtur e duke duatrokitur ministrat dhe zyrtarët e korruptuar e të paditur, madein kolltukofagët, sikurse i quante Fan Noli.