Intervistë me Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Partia Socialiste dëshiron një President “besnik” të vendimeve të partisë

100
Sigal

Aktualiteti Politik është në një pikë të nxehtë mes dakordësive dhe akuzave rreth përzgjedhjes së emrit të ri të Presidentit. Duket se në këtë proces opozita ka thelluar më tej përçarjen, ndërsa mazhoranca ushtron presion duke mospranuar asnjë propozim kandidature nga Komisioni i Rithemelimit. Zhvillimet e fundit janë komentuar për gazetën Telegraf nga analisti Elmaz Sherifi. Ndër të tjera Sherifi shprehet se Partia Demokratike është në një pikë kritike ku gjykata duhet të vendosë për fatin e liderit, ndërsa nga ana tjetër Partia Socialiste kërkon me ngulm një president “besnik”. Analisti thekson se jo vetëm kaosi politik ndikon në mosçeljen e negociatave me Bashkimin Europian, por edhe vetë BE ka demostruar se është e paaftë për të mbajtur një qëndrim korrekt e të ndalojë së ushqyeri me lugë bosh Shqipërinë.

Diskutimet për çështjen e emrit të presidentit të ri janë bërë të hapura për publikun. Nuk jemi mësuar të shohim diskutime për çështje të tilla në mënyrë publike, pasi negociatat janë bërë kryesisht pas dyerve të mbyllura për mediat, si e komentoni këtë risi?

Për zgjedhjen e kryetarit të ri të shtetit, të Presidentit të ri të Shqipërisë, janë sajuar procedura nga të dy anët e politikës, duke mos respektuar procedurat, që imponon Kushtetuta. Kryetari i Partisë Socialiste i detyroi deputetët që të fusnin në zarfa tre emërat e tyre të preferuar për president, ndërsa drejtuesit e grupeve të opozitës parlamentare në emër të “transparencës” e njohën opinionin me emërat e “kandidatëve”. Nëse do të guxonim ta quanim këtë sjellje politike si risi, do e emërtonim pa frikë, komedia politike, që i futi procedurat kushtetuese, në zarfin e “kandidatit dhëndërr”.

Ju keni reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale me shkrimin:- Kryetari i shtetit mes legjitimitetit dhe ligjshmërisë, ku keni evidentuar situatën aktuale në Partinë Demokratike! Çfarë pritet nga kjo opozitë e ndarë për të ardhmen e emrit të kreut të ri të shtetit? A e legjitimon kjo situatë Alibeajn për propozimet për emrin e Presidentit?

Opozita është në pikën e saj më kritike dhe “lundron mes dallgëve” të krijuara nga konkurimi i legjitimitetit me ligjëshmërinë e institucioneve paralele, që e inkurajon kryetarin e grupit parlamentar të PD-së të marrë rolin e protagonistit, të cilin mendoj se ai do e preferojë deri sa nuk e njeh vendimin e shkarkimit, dhe as që ka ndonjë shenjë se mund të japë dorëheqje, derisa konflikti do të zgjidhet nga pushteti gjyqësor, të cilit i janë drejtuar  të dyja palët.

A mendoni se Partia Socialiste do bëjë lëshime dhe të pranojë një emër të propozuar nga opozita apo do jenë raundet e 4-tç apo 5-të që do të vendosin për emrin e ri të Presidentit?

Partia Socialiste ka dëshiruar që Presidenti të jetë “besnik” i zbatimit të vendimeve të partisë. Presidenti Meta u prezantua nga kryetari i Partisë Socialiste si presidenti më i mirë dhe u tentua disa herë për ta hequr si “presidenti për t’u harruar”, kur ai ktheu disa ligje si antikushtetuese. Do të ishte shumë dinjitoze sikur presidentin ta zgjdhnin me konsensus që raundin e dytë. Komoditetin për ta zgjedhur me shumicë absolute raundin e katërt ia ka siguruar vetë Berisha me ndryshimet kushtetuese më 2008.

Si i komentoni deklaratat, që i drejtohen SPAK-ut dhe sistemit të drejtësisë për çështje të ndryshme, është presion nga qeveria apo thjesht një mënyrë për të shpërqëndruar vëmendjen nga disa çështje më të rëndësishme?

Çdo “këshill” apo presion mbi SPAK-un është e papranueshme për një vend kandidat për në BE. Por, besoj se instrumentet e përballjes i ka vetë SPAK, duke goditur me mjete ligjore të gjitha subjektet, që kanë kryer veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar në radhë të parë te ministrat e ish-ministrat, deputetët e kryetarët e bashkive, që institucionet e shtetit të çlirohen nga “zaptuesit” dhe qytetarët të marrin frytet e demokracisë.

Si mendoni se do zgjidhet ngërçi në Partinë Demokratike?

Mendoj se hapi i parë vjen pasi gjykata të përcaktojë se cili do të përdorë selinë dhe simbolet e PD-së, por bashkëjetesa më duket e largët  dhe e vështirë për t’u realizuar. Prej shtatorit 2021 lufta politike është më e egër mes vedi, sesa me maxhorancën.

Si ndikon e gjithë situata kaotike politike, mungesa e një opozite të bashkuar, ndryshimi i rregullave të lojës për procedurat e përzgjedhjes së emrit të ri të Presidentit tek integrimi i vendit në Bashkimin Europian pasi qershori është edhe moment vendimtar për çeljen e negociatave ku pritet votimi në Parlamentin Europian?

Po vërtetohet paaftësia e BE-së për t’u zgjeruar me vendet e Ballkanit Perëndimor, për të mos thënë se drejtuesit e institucioneve të BE-së nuk kanë patur kurajo për ta thënë troç se këto vende nuk plotësojnë standardet e funksionimit të Shtetit të së Drejtës.

Çelja e negociatave për pranimin në Bashkimin Europian do të ishte një hap me ndikim të rëndësishëm në ekonomi, por duke u ndalur në këtë pikë si e komentoni politikën e ndjekur nga Bordi i Transparencës, i krijuar posaçërisht për përcaktimin e çmimeve në një metodë “komuniste” në një treg kapitalist?

Çmimet mund dhe janë rritur në çdo vend. Por nuk ka asnjë rast që kryeministri të deklarojë se çmimet do të rriten e nuk do të ulen. Bordi është atavizëm e nostalgji për sistemin partiak. Aleanca Administratë-Biznes është e dukshme. Ata që sjellin produktin caktojnë edhe çmimet.

Si do veprohet me kriteret , si kusht për integrimin dhe si do e komentoni deklaratën franceze se do krijohet një Këshill Ndër-rajonal ku do përfshihen edhe vendet e Ballkanit, por jo me statusin e vendit të BE?

Projekti francez për krijimin e Këshillit Ndër-rajonal denoncon deklaratat e besdisshme disa vjeçare se Shqipëria i ka plotësuar kushtet e anëtarësimit në Bashkimin Europian!