Av. Ledio Braho: Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë për trajtimin e konceptit të zgjedhjeve në tërësi në një demokraci funksionale

496
Av.Ledio Braho
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Votuesit janë ata, që në bazë të parimit të proporcionalitetit, duhet të kenë ndikim real në përzgjedhjen e kandidatëve, që duhet të marrin mandatin e deputetit 

Av. Ledio Braho, anëtar i KAS, në intervistën për gazetën “Telegraf” i pyetur për 3 pyetjet që Gjykata Kushtetuese i ka dërguar Komisionit të Venecias, për të marrë një opinion për çështjen e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, përgjigjet se “Komisioni i Venecias ka të gjithë mundësinë tashmë, që të japë një opinion, që do të shërbejë si standard, jo vetëm për zgjedhjet në Shqipëri, por dhe në rajon apo më gjerë, ku ka problematika të tilla, si në vendin tonë”. Ndërsa për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 25 prillit 2021, Av. Braho thotë se mënyra e vetme e shpërndarjes së mandateve të deputetëve është ajo, sipas të cilës, kandidatët me numrin më të madh të votave parapëlqyese, rirenditen në krye në raport me ata kandidatë, që kanë më pak vota, pavarësisht renditjes së përcaktuar nga subjekti zgjedhor

 Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al:

-Zoti Braho, cili është gjykimi juaj për 3 pyetjet, që Gjykata Kushtetuese i ka dërguar Venecias për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019?

-Në fakt, të tre pyetjet janë thelbësore për arritjen në një përfundim të saktë të asaj se, çka pretendon kërkuesi. Pyetja e parë, që ka të bëjë me juridiksionin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese, është A-ja për një vendimmarrje edhe në lidhje me themelin. Dy pyetjet e tjera janë të tilla, që janë vendimtare për kuptimin e zgjedhjeve në tërësi, në një republikë demokratike. Në fakt, debati mbi marrëdhënien pluralizëm-periodicitet është trajtuar në opinionin publik, që në momentin, kur u vendos, që zgjedhjet e vitit 2019 të organizoheshin si votime dhe jo si zgjedhje. Gjithsesi, Komisioni i Venecias ka të gjithë mundësinë tashmë, që të japë një opinion, që do të shërbejë si standard, jo vetëm për zgjedhjet në Shqipëri, por dhe në rajon apo më gjerë, ku ka problematika të tilla, si në vendin tonë.

“Reforma e re zgjedhore mund të vendosë edhe formulë krejtësisht të re për shpërndarjen e mandateve, por gjithmonë duke mbajtur parasysh Kushtetutën dhe këtë vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese”

Sipas jush këto pyetje që i drejtohen ‘Venecias’ nga Gjykata Kushtetuese a shtjellojnë thelbin e çështjes, që ato zgjedhje u bënë pa dekret presidencial, që KQZ në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën, shpërfillim dekretin e Presidentit të Republikës për çdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit?

– Për mendimin tim, trajtimi i çështjes në themel nga Gjykata Kushtetuese, e po ashtu dhe pyetjet që kjo e fundit i ka drejtuar Komisionit të Venecias, vlejnë jo për trajtimin e çështjes së dekretit, por për trajtimin e konceptit të zgjedhjeve në tërësi, në një demokraci funksionale. Çështja e dekretit është një çështje teknike, ndërkohë, që kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ka të bëjë me themelin e lirive dhe të drejtave politike që janë të sanksionuara në kreun III të Kushtetutës. Elementët kryesorë që vlejnë për trajtim janë fakti nëse shqiptarët e kanë pasur mundësinë reale për të zgjedhur në zgjedhjet e 30 qershorit dhe fakti nëse vota e qytetarëve shqiptarë ka qenë e lirë dhe e fshehtë në këto zgjedhje.

– Nëse Komisioni i Venecias jep opinion se zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019,  u zhvilluan në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, a përsëriten menjëherë zgjedhjet vendore?

– Në fakt, nuk është opinioni i Komisionit të Venecias ai që vendos në lidhje me kushtetutshmërinë e zgjedhjeve, por është vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese, e cila patjetër do të duhet të bëjë interpretimin e saj në lidhje me çështje, ku patjetër, mund të marrë parasysh edhe opinionin e Komisionit të Venecias. Gjithsesi, duhet të mbajmë parasysh, që edhe vetë opinioni  që do të japë Komisioni i Venecias, mund të ketë hapësira për debat, ndaj nuk shoh opinionin si zgjidhje përfundimtare.

“Formula aktuale e shpërndarjes së mandateve dhe rirenditjes së kandidatëve në bazë të herësit, është e tillë që, de facto e cënon parimin e votës parapëlqyese”

Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin për shpërndarjen e mandateve në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Si duhet kuptuar dhe interpretuar vendimi, kur Gjykata Kushtetuese nuk ka shfuqizuar tërësisht  herësin, por ka konsideruar si antikushtetues masën e tij?

– Thelbi i arsyetimit të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me nenin 163 të Kodit Zgjedhor, që rregullon mënyrën e shpërndarjes së mandateve për zgjedhjet e përgjithshme është fragmenti “… Gjykata vlerëson se pika 3 e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, në disa zona zgjedhore me numër të vogël zgjedhësish ose me numër të ulët të mandateve, e shndërron votën parapëlqyese në të drejtë iluzore, pasi cenon thelbin e së drejtës për të zgjedhur”, çka nënkupton se formula aktuale e shpërndarjes së mandateve dhe rirenditjes së kandidatëve në bazë të herësit, është e tillë që de facto e cënon parimin e votës parapëlqyese, sipas të cilit janë votuesit ata që, në bazë të parimit të proporcionalitetit duhet të kenë ndikim real në përzgjedhjen e kandidatëve, që duhet të marrin mandatin e deputetit.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese a ka hapur 100% listat e kandidatëve për deputetë?

– Nga leximi, që i bëhet dispozitës pas shfuqizimit të pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, mënyra e vetme e shpërndarjes së mandateve, është ajo sipas të cilës, kandidatët me numrin më të madh të votave parapëlqyese, rirenditen në krye, në raport me ata kandidatë, që kanë më pak vota, pavarësisht renditjes së përcaktuar nga subjekti zgjedhor. Megjithatë, citimi i herësit dhe i pikës 3 të nenit 163 dhe në pikën 4 të këtij neni, e bën disi konfuze formulën. Unë kam bindjen, që palët do të ulen për një qartësim të kësaj dispozite në të ardhmen, pavarësisht faktit që Gjykata Kushtetuese, nuk e ka detyruar Kuvendin për plotësimin e normës juridike.

“Elementët kryesorë që vlejnë për trajtim janë, fakti nëse shqiptarët e kanë pasur mundësinë reale për të zgjedhur në zgjedhjet e 30 qershorit dhe, fakti nëse vota e qytetarëve shqiptarë ka qenë e lirë dhe e fshehtë në këto zgjedhje”

– Çfarë ndryshimesh duhet të reflektohen në Kodin e ri Zgjedhor nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese?

– Siç e citova edhe më sipër, në ndryshim nga rastet e tjera kur Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dispozita specifike në ligje, për shkak të të qenit në kundërshtim me Kushtetutën që ka detyruar Kuvendin për plotësimin e normës juridike, në këtë rast, nuk e ka bërë dhe besoj se ka ndjekur arsyetimin që, Kodi Zgjedhor është i zbatueshëm, edhe pa pikën 3 të nenit 163 të tij. Gjithsesi, është vullneti i partive politike ai, që do mund të bëjë ndryshime në Kod Zgjedhor dhe pavarësisht vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, palët mund të vendosin edhe ndonjë formulë krejtësisht të re për shpërndarjen e mandateve, por gjithmonë duke mbajtur parasysh Kushtetutën dhe këtë vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese.

– Faleminderit!