Marash Gilaj: Kur u shfaq “Rilindja”,  sikur u hap “Kutia e Pandorës”

372
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nga mitologjia kemi mësuar se Pandora ka qënë gruaja e Zeusit, i cili urdhëroi ta dërgonin në tokë që të sillte mjerimin. Ajo ishte e bukur, guximtare dhe dinake. Pandorë do të thotë dhuratë për të gjithë. Kutia do t’i dhurohej atij që do të martohej me të, por nuk duhej hapur në asnjë mënyrë. Pandora, nga kureshtja, e hapi dhe prej andej dolën të gjitha fatkeqësitë njerëzore si: sëmundjet, vuajtjet, epidemitë, luftrat, uria, etj. Ishte një dhuratë e bukur, që sillte fatkeqësi. Boll e ngjashme me ‘Rilindjen’ socialiste. Kështu edhe emri ‘Rilindje’, me të cilin u prezantua Partia socialiste, 8 vjet më parë, nuk kishte të sharë. Vërtetë, ne e dinim se nga PPSH, u bë PSSH dhe  se emri “Rilindje” ngjante si një nickname, si emër i dashur e i përkëdhelur nga ai që e sajoi. Në anën tjetër, sipas ideuesit, do të thoshte se ai dhe shokët, me të cilët do të sundonte, do të sillnin mrekullira. Gati-gati, sikur do të ngjallte edhe të vdekurit, duke i ngjarë Mesisë. Prej asaj kohe do të fillonte “Viti zero” dhe çdo gjë do të certifikohej me damkën “Rilindje”.  Pra, e kishte ndarë mendjen.

“Shqipëria po përjeton në mënyrë të skajshme e vajtuese varfërinë, shpopullimin, korrupsionin, përdhunimin e ligjeve dhe zgjedhjeve. Arritëm deri aty sa, të bënim zgjedhje moniste lokale”

“Nuk ka reformim, ka vetëm tymçe, pluhur syve ndaj atyre që s’kanë aftësinë të mendojnë.  ‘Rilindja’ ua ka dorëzuar Shqipërinë kriminelëve”

Do të na çonte drejt zeros. Edhe kryeqeveriu e kishte ndërruar emrin, siç kishte ndodhur edhe me shumë të tjerë, që do të thirreshin nën armë, për të shqeverisur bashkë me të. Më vonë u kuptua se ndërrimi i emrit për këta sojsëzë, do të thoshte fshehje krimesh, të kryera gjithandej nëpër botë, kur ishin emigrantë ose duke u shkolluar. Disa e kishin ndërruar emrin 4-5 herë dhe, ndoshta, aq krime kishin kryer ose më shumë. Qëllimi i tyre ishte t’i iknin burgut. I madhi, por i madhi fare ama, do t’i afronte këta rreth vetes, duke i bërë kryebashkiakë, deputetë apo ministra. Natyra njerëzore e pranon se çdo njeri pëlqen të ngjashmin e vet. Nuk kanë thënë kot të urtit se drejtuesi, udhëheqësi, sunduesi, vlerësohet nga njerëzit që mban afër, me të cilët qeveris apo bën sikur.  Shumë shpejt u kuptua se “një diktator nuk respekton ligjin as drejtësinë, vullnetin e popullit, moralin, as të vërtetën”, siç na mëson Epikteti.  Kujtojmë se në Kongresin e 10-të, PPSH-ja, e kundërshtoi fort fjalimin e të ndjerit Dritëro Agolli, kur po insistonte se duheshin njohur gabimet e fajet e së kaluarës komuniste, të pranoheshin ato si krime, duhej të kërkohej falje, e dënuar me fjalë e vepra ajo e kaluar e zezë diktatoriale, se duheshin flakur dogmat dhe duhej mbyllur ai kapitull turpi e mizorie. Ndryshe, shtonte shkrimtari, nuk kemi rinovim, por as rilindje, do të shtoja unë, për kohën që jetojmë. Lazarati ishte problem me kanabisin, por pasi iu sulën atij, u lejua në 2-3 mijë fshatrat që ka Shqipëria. Kjo ishte shfaqja e dytë e spektaklit, pasi u sigurua mbrojtja, ndihma dhe  mbarëvajtja e tij me anën e policisë politike të pushtetit. Ishte dhe mbetet hambari i votave, makineria elektorale e ‘rilindjes’. Rritja  dhe prodhimi u qindrafishua. Pandora lëshonte çdo ditë fatkeqësinë e radhës, tashmë, me emrin “Rilindje.”  Të huajt kapnin nganjëherë ndonjë ton drogë, ndërsa tanët fiknin radarët, që trafikantët të manovronin lirshëm. Dalëngadalë shteti u kriminalizua. Krimi ndjell krimin. Një horr bir horri, që abuzon me alkool e drogë, duke ngarë një makinë shumë të shtrenjtë, është i pakontrollueshëm nga policia, sepse i ka dhënë fuqi deputeti, ministri, mafia, paratë e pista e çdo gjë tjetër që e bën të paprekshëm. Ndërsa ai vret njerëz në udhëtimin e tij të çmendur. Grupet që shesin drogë vrasin njëri-tjetrin për rivalitet ose për prishje pazaresh.

“Patronazhistët zëvendësuan spiunët, lufta e klasave, e kohës tone, të pushon nga puna nëse nuk je “I joni”. Pra, ‘rilindja’ thotë se “jemi ne” dhe “ata”. Dhe se, “ata”, janë armiqtë tanë”

Del pastaj, i gjati dhe i ngushëllon me shprehjen: “Hëngshi kokat e njëri – tjetrit!” Sa bukur tingëllon kjo shprehje! Çfarë papërgjegjësie! Vrasje në plazh nga zaptuesit, duke vënë në rrezik pushuesit. Si gjithmonë, krenar me Rrosha, Frroka e Ko-dosha. Më shumë se 100 shefa e inspektorë policie kanë ikur pa lënë gjurmë, sepse na qenkan marrë me drogë, por këta që mbeten në detyrë nuk janë më të mirë se ata, dhe dy ministrat e larguar nga puna, për të njëjtat arsye. Lëvizi sa të duash e ku të duash, ata janë. Nuk ka reformim, ka vetëm tymçe, pluhur syve, ndaj atyre që s’kanë aftësinë të mendojnë.  ‘Rilindja’ ua ka dorëzuar Shqipërinë kriminelëve. Rendi dhe siguria kanë ikur me pushime. Thonë dijetarë e filozofë se krimi që lejohet nga shteti, financon shtetin, se ai që nuk e ndëshkon të keqen, do që ajo të bëhet, dhe e nxit atë. Mjafton kaq për ta kuptuar e besuar se ku kemi arritur dhe sa shumë i ngjan Kutia e Pandorës ‘Rilindjes’ së shpifur e skandaloze. Shqipëria po përjeton në mënyrë të skajshme e vajtuese varfërinë, shpopullimin, korrupsionin, përdhunimin e ligjeve dhe zgjedhjeve. Arritëm deri aty sa të bënim zgjedhje  moniste lokale. Nostalgjia për komunizmin la në detyrë 30 vjet ish ministrin e brendshëm të asaj kohe, sh. Gramoz, bëri deputete stërgjyshen, që desh na bindi se Enveri me shokët e vet, kishin më shumë anë të mira dhe se kryerilindasi gati desh na bindi se, ata ishin në anën e duhur të historisë. Patronazhistët zëvendësuan spiunët, lufta e klasave, e kohës tonë të pushon nga puna nëse nuk je “I joni”. Pra, ‘rilindja’ thotë se “jemi ne”,  dhe “ata”. Dhe se, “ata”,  janë armiqët tanë. Meqenëse integrimin me BE-në nuk e arritëm, po shikohet varianti B dhe C: Minishengeni ose Lindja. Dhe sa bukur e thotë i madhi! Tamam si rapsod i vjetër: “Dështoi BE, nuk dështuam ne.” Drejtësinë po e reformojmë duke e shkatërruar.

“Meqënëse integrimin me BE-në nuk e arritëm, po shikohet varianti B dhe C: Minishengeni ose Lindja. Dhe sa bukur e thotë I madhi: “ Dështoi BE, nuk dështuam ne.” “

Tani, ligjet janë të paligjshme, dhe të pavlera. Për ta vënë në rrugë të mbarë drejtësinë, ca prokurorë dhe gjyqtarë i morën nga koha e Qoftëlargut. Ligjet zbatohen vetëm për “armiqtë” e qeverisë sepse, qeverisemi nga një paligjshmëri e thellë. A ka më qesharake, cinike dhe tallëse se t’i thuash popullit në mandatin e tretë, që pas dymbëdhjetë vitesh në pushtet, do t’u sigurojmë ujë të pijshëm 24 orë në ditë?! Kjo është paturpësi arrogante siç është edhe prishja e ndërtimeve nëpër plazhe, pasi fillon vera. Pse kaq papritmas? Pse jo, kohë më parë?!  Shumë intelektualë shprehën gëzim që “theu qafën” Kuvendi i sajuar i turpit, parlamenti i krimit, i llumit e i zullumit. Sepse ikën deputetët e pazarit, disa kryebashkiakë të korbave e qyqeve.  Shkarkimi i dytë i Presidentit, si arrogancë dhe hakmarrje për të kaluar në një dorë çdo institucion. Mjekë të pushuar nga puna në kohë pandemie, sepse kanë thënë ca të vërteta, që nuk i gëlltit  ‘rilindja’ gënjeshtare.  Bash si Vëllai i madh i Big Brother-it, do që çdo njeri të jetë nën vëzhgim e kontroll 24 orë nga i madhi, bazuar në ligjin e paligjshëm.  Tashmë, njeriu normal e ka kuptuar se, pavarësisht nga skandalet e shumta që kanë ndodhur në 8 vite, kryeqeveriu kërkon gjithë vëmëndjen, admirimin e vazhdueshëm, duke e ditur veten si të veçantë dhe se, sipas tij, ai ka gjithmonë të drejtë, se nuk i detyrohet askujt, asgjë, dhe se fajin, kurdoherë, e kanë të tjerët. Kudo e vazhdimisht do të bëjë protagonistin. Të krijohet përshtypja se ‘rilindasit’ dhe ideja e tyre që partia duhet të jetë mbi të gjitha, dhe I gjati, mbi partinë, tregon se jemi kthyer pas në kohë. Ai ligjëron gënjeshtrën dhe reklamat fasadë, duke u dukur si drejtues i shtëpive publike, ku bëhen përpjekje të bindin miletin për virgjërinë e prostitutave. Vargu i fatkeqësive, që solli ‘rilindja’ për popullin tone, duket pa mbarim, si e ngjashme me Kutinë e Pandorës, pasi u hap, por, sidoqoftë, një konkluzion duhet nxjerrë. Nuk ka gabim më të madh se t’i japësh pushtetin njeriut, që e kërkon atë me çdo mjet e marifet, sado të paligjshme qofshin ato. Sepse, në fund të fundit, pasi ta marrë pushtetin, ai do të marrë nëpër këmbë, do të shpërfillin e do të tallin menderën, do të përdorë bullizmin dhe poshtërimin, duke injoruar të ndershmit, të drejtët, duke e kthyer në standard jetese, siç po e jetojmë çdo ditë.  Ky njeri, i dashuruar me veten, si narcist i thekur, si adhurues i kriminelëve, që ktheu në normë survijimin, që promovon servilizmin, nënshtrimin e hipokrizinë, po që kurrë nuk u përpoq të ishte ashtu siç e përshkruajnë lajkatarët, qoftë si Skenderbé, Ismail Qemal apo Guru. Duket sikur po ndjek sloganin e Ramiz Alisë, pas vdekjes së Enverit, kur u betua para varrit të tij për “Vazhdimësi” në rrugën e tij. Mjaft me Zylo, Demkë e kriminelë! Ish- Presidenti i tretë i SHBA-së, Thomas Jefferson, i pat thënë një herë djalit të vet: “ Ka edhe fitore të turpshme gjatë jetës.” Edhe kjo e jotja, e tillë është. Dorëheqja, do të ishte fillimi i një fitoreje të ndershme, bashkë me përsëritjen e zgjedhjeve. Çdo mendim e veprim tjetër, është turp dhe krim.