Intervistë/ Roland Qafoku: Një libër ku politikanë dhe gazetarë rrëfejnë të fshehtat e jetës së tyre në vetën e parë

519
Sigal

“50 pyetje për 50 personazhe” zbulon të veçantat dhe labirinthet jetësore e profesionale nga Agron Llakaj, Artan Fuga , Iris Luarasi, Elez Biberaj e deri te politikanët më në zë si Ilir Meta, Edi Rama, Lulzim Basha

Intervistoi: Biora Vojka

 Gazetari dhe pedagogu i njohur Roland Qafoku vjen para lexuesve me librin e tij të tretë, “50 pyetje me 50 personazhe”. Me një karrierë 25 vjeçare ku numëron 2 mijë intervista, Qafoku sjellë për lexuesit mënyrën për të njohur nga një këndvështrim tjetër nga afër figurat , të cilat kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë.  Në një intervistë ekskluzive për “Telegraf” nxjerr në pah të veçantat dhe labirinthet jetësore e profesionale përmes pyetjeve duke rrëfyer impresionet për secilin personazh.

 

Si ju lindi ideja e këtij libri dhe kujt i adresohet më së shumti?

Pas dy librave “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë” në 2015 dhe “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar” në 2017, dhe temës së doktoraturës në 2019, iu futa punës për të nxjerrë një libër të mirëfilltë të gazetarisë. Gjatë karrierës sime prej 25 vjetësh në gazetari kisha realizuar mbi 2 mijë intervista dhe të selektoja 50 prej tyre në një formë të veçantë më dukej një ide e mirë. Ky libër në fakt është një punë personale e mbledhur ndër vite pune me intesitet pune, por këtu duhet të shtojë edhe punën sistematike timen që ruaj çdo gjë në version fizik dhe elektronik. Këtë libër e kam mbështetur në një moto me tre komponentë: Personazhin e duhur, pyetjet e duhura, të bëra në kohën e duhur. Lexuesi do ta vlerësojë nëse vlejnë.

 Më tepër keni vënë theksin tek intervistat, pse është kaq e rëndësishme një pyetje? Ju numëroni 2 mijë intervista, sa të vështirë e kishit selektimin në 50?

 Ne gazetarët vlejmë për pyetjet që bëjmë. Kjo është arma jonë më e madhe. Ai gazetar që nuk pyet, më mirë të ndërrojë profesion. Dhe jo vetëm të bëjë pyetje, por të arrijë të ketë aftësinë të marrë përgjigje dhe këto përgjigje patjetër të kenë diçka të re, pra një lajm. Një intervistë pa lajm në të është si bisedë kafejene që nuk i duhet kujt. Nuk kisha vështirësi në selektimin e 50-të intervistave, sepse dikur kisha një rubrikë kur drejtoja gazetën “Tirana Observer” me 50 pyetje për personazhe. Baza e këtij libri janë prej atyre intervistave, por kam përfshirë edhe disa intervista të tjera për ta shtrirë edhe më shumë.

 Libri me personalitete sjellë një pjesë të historisë shqiptare te lexuesi. Cila është intervista që ju ka lënë gjurmë , dhimbje, dashuri?

 Gazetari më i mirë italian dhe një nga më të mirët në botë, Indro Montaneli thoshte se gazeta është maketi i parë i historisë. Pra nëse do shkruajmë një histori të vjetër në radhë të parë do lexojmë gazetat e asaj kohe dhe më pas do vijojmë me plotësimet. Kështu besoj se ndodh me intervistat që botohen. Nuk mund t’i ndaj intervistat, sepse nga të gjitha kam nxjerrrë një gjë të re por po risjell nga ky libër impresionet e mia për secilin. Kështu, kur realizova intervistën me Agron Llakajn, kam qeshur më shumë se sa e kam parë në spektaklin “Portokalli”. Kur intervistova Ajola Xoxen e parafytyroja se si do të ishte një ditë kjo vajzë nëse do bëhej zonja e parë.

Kur intervistova Agim Krajkën shijova me fjalë atë që mjeshtri i muzikës na e kishte dhënë me nota muzikore. Kur intervistova Andi Bejtjan rikonfirmova se ai kurrë nuk kërkoi autoritet, por e krijoi atë vetëm duke qenë profesionist. Kur intervistova Armand Shkullakun provova se nuk është e lehtë të intervistosh kryeredaktorin dhe gazetarin që ka ndikuar më shumë në karrierën tënde. Kur intervistova Artan Fugën provova se si është t’i drejtosh pyetje profesorit tënd. Kur intervistova Artan Lamen mësova se për një intelektual historia është pjesë e formimit dhe jo e pasionit. Kur intervistova Bashkim Finon mësova se të dukesh rrallë e për mall në media për një politikan kjo nganjëherë të rrethon me shumë kureshti. Kur intervistova Ben Blushin kuptova se që të kesh njëkohësisht sukses edhe në media edhe në politikë duhet të kesh talent, por më shumë duhet të kesh integritet dhe të mos bësh lëpirësin. Kur intervistova Blendi Fevziun kuptova se edhe pse e pëlqejnë, edhe pse e kopjojnë, edhe pse e kanë referencë, vazhdojnë ta shajnë akoma më shumë. Kur intervistova Bujar Nishanin konfirmova edhe njëherë se Shqipëria ka edhe shtetarë seriozë, korrektë dhe që nuk janë përfolur asnjëherë për korrupsion në karrierën e tyre. Kur intervistova Dritan Shakohoxhën mësova se pasioni për gazetarinë dhe humori mund ta bëjnë median shumë më të mirë.

Kur intervistova Edi Ramën kuptova se Rama publicist do tallej me Edi Ramën kryeministër. Kur intervistova Ekrem Bardhën mësova se nuk është shuar kurrë idealizmi shqiptar i Rilindjes Kombëtare me njerëz që shkrijnë pasurinë për Shqipërinë dhe jo e kundërta. Kur intervistova Elez Biberajn mësova disa teknika të intervistës, të cilat më parë mendoja se i dija mirë. Kur intervistova Enkel Demin mësova se pjesa më e mirë e gazetarisë në Shqipëri janë ata pozitivët dhe të ndershmit, specie që për fat ende nuk janë zhdukur. Kur intervistova Erion Veliaj kuptova se ai do shkonte larg në karrierë. Kur intervistova Ermonela Jahon kuptova se talenti, puna dhe përulja janë cilësi që mund ta çojnë artin në majë të botës. Kur intervistova Ernerst Troshanin m’u duk sikur fola me vetë Zotin. Kur intervistova Fahri Balliun mësova se besnikëria ndaj një ideje vlen më shumë se sa 1 mijë kundërshtarë. Kur intervistova Gjergj Lekën ishte si të intervistoje të gjithë këngëtarët e të gjithë festivaleve.

Kur intervistova Gramos Ruçin rikonfirmova pse ai mbetet i dyti i përhershëm në PS. Kur intervistova Ilir Kadian konfirmova se mirësia dhe familja e mirë ia shtojnë akoma më shumë vlerën një gazetari të mirë. Kur intervistova Henri Çilin kuptova se mirënjohja dhe mosmirënjohja e të tjerëve ndaj tij përbëjnë pjesën e karakterit të tyre dhe jo të Çilit. Kur intervistova Ilir Metën kuptova se nuhatja dhe guximi janë dy armët që kundërshtarët nuk do të donin që ai t’i vinte në përdorim kur ndesheshin me të. Kur intervistova Irakli Koçollarin nuk do ta mësoja kurrë se Ali Pashë Tepelena kishte planifikuar themelimin e Shqipërisë së Madhe në një shtet të vetëm, por kjo ide u pre në mes me prerjen e kokës.

Kur intervistova Iris Luarasin kuptova se edhe një femër në një Shqipëri maskiliste mund të arrijë suksese sipërore. Kur intervistova Ismail Kadarenë ndodhesha përballë gjeniut dhe kuptova më qartë se jemi një komb shumë i vogël për të patur një shkrimtar kaq të madh. Kur intervistova Jonila Godolen mësova se “deutsche kultur” është vlerë e shtuar pas një karriere në media dhe në mësimdhënie. Kur intervistova kryeparlamentaren Jozefina Topalli kuptova se ajo nuk është rastësisht gruaja shqiptare që ka mbajtur postin më të lartë shtetëror. Kur intervistova Kastriot Dervishin kuptova që edhe pse janë shumë, nëse bëhen bashkë të gjitha ata që e kundërshtojnë atë, nuk e kalojnë dot numrin e dokumenteve që Kaçi ka zbuluar në arkiva. Kur intervistova Kastriot Myftaraj kuptova që mund ta sulmojnë në të gjitha drejtimet, por kurrë në dijet e tij të shumta. Kur intervistova Lulzim Bashën kuptova se iu desh shumë pak për t’u bërë kryetar, por i duhet shumë për t’u bërë lider. Kur intervistova Maks Haxhian, kuptova se një jurist i mirë në Shqipëri vlen më shumë se sa një prokuror, avokat apo gjykatës në detyrë. Kur intervistova Mero Bazen konfirmova se edhe kundërshtarët e tij nuk e mohojnë dot faktin se ai është një nga gazetarët më me ndikim në politikën dhe shoqërinë shqiptare pas vitit 1990 e deri më sot. Kur intervistova Mimoza Dervishin kuptova dhe vazhdoj të kuptoj se sa boshllëk ka lënë kjo vajzë në median shqiptare duke ikur në SHBA. Kur intervistova Mira Meksin kuptova se nëse i vendos në harmoni dijen dhe talentin çdo grua mund t’ia kalojë burrave në Shqipëri. Kur intervistova Monika Kryemadhin konfirmova edhe një herë se ata politikanë që e urrejnë, e vlerësojnë më shumë se sa ata politikanë që e duan. Kur intervistova Mustafa Nanon nuk e kisha të vështirë të kuptoja se në këto tre dekada ka arritur të debatojë me shumë guxim dhe publikisht për katër çështjet më të rëndësishme që ka shoqëria shqiptare: politika, feja, media dhe shoqëria. Kur intervistova Nikoll Lesin isha për herë të parë përballë botuesit tim të parë, jo për të raportuar për scoop-in e ditës, por për ta intervistuar dhe aty mësova shumë më shumë detaje për jetën e tij se sa nga 6 vite që punova te “Koha Jonë”. Kur intervistova Olsi Ramën kuptova mirë sikletin se çdo të thotë të mos të thërrasin në emër, por vëllai i Edit. Kur intervistova Pirro Mishën kuptova se çdo të thotë të jesh një bibliotekë në lëvizje.

Kur intervistova Rudina Xhungën konfirmova se është padyshim gazetarja femër më me kontibute pas vitit 1990 në Shqipëri. Kur intervistova Sali Berishën konfirmova se në këto tri dekada në Shqipëri nuk ka asnjë vendim të rëndësishëm politik pa miratimin e tij. Kur intervistova Servet Pëllumbin konfirmova se ndershmëria intelektuale në politikë duket se është fiksuar tek ai. Kur intervistova Shaban Sinanin kuptova se një akademik mund të prodhojë shumë vepra, por nëse ato nuk ndahen me publikun, nuk vlejnë. Kur intervistova Skënder Minxhozin konfirmova se pavarësisht pikëpamjeve dhe qëndrimeve, të qenit gazetar dinjitoz është cilësi që nuk është në zhdukje derisa në komunitetin tonë kemi Skënder Minxhozin.

Kur intervistova Sonila Meçon kuptova arsyet e vërteta përse disa vajza gazetare janë xheloze për të. Kur intervistova Taulant Ballën kuptova se ambicja dhe pasioni në politikë te ai janë natyrale dhe asnjeherë mish i huaj. Kur intervistova Ylljet Aliçkën mësova rrrëfenja më e mnirë e tij është për ndërkombëtarët se sa për veten.

Si jeni ndjerë kur keni intervistuar për herë të parë dhe kush ka qenë?

 Ua kam thënë edhe në leksion. Asnjë gazetar nuk do të donte të sillte për publikun as intervistën e parë e as daljen e parë në televizion. Ishte naive dhe asgjë më shumë. Por ama ena mbushet duke e nisur pikë- pikë dhe eksperienca fitohet duke marrë sa më shumë intervista jo duke bërë profesorin e intervistës pa e ditur se si merret intervista. A e dini ju që sot ka media që drejtohen nga gazetarë që nuk kanë bërë asnjë intervistë dhe asnjë shkrim në karrierën e tyre? Epo kjo është turp mbi turpet.

 A janë personazhet një garanci për lexuesin?

 Nuk di ta them këtë, por për një kategori besoj se po. Nëse lexuesi ka kërshëri të dijë më shumë për dikë që është politikan, gazetar, shkrimtar apo figurë publike të rrëfyer në vetën e parë prej tij ja ku e ka.

 Ju jeni autor, moderator, pedagog. Sa orë ka dita juaj, si i përballoni angazhimet ?

 Kjo është pyetje për intervistën e 51-të? Unë jam shumë i organizuar dhe i vetëdisiplinuar me veten time. Kam orare të caktuara dhe asnjëherë nuk i prish ato. Zgjimi dhe puna herët më bën të jem i avantazhuar me kohën. Kurrë nuk i kam kujtuar ata që zgjohen nga ora 11 dhe pastaj ankohen se nuk arrijnë gjëra në jetë. Flini, flini!

 Cilat janë aftësitë që kanë nevojë të rinjtë sot ? Ndonjë këshillë për ato që aspirojnë kryesisht gazetarinë?

 Sot të rinjtë janë shumë më shumë të avancuar se brezat e mëparshëm. Kush thotë të kundërtën ia fut kot. Në çdo etapë të jetës sime kam dëgjuar frazën “ky brez është kot, ne ishim ndryshe”. Nuk ka mundësi të ndodhë kështu kur e dëgjon këtë edhe kur je 10 vjeç, edhe kur je 20 vjeç, edhe kur je 30 vjeç, 40, 50. Unë mendoj se është një sindromë e atyre që vërtetë janë plakur, por jo më shumë nga mosha, por nga puna që bëjnë. Brezi i ri në mënyrë absolute ia kalon brezit tonë. Unë e shikoj këtë në fakultet, por edhe në punë. Sot ka më shumë dije, të rinjtë njohin më shumë gjuhë të huaja, njohin më mirë teknologjinë e të tjera. Ata që thonë të kundërtën besojnë se kam frikë se u zënë vendin. 20 vjet më parë në redaksitë e gazetave kishte më pak gazetarë që njihnin gjuhë të huaja. Sot është ndryshe. Sigurisht që unë mund të mbaj leksion për brezin e ri se sa gabime kanë dhe ç’duhet të bëjë, por jam i bindur që fitimi i eksperiencës duke punuar është baza e çdo brezi. Puna dhe vetëm puna. Sot teknologjia ka bërë që të ndryshohet mënyra e punës në një gazetë dhe televizion. Sot portali është si një fasoneri dhe pak bëhet për të punuar në terren. Por jam i bindur që është kalimtare dhe do gjenden mekanizma që të rikthehet te gazetaria e vërtetë. Ajo që më dhemb më shumë është se ka humbur roli i reporterit. Për mua është i pazëvendësueshëm. Të gjithë gazetarët renditen për të bërë një emision. Ky është dëmi më i madh që i bëhet gazetarisë.

Faleminderit!