Intervista/ Gentian Stojku: Kampionat me zhvillime dhe befasi, titulli në “derbi”

104

Flet për “Telegraf” Gentian Stojku, ish goleadori i Elbasanit në Superiore

Sigal

Nga Agron Kaja

“Besoj se, për të patur një renditje më të plotë, duhet të presim deri në fund të kampionatit. Do jetë e vështirë për të gjitha skuadrat që të arrijnë synimet e tyre të plota. Kjo javë nuk do jetë shumë përcaktuese për një renditje, sepse do ketë zhvillime të reja gjatë javëve në vazhdim.”

Në 31 javët e Abissnet Superiore, çfarë të veçanta keni zbuluar?

Mendoj se si e veçantë më e dukshme mbetet fakti se ende nuk është përcaktuar kreu, por edhe fundi renditjes. Në krye luftojnë dy skuadra për titullin kampion, janë tre-katër të tjera që kërkojnë Europën dhe po kaq skuadra kërkojnë mbijetesën.

Me këtë renditje në 31 javë, mendoni se ajo është në raport me atë çka kanë dhënë skuadrat?

Besoj që po, sepse atë që kanë dhënë në fushën e lojës e kanë marrë shpërblim në pikët e grumbulluara e në renditjen që kanë. Të gjitha skuadrat pa përjashtim, janë në këtë renditje si pjesë e vlerave të tyre në këto 31 javë.

Në javën e kaluar, ku mendoni se u përcaktua pozicioni përfundimtar: Në krye, në mes apo në fundin e renditjes?

Në këtë javë më tërheqëse ishte fitorja e Egnatias në Shkodër. Ishte një fitore me aromë Europe për rrogozhinasit, ndërkohë që për Vllazninë shpreh keqardhje për atë humbje. Kjo rënie e saj edhe në renditje nuk e garanton shumë për të luajtur në Europë, do fokusohet vetëm te Kupa.

Këtë fundjavë luhen ndeshjet e javës së 32-të në Abissnet Superiore, si i komentoni çiftet e kësaj jave?

Kalendari duket interesant dhe për mua të gjitha ndeshjet do të jenë të forta, pse jo edhe të bukura. Duke qenë se jemi në pesë javët e fundit të kampionatit, gabimet duhet të jenë sa më të pakta, ndërsa duhet shtuar më shumë finalizimi.

Edhe pesë javë janë për t’u luajtur deri në mbylljen e kampionatit, ku mendoni se do të ndryshojë renditja?

Besoj se, për të patur një renditje më të plotë, duhet të presim deri në fund të kampionatit. Mendoj se do jetë e vështirë për të gjitha skuadrat që të arrijnë synimet e tyre të plota. Kjo javë nuk do jetë shumë përcaktuese për një renditje, sepse do ketë zhvillime të reja gjatë javëve në vazhdim.

Kategoria e Parë ka përcaktuar dy kryesueset: Skënderbeu e Dinamo, mendoni se e kanë merituar?

Përderisa janë në krye të renditjes, natyrisht që e kanë merituar. Duke qenë se në renditjen e tyre të dyja këto skuadra u përcaktuan si kryesuese disa javë para mbylljes së kampionatit, kjo tregon se veç meritës, kanë qenë lidere të këtij sezoni.

Kjo kategori do të luajë dy ndeshjet e fundit, mendoni se do të ketë ndonjë ndryshim në renditje?

Duke ju referuar të gjitha çifteve që kalendari ka përcaktuar në javën e 25-të, unë mendoj se përveç Besëlidhjes që është e rënë nga kategoria, të gjitha skuadrat e tjera do të luftojnë për të marrë pikët maksimale.

Qeveria shqiptare ka deklaruar se do të hapë bastet online. Do të ndikojnë këto në financat e futbollit shqiptar?

Duhet parë me kujdes kur bastet të funksionojnë. Nëse do të jetë sikundër edhe përcaktohet në ligj, atëhere bastet do ta ndihmojnë futbollin shqiptar. Kjo besoj se do pak kohë që të japim mendimin e plotë të përfitimit, jo të argëtimit.

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java e 32-të

Të shtunën, datë 6 maj 2023

Egnatia-Bylis              15:00

Kastrioti-Vllaznia                    15:00

Teuta-Tirana                18:00

Partizani-Kukësi                      18:00

Të dielën, datë 7 maj 2023

Laçi-Erzeni                              15:00

Renditja

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Tirana                       31        56

2.Partizani                   31        54

3.Egnatia                     31        43

4.Vllaznia                    31        42

5.Laçi                          31        43

6.Teuta                        31        38

7.Erzeni                       31        38

8.Kukësi                      31        36

9.Bylis             31        33

10.Kastrioti                 31        28

 

Kategoria e Parë

Ndeshjet-Java e 25-të

Të dielën, datë 7 maj 2023

Apolonia-Luzi             16:00

Oriku-Lushnja             16:00

Skënderbeu-Besa        16:00

Burreli-Turbina            16:00

Tomori-Korabi            16:00

Besëlidhja-Flamurtari  16:00

Dinamo-Tërbuni (Afr.)           3-0

Renditja

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Skënderbeu  24        48

2.Dinamo                    24        44

3.Flamurtari                 24        40

4.Tomori                      24        37

5.Korabi                      24        36

6.Apolonia                  24        35

7.Luzi 2008                 24        35

8.Besa             24        31

9.Lushnja                    24        31

10.Burreli                    24        28

11.Turbina                   24        26

12.Tërbuni                   24        24

13.Oriku                      24        24

14.Besëlidhja  24        17

Shënim: Tërbuni është përjashtuar nga gara me vendim të Komisionit të Displinës në FSHF

 

Kategoria e Parë

Bubeqi: Fitorja me Turbinën na siguron mbijetesën  

Kampionati i Kategorisë së Parë do të luajë 180 minutat e fundit të këtij sezoni, vetëm Skënderbeu me Dinamon i luajnë të qeta dhe me synime të arritura. Ndërkohë, situata në tabelën e renditjes për skuadrat e fundit duket ende me dritëhije dhe këtë e pohon edhe trajneri i Burrelit, Dorjan Bubeqi. Në bisedë me gazetën “Telegraf” kavajasi i quan këto dy ndeshje si finale, për të marrë më të mundshmen, play-out-in. “Skuadra e Burrelit sot ndodhet në situata të vështira në renditje. Këtë javë luajmë me kundërshtarin direkt për mbijetesë, Turbinën. Ne jemi dy pikë para tyre në renditje dhe fitorja jonë na çon në ndeshjen play-off me skuadrën e Kategorisë së Dytë. Mbështetja e madhe e Bashkisë dhe e tifozërisë do na motivojë më shumë për fitoren tonë. Nuk do zhgënjejmë”. Këtë fundjavë Kategoria e Parë i luan të gjitha ndeshjet e javës së 25-të, pas të cilave priten shumë lëvizje në renditje.

 

Parashikimet e Stojkut

Verdiktet

Sezoni 2022-2023

Skuadra kampione

TIRANA                     51%

PARTIZANI  49%

Do luajnë në Europë

VLLAZNIA               50%

LAÇI               50%

Rrezikojnë Play-off

TEUTA                       5%

ERZENI                     45%

KUKËSI                     50%

Zbresin nga kategoria

BYLIS            100%

KASTRIOTI   100%

Deklarata

Sot në Vlorë, Presidenti i Flamurtarit do bojkotojë dëgjesën

Presidenti Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka zgjedhur formën e re të protestës. Edhe këtë herë nuk e ka ndryshuar “shënjestrën”, Presidentin e FSHF-së. Në deklaratën e djeshme ai ka deklaruar mes të tjerave, se: “…Pas çdo vendimi që merret në futbollin tonë, fshihet presidenti i FSHF-së dhe drejtuesit e tjerë të lartë të këtij institucioni. Unë mendoj se kjo ndeshje me Dinamon ishte e trukuar në disfavor të Flamurtarit. Ishte e komanduar nga lart dhe gjyqtari është i urdhëruar nga dy-tri personazhe, që caktojnë arbitrat. I kam akuzuar këta dhe po pres mbarimin e kampionatit…” Sot në Vlorë organizohet një dëgjesë për stadiumin e ri të Flamurtarit, e duke qenë se aty do të jetë edhe Presidenti Armand Duka, ata do e refuzojnë teatrin absurd të FSHF-së!

E veçantë / Ndryshe nga ritmika e zakonshme e fundjavës me sport dhe art, sot në Shqipëri zbret një “UFO”.

E shtuna sportive “pushtohet” nga tifozët e BigBrother!

Nga Agron Kaja

 

Sot është ditë e shtunë, por nuk është nga ato të shtunat e zakonshme ku mbizotërojnë sportet me kryefjalë futbollin, si dhe artet. Sepse sot të gjithë shqiptarët, pse jo edhe më gjerë, do të jenë me sy e veshë tek një spektakël që këtë sezon ka mbërthyer një audiencë të madhe. Fjala është për Big Brother Vip Albania2, që në këtë edicion është duke u rrotulluar rreth një emri që quhet Luiz Ejlli. Dhe kur bëhet fjalë për shkodranë, ne të sportit mendja na shkon menjëherë te historia sportive e Vllaznisë së Shkodrës, dhe jo vetëm në futboll. Sepse na duket sikur protagonisti LUIZ po e përfaqëson Shkodrën e tij sikundër edhe Boriçi, Rragami, Zmijani, e qindra emra të tjerë të futbollit shkodran. Për të mos përmendur më tej se, ai po përfaqëson edhe ata artistë shkodranë që me humorin e tyre na kanë bërë me “dek” nga të qeshurat. Zef Deda, Tano Banushi, Paulin Preka me Gëzim Kruja duket se kanë lenë shenjën e tyre edhe tek Luizi, favoriti kryesor i fitimit të këtij spektakli që sonte në mbrëmje do të kurorëzojë edhe martesën zyrtare të tij me lushnjaren Kiara Tito.

Nga e gjithë kjo atmosferë e kësaj dite të veçantë që pritet sot, duket sikur e shtuna sportive do të “pushtohet” nga BigBrother! Ndoshta në stadiume e pallate sporti do të kemi vetëm përshpejtim të orareve të ndeshjeve individuale e kolektive. Dhe nuk do të kemi në stadiume, fusha sportive e pallate sporti tifozerinë që çdo sport e ka të domosdoshëm. Po ku mund ta kemi mësuar ne se duhet të ndodhë kështu?! Është diçka e kuptueshme në këto pesë muaj, sepse ky spektakël (Big Brother Vip Albania 2) ka pushtuar audiencën e rrjetet sociale, aq sa Luiz e Kiara po vendosen emra të fëmijve që po lindin në këtë periudhë. Po ngrihen dronë për këta të dy, si dikur në ndeshjen Serbi-Shqipëri! Virus që edhe tifozët i ka hallakatur, sepse ata i kanë “braktisur” shkallët e stadiumeve, për të cilët futbolli ka shumë nevojë dhe sot do jenë të instaluar vetëm në ekranin gjigant Top-Channel.

Nuk e di nëse do gaboj, por as në sistemin e kaluar në Shqipëri nuk janë festuar kaq gjatë dhe me një pjesëmarrje të madhe njerëz të moshave të ndryshme as edhe festat e çlirimit, festivalet në Radio Televizion apo ndeshjet e Kombëtares. Nuk kishte ndodhur, veç kohës së pandemisë, që 30 minuta para fillimit të spektaklit të Big Brother, njerëzit të “strukeshin” në familje apo në lokale pranë televiziorit. Kështu, ndryshe nga ritmika e zakonshme e fundjavës, sot në Shqipëri zbret një “UFO” që duhet ta shohim me patjetër. Pas këtij spektakli sporti do të marrë pak frymë, edhe pse jemi në fundin e sezonit.

Nuk kishte ndodhur ndonjëherë në Shqipëri kështu, që ta kishim një të shtunë të tillë kaq të nxehtë, që një spektakël të kishte biletën 500 euro, ndërsa një ndeshje futbolli e ka çmimin e biletës 5 euro e Kombëtarja 50 euro.”

 

1 RAST

“Bojkotimi” i stadiumeve dhe i pallatave të sportit në oraret kur transmetohet Live Big Brother Albania 2

2 AKTIVITETET

Në atmosferën sportive shqiptare është e veçantë se, nga ora 20:00 e pas nuk do të ketë aktivitete sportive

 

Projekti i Durrësit, Duka thirrje për të tjerë

Këto ditë të para të muajit maj, nga ana e qeverisë shqiptare janë prezantuar disa projekte të reja për tre stadium: Në Korçë, Durrës e Vlorë. Në dëgjesën për stadiumin e Durrësit morri pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili këto i quajti si nxitje për zhvillimin e futbollit në vendin tonë. Ai bëri edhe një herë thirrje për të mbështetur nismën e FSHF-së për ndërtimin e fushave të reja stërvitore që sipas tij, të gjitha investimet e bëra në stadiume janë fryt i bashkëpunimit të shkëlqyer dhe i bashkimit të forcave mes FSHF-së dhe Qeverisë shqiptare. Me investimet e reja, Shqipëria do të bëhet vendi me infrastrukturën më të mirë sportive në rajon.

Napoli kthehet në arenë dhune, ka të plagosur

Ditën e enjte në mbrëmje,  skuadra e Napolit u shpall matematikisht kampione e Serie A të Italisë. Barazimi 1-1 me me Udinezen u kthye në një festim të shfrenuar në qytetin e Napolit, ku qindra mijra persona dolën në rrugë për të festuar. Pas ndeshjes, ndërkohë që festohej, një burrë përplasi katër persona me automjetin e tij, ku një vajzë 20 vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, pasi ka pësuar një dëmtim në kokë dhe ka kaluar në hemorragji cerebrale. Vetëm dje karabinieria e Napolit bëri një bilanc, ku ishin edhe tre tifozë të plagosur si dhe një person i arrestuar.