Intervista/ Elvin Beqiri: Me Linfildin e vështirë, jo e pamundur për fitore

159

Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi i Kombëtares dhe Vllaznisë, Elvin Beqiri, apel për kuqeblutë

Sigal

Agron Kaja

“Vllaznia ka pamje tjetër nga sezoni i kaluar, ka staf të ri dhe lojtarë cilësorë. Këto besoj se janë arsye për të besuar në kualifikim. Shpresoj që koha e shkurtër përgatitore të mos ndikojë në shpalosjen e ideve për mënyrën e të luajturit.”

Largimi nga futbolli i luajtur, ju largoi edhe nga Shqipëria?

Pasi lashë futbollin si lojtar, unë pata një eksperiencë të mirë edhe si trajner. Vendimi që u largova në Kanada, erdhi për arsye që nuk lidhen me futbollin. Por edhe këtu nuk jam shkëputur nga futbolli, pasi punoj si drejtor teknik në një nga akademitë më të mëdha në Toronto.

Rreth nëntë vite larg fushave, sa e ndjeni se ju mungon futbolli?

Sigurisht që më mungon shumë futbolli i të luajturit në nivel profesionist, por edhe tani në këtë pozicion, më mban përsëri të lidhur me lojën e futbollit. Dhe padyshim që kështu ka më shumë përgjegjësi.

Disa përvoja në bankinë, kjo ishte eksperienca juaj post lojtar?

Punova shtatë vite në fushën e trajningut ku e nisa nga moshat U19 te Vllaznia, dhe me U17 vjeç të Kombëtares shqiptare. Si zëvendëstrajner te Vllaznia ishte eksperiencë e bukur, e po kështu trajner te Tërbuni ku luajtëm edhe Play-off për Superiore.

Sa e ndiqni ritmikën e futbollit shqiptar dhe Kombëtaren?

Edhe pse jam shumë larg dhe oraret ditore janë të ndryshme Kanada-Shqipëri, unë gjej mundësitë që ta ndjek futbollin shqiptar. Ndoshta jo në detaje, por kryesisht ndeshjet e Superiores dhe të Kombëtares. Dhe do të vazhdoj t’i ndjek.

Kush ju mungon më shumë, Vllaznia apo Kombëtarja?

Natyrisht që të dyja shkojnë paralel, sepse unë lojtar i Kombëtares u bëra kur luaja me Vllazninë. Ky ekip më ka ndihmuar shumë, e në të njëjtën kohë edhe Kombëtarja. Kështu që të dyja mbeten krenaria e karrierës sime si futbollist.

Kombëtarja fitoi dy ndeshje në grup për Euro 2024, si e shikoni vazhdimësinë?

Më erdhi mirë që Kombëtarja i fitoi dy ndeshjet e fundit. Kjo e rrit entuziazmin në skuadër, si dhe besimin që ky ekip mund të përsëritë edhe një herë suksesin e shtatë viteve më parë. Me atë që shoh, janë në rrugë të mbarë.

Vllaznia do të luajë në Konferencë Ligë ndaj Linfild të Irlandës së Veriut, si e mendon këtë sfidë?

Që me ardhjen e Presidentit Xhaferri, Vllaznia i është rikthyer normalitetit sa i  përket pjesëmarrjes në kupat e Europës. Mendoj se ndeshja kundër Linfildit është e  vështirë, por jo e pamundur për ta fituar dhe Vllaznia të kualifikohet.

Dukeni shumë besimplotë, ku mbështeteni në këtë mendim tuajin?

Aktualisht, Vllaznia ka pamje tjetër nga sezoni i kaluar, ka staf të ri dhe lojtarë cilësorë. Këto besoj se janë arsye për të besuar në kualifikim. Shpresoj që koha e shkurtër përgatitore të mos ndikojë në shpalosjen e ideve për mënyrën e të luajturit.

Si e parashikoni ecurinë e skuadrave shqiptare në turet e para në Europë?

Të katër ekipet janë duke u përgatitur intesivisht për ndeshjet e tyre në Europë. Tirana ka bërë merkato më cilësore e besoj se turet e para do t’i kalojë. Dëshiroj që njerën nga këto katër skuadra ta shoh në grupet e Konferencë Ligë.

VLLAZNIA NË KONFERENCË LIGË

Turi parë eliminator

Ndeshja e parë

Linfild (Nir)-Vllaznia    20:45

Arbitra: Ivo Torres,

Joaquim Da Silva, Tom Hansen,

Gilles Becker (Luksemburg)

Ndeshja e kthimit            

Datë 20 korrik 2023

Vllaznia në Merkaton e Verës

Largime: Ante Aralica, Liridon Latifi, Kaina Nunjesh, Kristjan Vulaj, Elvedin Heriç, Dajan Shehi, Ardit Hoxhaj, Darko Bulatoviç, Arsid Kruja, Fjoart Jonuzi, Erdenis Gurishta, Herald Marku, Bojan Zogoviç (13)

Afrime: Ildi Gruda, Eslit Sala, Darko Dodev, Redon Dragoshi, Konstantin Sheshmedzhiev, Millosh Stojanoviç, Jurgen Mehidri, Bujar Hajdari (8)

Skuadra Kosovare

Liga e kampioneve

Ballkani “kolaudohet” me Partizanin e Tiranën

Skuadra kosovare e Ballkanit, që drejtohet nga trajneri Ilir Daja, në fillim javën tjetër do të luajë në Ligën e Kampioneve, ku përballë do të ketë skuadrën bullgare Ludogorets. Ndeshja e parë do të luhet në datën 11 korrik, ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Para kësaj sfide europiani, Ballkani ka zhvilluar dy miqësore me skuadrat e Superiores shqiptare, Tiranën e Partizanin. Të dyja këto skuadra janë drejtuar më parë nga tekniku Daja, dhe fitoret e skuadrës kosovare bëhen më interesante, pasi ato janë skuadra që do të luajnë në Europë. Në mediat sportive në Kosovë, këto dy fitore janë quajtur si “kolaudim” për Ballkanin para ndeshjes me Ludogorets.

Limaj largohet nga Rumania për Kosovën

Mesfushori Vesel Lilam i ka dhënë fund eksperiencës së tij me skuadrën e Hermanshtad, pjesë e Ligës 1 në kampionatin elitar të Rumanisë. Ish-mesfushori kampion i Tiranës është gati për aventurën e re, pasi ai do të jetë pjesë e skuadrës së Ballkanit në Kosovë. Palët kanë arritur akordin dhe pritet vetëm zyrtarizimi i tij. Për kartonin e Limajt, Ballkani ka paguar 30 mijë euro. Limaj e njeh futbollin e rajonit, pasi ka luajtur në Superiore shqiptare ku me Tiranën ka fituar titullin kampion.