INTERVISTA/ Bejkush Birçe: U zhvillua një Kampionat me rivalitet, por gjatë garës i humbi disa cilësi

619
Sigal

Nga Agron KAJA

Për Kategorinë Superiore dhe për kategoritë e tjera të futbollit shqiptar, flet për “Telegraf” ish-trajneri i Kombëtares

Në tërësinë e tij, çfarë tregoi sezoni futbollistik 2017-2018?

Problemet në një kampionat futbolli, janë ato që dalin jashtë kornizave të tij, si lëvizjet e pakontrolluara apo gjykimet e dobëta. Por në këtë sezon, kishte edhe konkurrencë mes skuadrave në zonën e Evropës, por edhe te ato që kërkonin mbijetesën në Superiore.

Cilat ishin dukuritë më evidente të këtij sezoni në Kategorinë Superiore?

Tek ne ka lëvizur futbolli, ka ecur shumë përpara duke shënuar zhvillime të reja. Por edhe në aspektin teknik, duket se sot ka marrëdhënie të mira me topin, luhet më shpejt dhe tendenca për një futboll më atletik ka hyrë në disa skuadra të Superiores. Këtë e tregoi Skënderbeu me ndeshjet në Evropë.

Po në aspektin negativ, çfarë dukuri do të veçonit për sezonin që u mbyll?

Një nga të parat që na intereson, është se na duhen më shumë lojtarë shqiptarë, dhe më pak lojtarë të huaj. Jo për të nënvleftësuar ata, por se të huajt që vijnë këtu nuk kanë çelësin e suksesit në skuadra. Ka shumë futbollistë shqiptarë që po lenë gjurmë, por nuk ndihmohen nga ata më cilësorë.

Për Kampionatin që u mbyll, pati një çështje “Skënderbeu”, cili është komenti juaj për këtë situatë?

Komentet tashmë janë të përqendruar tek data 19 qershor, kur do të jepet vendimi nga Apeli i KAS të Lozanës. Do të isha i pakënaqur që Skënderbeun ta shihja jashtë Evropës, sepse e ka treguar se është një ekip model. Por, problemet i ka me UEFA-n, dhe ne duhet të presim.

Çfarë impakti do të japë fakti që, në këtë sezon Vllaznia zbriti në Kategorinë e Parë?

Natyrisht që ka keqardhje për këtë rast, por ky ka qenë menaxhimi i kësaj skuadre në të gjithë treguesit. Kishte disa vite që skuadra shkodrane luhatej mes zonës së mbijetesës, dhe kjo rënie është fatkeqësi për futbollin shkodran. Vllaznia nuk ishte skuadër për të zbritur nga kategoria, detajet duhet të shikohen aty në Shkodër.

Pse klubet e futbollit në Shqipëri janë ende pronë publike, jo sikundër janë në Evropë e në Botë?

Mendoj se kjo është situata aktuale e shtetit tonë, por për mua rëndësi ka që të ketë një menaxhim më të mirë nga ana e drejtuesve në klube. Duhet parë kryesisht aktiviteti financiar i tyre, i cili duhet të jetë i pastër, që të kemi mandej një garë me standarde sikundër në Evropë e Botë.

Veç privatizimit të tij, ju çfarë mendoni se duhet të ndryshojë në vazhdimësi futbolli shqiptar?

Duhet të ketë stabilitet të menaxhimin dhe ecurinë e garës në të gjitha skuadrat, dhe jo vetëm në Superiore, por edhe në kategoritë e tjera më të ulëta. Nuk zgjidhet futbolli me kryetarët e bashkive. Në Shqipëri, futbolli është shumë i prekshëm nga qytetarët, ndaj ndryshimet vijnë edhe në këtë logjikë.

Dhe ju mendoni më mirë një Superiore me më shumë se 10 skuadra në përbërje?

Në këndvështrimin tim si specialist futbolli, unë jam kundër shtimit të skuadrave në Kategorinë Superiore. Edhe me 10 skuadra unë mendoj se janë shumë, por është numër normal, sepse me 14 skuadra, cilësia humbet para masivitetit. Do të kishim një braktisje të tifozerisë, sidomos pas mesit të garës.