Vllaznia përfundoi në ferrin e merituar

535
Sigal

Prelë MILANI

Publicist, Poet dhe studiues

KËNDVËSHTRIM/ Pas rënies së Vllaznisë nga Superiorja, Bashkisë së Voltanës i mbeti dopjo gjashta në dorë

Më mirë një fund i tmerrshëm se një tmerr pa fund!

“Liburnia” jonë e zemrës prej vitesh kishte marrë një udhë pa kthim, prandaj përfundimi i saj në Ferr nuk është rrufe në qiell të hapur, as tragjedi aksidentale, por një fundosje graduale në sy të gjithëve.
Të këndosh për historinë motit të shkuar e të udhëtosh pa busull, me stilin e vjetër socialist në detin e llahtarshëm të futbollit borgjez, është aventurë Donkishoteske.
Tashmë, kopeja që gabimisht mban në qafë këmborën e “Vllaznisë”, shkoi të kullosë në ograjën që meriton.
Nuk ka vend më as për vajtime qyqane, as për rrufe shpaguese.
Kushdo që do futbollin shkodran dhe i thërret logjikës se kthjellët, me plot gojën ka të drejtë vikasë.
Kujt i duhej një Vllazni zvarranike pa gjak me brekë nëpër këmbë, një rriqën llupëse në shpinën e kockë e lëkurë të taksapaguesve të qytetit tonë?
Kujt i duhej një Vllazni zhelamane si qerre pa buaj në mëshirë të klluçit?
Kujt i duhej një “Vllazni” e gjithkujt dhe askujt, e drejtuar nga një stan batakçinjsh?
-Bashkisë së Voltanës i mbeti dopio gjashta në dorë, ndonëse thuhet gjithë andej se ka qenë një nga ekipet me të mirëpaguara të kategorisë sonë elitare.
Mëkati më i madh i Bashkisë është se, asnjëherë nuk duhet ta marrte Vllazninë si lopë Kryegjeje.
“E grazhdisi bujarisht me tagji dhe koncentrate”, dhe nuk mori asgjë prej saj, veç bajgat.
Ku shkuan paratë, kujtohemi të pyesim tani pas 7 vitesh si majmuni me habi ç’u bë sheqeri që u shkri në gotën e ujit?
Futbolli është biznes, dhe biznesit duhet t’i përkasë. Dështimi futbollit tashmë në djep thyer në Shkodër, është vepër e ligë e biznesmenëve bark të mëdhenj e zemër vegjël të Shkodër Loces. Po qe shkodran i bën të gjitha!
Sot, pas këtij klishi mburravec, nuk mund bilbilojë askush, përderisa Vllaznia e futbollit përfundoi në greminë, dhe kërrkush nuk e zgjati dorën për ta shpëtuar.
Ju shkodranë koprrac të botës së biznesit, si e latë të shembet e të bjerë në baltë bazilikën e vjetër, pa të cilën ky qytet do thirrej e do thirret Shkodra e shkkjeptë (e çalë).
Zotni të vjetër e borgjez të rinj, haram u qoftë si nuk e morët për dore të loçkën, por e latë mes katër rrugëve si vejushë të mjerë e pa përkrahje.
Vllazninë Zonjë në demokraci, e bënë tervesë mëdhenjtë Myftar Çela e Valter Fushaj, të cilët më “çuditërisht”, as njeri nuk ishin shkodranë të vjetër. Madje fatkeqësisht, dhe vetëm për këtë fakt, pati jo pak xhelozi të shoqëruara edhe me gurë nën rrota.
Nga vdekja e njërit dhe te divorci i tjetrit përfundimisht, Shkodra mbeti jetime pa as një trofe, por çfarë është dhe më dramatike, edhe “Vllazni”.
Mjerisht, futbolli ka degjeneruar në bixhoz, në të cilin fut duart deri në bërryla edhe politika, duke na servirur shfaqje teatrale banale, siç qenë “serumet” e Kukësit, Korçës, Laçit, por edhe në krahun tjetër, të Partizanit, Flamurtarit, etj. Vlllaznia ra që në ndeshjen me Kamzën, duke falimentuar në shtëpinë më saj, më të mirën e më komoden që ka ky vend i çuditshëm me emrin Shqipëri.
Duke revokuar madhështinë e dikurshme të “Romës së vjetër” (Vllaznisë), e din një zot se çfarë u luajt në prapaskenë, por vetëm futboll jo, sidomos në këto tre javët e fundit.
Vllaznia shkoi drejt vdekjes në mënyrën më të shëmtuar, pa pikë dinjiteti e qurravitur, brekëlagur, duke qarë me lot e duke i puthur këmbët e kampionëve, nënkampionëve e laçianëve, që u treguan bujarë e më shkodranë se vetë kuqebluhtë me veten e tyre.
E keqja ndodhi, por ajo mund të thellohet, nëse nuk merren masa konkret urgjente, dhe nuk nxirren mësime.
Po nuk u privatizua Klubi, ka rrezik që “Vllaznia” të endet në inferiore si çifuti në shkretëtirë, duke mos gjetur dot rrugën e rikthimit në mesin e elitës sportive ku duhet të jetë.
Çdo keqe e ka një të mirë. Rrëzimi në 2018-n i Vllaznisë, është një njollë e zezë, e dyta për nga madhësia në historinë e lavdishme të këtij ekipi lavdiplotë, ajo që u bë nuk zhbëhet më.
Vllaznia duhet ringritur drejt majave urgjentisht, prandaj, më mirë një fund i tmerrshëm, se një ferr pa fund.

Kujt i duhej një “Vllazni” e gjithkujt dhe askujt, e drejtuar nga një stan batakçinjsh? -Bashkisë së Voltanës i mbeti dopio gjashta në dorë, ndonëse thuhet gjithandej se ka qenë një nga ekipet me të mirë paguar të kategorisë sonë elitare

Në Nigeri e quajnë “Heroi”, në Egjipt kërkojnë ta kryqëzojnë Ramosin

Tashmë, episodi më i komentuar nga mediat botërore mbetet ndërhyrja që Ramosi i bëri Salah, duke e nxjerrë të dëmtuar nga fusha e lojës. Nga ky dëmtim, egjiptiani i Liverpulit, Mohamed Salah rrezikon seriozisht Botërorin, dhe për këtë arsye, në Egjipt janë gati të “kryqëzojnë” kapitenin e Realit të Madridit. Por, figura e Ramosit në Nigeri është duke u vlerësuar në maksimum, dhe kjo për shkak të festimit të trofeut të Ligës së Kampioneve nga ana e futbollistit spanjoll, me flamurin e Nigerisë. Të shumtë ishin komentet pozitive nga njerëzit që nisën ta simpatizonin Serxhio Ramosin në këtë vend, duke thënë se ky i fundit ishte më patriot, edhe se shumë futbollistë nigerianë.

Shfaqet EA Sports, parashikon fituesin e Botërorit “Rusi 2018”

Kompania EA Sports ka hedhur dje online përditësimin e lojës “FIFA 2018”, duke i shtuar edhe mundësinë për të luajtur Botërorin “Rusi 2018”. Veç kësaj, kompania ka bërë simulime kompjuterike për të parashikuar se kush do të shpallet fituese e aktivitetit. Pasi gjeti me saktësi në vitin 2014 Gjermaninë, si fituese të Kupës, këtë radhë parashikon që gjermanët të shkojnë përsëri në finale, por atje të munden nga Franca. Sipas kompanisë, dy golashënuesit më të mirë të turneut do të jenë Grizman dhe Isko, me nga 5 gola; portieri më i mirë do të jetë De Gea; ndërsa i riu më i mirë do të jetë Gabriel Hezus; lojtari më i mirë i turneut do të shpallet Antuan Grizman.