Ilir Shulku: “Lojtarët kosovarë të Kombëtares nuk do të largohen”

516
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së: “Kampionati ka rivalitet. Faza e dytë, shumë e fortë”

Ilir Shulku, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, e vlerësoi kampionatin e Kategorisë Superiore me shumë rivalitet dhe me shumë garë brenda tij. “Ky sezon ka treguar se nuk ka dallime të mëdha midis skuadrave, ndërkohë që çmoj se kemi parë jo pak ndeshje me nivel të lartë”, – tha Shulku gjatë një interviste për gazetën “Telegraf”. Shulku foli edhe për çështjen e lojtarëve kosovarë të Kombëtares sonë, tani që FIFA i ka hapur dritën jeshile Kosovës për të zhvilluar ndeshje miqësore. “Gjithsesi, çdo gjë do të varet nga qëndrimi dhe dëshira e secilit. Si lojtarët do ta shihnin më të arsyeshme për ta. Gjithsesi, çdo zgjedhje do të ishte në shërbim të dy ekipeve”, – theksoi ai. Ilir Shulku ka qenë një mbrojtës i dalluar i Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare (40 ndeshje, 1 gol), duke fituar titullin kampion në sezonin 1992-1993 si dhe Kupën e Shqipërisë, po atë edicion.

 – Zoti Shulku, pjesa e parë e sezonit të Kategorisë Superiore ofroi një panoramë rivaliteti midis 12 skuadrave. Cili është vlerësimi juaj?

– Sigurisht, kemi parë një kampionat me shumë rivalitet dhe me shumë garë brenda tij. Ky sezon ka treguar se nuk ka dallime të mëdha midis skuadrave, ndërkohë që çmoj se kemi parë jo pak ndeshje me nivel të lartë. Natyrisht që, nga pozicioni im si Sekretar i Federatës, nuk dëshiroj të bëj dallime midis tyre, por ekipet që renditen në krye, janë aty me meritë. Është një kampionat më i mirë, edhe përsa i përket organizimit.

– Në fillim të muajit shkurt do të nisë pjesa e dytë edicionit. Si e parashikoni atë?

– Jam i bindur se, do të jetë një fazë e dytë edhe më impenjative, më luftë më të fortë sportive, pasi në përfundimi të sezonit, jo vetëm që do të përcaktohen kampioni i ri i vendit dhe fituesja e re e Kupës së Shqipërisë, por dhe katër skuadrat që do të bien direkt në Kategorinë e Parë.

– Ekipet janë duke zhvilluara merkaton për të riparuar të metat e konstatuara, ku sipas tyre kanë arritur disa marrëveshje me lojtarë vendas dhe të huaj…

– Periudha e merkatos është në përfundim të saj, afati skadon më 31 janar, por në fakt, zyrtarisht ne si FSHF nuk kemi ndonjë gjë konkrete, pasi edhe vetë skuadrat do t’i bëjnë regjistrimet e lojtarëve të rinj me të cilat ata kanë nënshkruar në afatin ligjor të parashikuar nga rregullorja e aktivitetit.

– Zoti Shulku, po vihet re një tendencë e re ekipeve tona, që tani për fazën përgatitore nuk zgjedhin më destinacionet tradicionale si Turqia apo Mali i Zi, por dhe Portugalinë e Spanjën. Sipas jush, çfarë impakti mund të ketë?

– Ekipet shqiptare prej shumë vitesh i kryejnë fazat përgatitore jashtë shtetit, dikush në Turqi, Mali i Zi, Austri, Bullgari, Maqedoni apo dhe në Portugali. Destinacioni më i ri është Spanja. Kuptohet, në vendet që ata zgjedhin ka kushte më të mira infrastrukturore, por edhe ekipet e huaja, gjermane apo franceze zgjedhin destinacione jashtë vendeve të tyre.

– Shumë ndeshje miqësore ndërkombëtare me skuadra gjermane, ukrainase e të vendeve të tjera. Sa ndikojnë ato në përgatitjet e skuadrave tona?

– Sigurisht që, kur stërvitesh jashtë të jepet mundësia të zhvillosh edhe ndeshje miqësore ndërkombëtare me ekipe më të mira. Kështu, Partizani ka luajtur me gjermanët e Karlsruhes apo Skënderbeu me zviceranët e Jang Bojsit; Teuta me turqit e Genshlerbirbilixhi apo Kukësi me Çernomoretsin, sikundër Laçi me gjermanët e Frajburgut apo Flamurtari me një ekip nga Tanzania.

Këto ndeshje u shërbejnë ekipeve tona si nga ana cilësore, ashtu edhe nga përvoja që vetë lojtarët fitojnë.

– Para pak ditësh, FIFA dha dritën jeshile për Kosovën për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare…

– Është një gjë shumë pozitive, pavarësisht se ne si Federatë shpresonim të ishte më shumë, pa kufizime dhe me të gjitha atributet që ka çdo federatë tjetër. Ne kemi lobuar fort në favor të Kosovës, kemi qenë ndër iniciatorët e parë.

– Është folur shumë për lojtarët kosovarë që militojnë në Kombëtaren shqiptare apo për talentet e tjerë që luajnë në Europë. Sa e rrezikuar është Shqipëria?

– Nuk dua ta shikoj në këtë këndvështrim. Gjithsesi, çdo gjë do të varet nga qëndrimi dhe dëshira e secilit. Si lojtarët do ta shihnin më të arsyeshme për ta. Gjithsesi, çdo zgjedhje do të ishte në shërbim të dy ekipeve.

– Ekipet kombëtare të moshave, U-17 dhe U-19, kanë në program shumë ndeshje miqësore gjatë muajve të parë të këtij viti…

– Po, është e vërtetë, të gjitha ekipet kombëtare të moshave do të zhvillojnë ndeshje të shumta ndërkombëtare, pasi ato do të marrin pjesë në turne dhe ndeshje zyrtare me skuadrat homologe.

– Po krijohet një traditë e mirë në Shqipëri, me organizimin e zhvillimin dhe ndeshjeve eliminatore të Kampionateve Europiane të moshave. Sa ja rrit prestigjin Shqipërisë?

– Është hera e katërt që ato zhvillohen në Shqipëri, ndërkohë që janë programuar sërish të zhvillohen në vendin tonë ato të Kombëtares U-19. Kjo tregon se, Shqipëria po i plotëson kushtet e kërkuara nga UEFA, që të jemi një vend mikpritës.

KATEGORIA SUPERIORE

Java XVII

1 shkurt 2014

Besa-Laçi

Bylis-Flamurtari

Partizani-Kukësi

Kastrioti-Tirana

Teuta-Lushnja

Skënderbeu-Vllaznia

RENDITJA

1     Skënderbeu         16   +12 33

2     Partizani             16   +3   26

3     Kukësi         16   +1   25

4     Laçi                     16   +3   25

5     Flamurtari           16   +4   24

6     Teuta                  16   +0   24

7     Besa                    16   -3    21

8     Vllaznia       16   +1   21

9     Bylis                   16   +2   21

10   Lushnja        16   -6    18

11   Kastrioti             16   -6    16

12   Tirana          16   -11  12

Partizani, sot kundër kinezëve të Shandongut

 Partizani do të luajë sot miqësoren e pestë në Antalia të Turqisë, atje ku të kuqtë po zhvillojnë fazën përgatitore. Ekipi i radhës është Shandong Luneng. Takimi ndaj kundërshtarëve kinezë do të zhvillohet në orën 14.30. Partizani ka luajtur më parë me Darmshtadin, Neftçin, Karlsruhen dhe Holsten Keilin. Dje, skuadra zhvilloi dy seanca stërvitore pas pushimit njëditor. Përgjatë seancës së mëngjesit skuadra i është nënshtruar ushtrimeve fizike të programuara nga përgatitësi atletik. Ndërkohë seanca e pasdites ka konsistuar më shumë tekniko-taktike. Dje, stërvitje të diferencuar zhvilloi mbrojtësi Murati, si pasojë e disa shqetësimeve muskulare. Përgjatë orëve të para të ditës së sotme me skuadrën do të bashkohet edhe sulmuesi Migen Memelli.

 Teuta humbet miqësoren me Atlans

 Një humbje 2-1 për Teutën e Roberto Sorrentinos në miqësoren e luajtur kundër Atlans, një ekip nga Tanzania. Takimi u zhvillua në Antalia të Turqisë. Golin për durrsakët e shënoi veterani Juljan Ahmataj. Trajneri italian është përqendruar më shumë tek loja sesa tek rezultati, duke provuar pothuajse të gjithë lojtarët që ka në dispozicion,. Përgatitjet vazhdojnë dhe duket sikur Teuta nuk është ende gati dhe trajneri nuk ka ende një ide te qartë se cilët do të qëndrojnë për pjesën e mbetur të sezonit. Roberto Sorrentino pasoi në bankinë Gugash Maganin, me fillimin e fazës së dytë, por skuadra durrsake pësoi një rënie të madhe, nga vendi i dytë në të gjashtin në 16 javët e para të Superligës.

Mustafi: “Shqipëria është në planet e mia”

 Shkodran Mustafi është mbrojtësi më stabël në radhët e skuadrës Serisë A, Sampdorias. Gjatë një intervistë për mediat gjermane ka folur për karrierën e tij. Futbollisti i ri është formuar te Hamburg SV, ndërsa si i ri kaloi te Everton dhe prej atyre para dy vitesh iu bashkua Sampdorias. “Jam duke e jetuar ëndrrën tim. Ajo ishte të luaj për ekipin në njërën prej ekipeve të ligës më të njohur të futbollit në botë”, tha ai. Mustafi ka luajtur 61 ndeshje për ekipet kombëtare të moshave të Gjermanisë, ndërsa është përmendur edhe si opsion të përfshihet në botërorin, Brazili 2014. “Sinqerisht, nuk e kam menduar deri më tani përfshirjen time për botëror. Jam shumë i zënë çdo të diele me ndeshjet. Po ashtu nuk kam pasur kontakt me elektorin, Lëv”.

Shqipëria mbetet një opsion për Shkodranin: “Po e kam menduar dhe e mendoj përfshirjen në kombëtaren shqiptare, momentalisht jam më Gjermaninë U-21 dhe jam i kënaqur, kjo është me rëndësi për mua”