Viron Bezhani*/ Fizkultura, jo thjesht orë mësimi për edukatë sportive

619
Sigal

Sporti në Shqipëri sot vijon të jetë në një fazë tranzicioni, në mes të një tuneli që ndan të kaluarën me të ardhmen. Një sport që duhet të shkundë nga themelet koncepte e ide të gabuara të këtij tranzicioni të gjatë që e ka mbërthyer atë, për të krijuar një të ardhme të kulturës sportive sa më të shëndoshë. Dhe një nga bazat e ndërtimit të një sporti sa më gjithëpërfshirës, është përfshirja e tij në shkolla, ide e miratuar e lançuar nga qeveria e sotme. I lënë në harresë për më shumë se 20 vjet, sporti në shkollë, ose siç njihet ndryshe ora e fizkulturës, bëri që të degradojë në nivele shumë të ulëta edhe cilësia sportive. Më pak fizkulturë, më pak orë mësimi, më pak pjesëmarrje, më pak kampionë, më pak cilësi. Dhe kjo e gjitha në dëm të një shoqërie, që kishte pak modele sportive për të kopjuar e për t’i ngjarë, çka bëri që rinia shqiptare të hedhë sytë nga kampionët përtej kufijve. Mesi e Ronaldo janë vërtet kampionë model, por vërtet Shqipëria nuk është e aftë të prodhojë modelet e kampionët e saj?Duke ndërtuar gjërat shkallë-shkallë dhe duke i parë me kujdes të gjithë elementët që nga baza, mund të ndërtojmë një piramidë me një bazë sa më të shëndoshë e të gjerë. E kjo vjen duke afruar sa më shumë fëmijë, duke u dhënë atyre sa më shumë mundësi të merren me sport, apo me fizkulturë në shkollë. 400 mësueset e rinj të fizkulturës që së fundmi u shtuan në radhët e shkollave shqiptare janë një mundësi e artë për sportin tonë, për të rritur edukatën sportive që në moshat e vogla. Më pak sport, më pak të shëndetshëm e më pak të suksesshëm në arenën ndërkombëtare. Kjo është e thjeshtë. Një zinxhir që funksion sot në mbarë botën është që një masivitet i madh në fushën e sportit do të thotë të jesh më shumë konkurrues, pasi edhe cilësia do të jetë më e madhe. Nga një bazë e gjerë sasiore sigurisht që do të dalë një cilësi më e mirë dhe fituese në gara. Por që kjo të ndodhë duhet që fëmijët të merren më shumë me sport, jo vetëm në shoqata apo klube sportive, por edhe në shkolla, si një instrument i detyrueshëm dhe i rëndësishëm për të pasur edhe një rini më aktive e të shëndetshme.

Mundësinë për t’u marrë me sport, fëmijëve duhet t’ua krijojë shoqëria dhe sistemi arsimor në veçanti, nëpërmjet lëndës së edukimit fizik që në shkollën 9-vjeçare. Sot, aktiviteti fizik dhe sporti duhet të jenë pjesë thelbësore e përditshme e jetesës. Kjo rritje që ne kërkojmë ka shumë gjasa të ndodhë vetëm kur fëmijët e të rinjtë të marrin një mesazh të qartë për funksionin dhe kontributin që ata përfitojnë nga përfshirja në programet e edukimit fizik dhe sportit. Shkolla sot, më ndryshimet që po bëhen në shtimin e orëve të fizkulturës, është mjedisi më i rëndësishëm, që ka si mision krijimin e shprehive, bindjeve dhe vlerave për edukimin fizik. Një lëndë që duhet reformuar që nga emri i tij deri te përmbajtja, që të mos shihet thjesht si një lojë me top për të kaluar kohën, por si një edukim i një brezi me edukatën sportive. Një edukim me ëndrrën për t’u bërë kampionë në të ardhmen, duke punuar me baza shkencore e plane të qarta për të ardhmen. Mosha e shkollës është optimalja për të përfituar nga aktiviteti i rregullt fizik dhe për ta kthyer më pas atë në një kulturë të përditshme. Rritja e orëve të edukimit fizik është e rëndësishme për rininë, e cila do të ketë më shumë dëshirë për t’u afruar me sportin. Kjo do të thotë më shumë masivitet, më shumë kampionë, më shumë modele sportive, më shumë cilësi. Pra, ajo piramidë që nuk ka funksionuar për vite me radhë, tashmë ka shansin e madh të nisë të lëvizë e të krijojë ato modele sportive që ne na kanë munguar.

*President i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar

***

Skënderbeu ekipi shqiptar me renditjen më të lartë në UEFA

 Një lajm i mirë për Skënderbeun para përballjes me Tiranën në Superligë, ku sipas renditjes së përgjithshme të UEFA-s për klubet europiane, korçarët renditen në vendin e 249 dhe kanë një koeficient të lartë prej 5.575 pikësh, koeficient ky që nuk e ka pasur asnjëherë asnjë klub tjetër shqiptar. Kjo llogaritje bëhet në bazë të paraqitjeve të klubeve në turnetë kombëtar dhe ato ndërkombëtar në një fazë kohore prej 5 vitesh, e në këtë rast Skënderbeu dihet se sa ka fituar në këtë periudhë.

  Ndikumana: Tirana shkon në Korçë për të fituar

Një nga golashënuesit më të mirë të Tiranës deh shpesh herë edhe shpëtimi i këtij klubi në minutat e fundit, ka folur mbi mundësinë që ka Tirana për të dalë e fituar nga takimi ndaj korçarëve, ku synimi i tyre kryesor është të mos kthehen pa fitore. Skuadra kryeqytetase u nis dje drejt Pogradecit, për të zhvilluar edhe seancat e fundit stërvitore, duke u bërë kështu gati për takimin me Skënderbeun. sulmuesi nga Burundi, Ndikumana tregon se ekipi i tij është i përgatitur për të dalë vetëm me fitore nga stadiumi: “Jemi të përgatitur për këtë ndeshje dhe gati për të luajtur. Nuk duhet të kapemi tek e shkuara, pasi çdo ndeshje e re është një sfidë e re. Është e vërtetë që kam sjellë tre pikët me golat e mi në fazën e dytë por tani po mendoj për këtë ndeshje dhe po përqendrohemi në këtë sfidë për të bërë më të mirën dhe për të marrë maksimumin”.

Skënderbeu është skuadra për t’u mundur, por çdo skuadër në këtë kampionat është për t’u mundur dhe ata janë një prej tyre”.

Partizani-Flamurtari “transferohet” në Durrës

Skuadrat e kryeqytetit nuk po gjejnë qetësi për të zhvilluar takimet, pasi në mungesë të stadiumit “Qemal Stafa”, e gjitha që kanë arritur është marrëveshja me ekipet e tjera për të marrë lejen e zhvillimit të një takimi në stadiumet e tyre. rasti i fundit dhe më i freskëti i takon përsëri Partizanit, që para dy ditësh u vendos që ndeshja me Flamurtarin të zhvillohej në Fushë Krujë, në stadiumin “Redi Maloku”, por dje klubi kryeqytetas ka konfirmuar se nuk është gjetur dot fryma e përbashkët, për ta dërguar këtë takim në Durrës, në “Niko Dovana”.

 I priten dritat stadiumit të Korçës, rrezikohet ndeshja me Tiranën

Një situatë kaotike ajo e klubit të Skënderbeut, Bashkisë së qytetit Korçë dhe faturave të papaguara të energjisë elektrike, duke e dërguar shifrën deri në 44 milionë lekë të mbifaturuara. Kjo gjendje rrezikon shumë edhe ndeshjen e ditës së nesërme, ku Skënderbeu do të presë në ora 17:00 Tiranën, por pa ndriçimin artificial është pothuaj e pamundur të zhvillohet një ndeshje në orare të tilla. Shifra e debitit fillon që të numërohet vetëm nga viti 2007 e këndej, ku deri në 2012 përgjegjësia ishte e vetë Bashkisë Korçë, ndërkohë që presidenti Takaj duhet të përgjigjet për tre vitet e fundit. Një situatë aspak e mirë kjo për korçarët që ndodhen përballë një nga ndeshjeve më të rëndësishme të këtij sezoni.

Fotolajm/ Përçarje te Vllaznia!? Nuk duket kështu

Dje, gazetat e vendit u hapen me lajmin se filloi përçarja te Vllaznia mes futbollistëve dhe Rainerit, por, po dje një foto që qarkulloi në internet tregoi trajnerin që kishte grumbulluar futbollistët, por jo për stërvitje por për të ngrënë drekë. Siç thonë, “një foto sa një mijë fjalë”, nuk është edhe aq pa vlerë si shprehje