Intervista/ Armand Duka: Ndryshimi i formulës, më shumë garë dhe spektatorë

168

Presidenti i FSHF-së Armand Duka, tregon për “Telegraf” kampionatet dhe transmetimi në TV

Sigal

Ditë më parë, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është shprehur gjatë për ndryshimet dhe rregullimet që do t’i bëhen formulës në kampionatin e Abissnet Superiore, por edhe rregullores së garës në tërësinë e saj për sezonin 2023-2024. Ndërkohë që, në këtë sezon një vend të veçantë merr e drejta televizive, pasi ajo e sezonit të kaluar doli me problem. Këto dhe Kombëtarja shqiptare zunë vend në bisedën që Armand Duka zhvilloi me gazetën “Telegraf”, ndërsa ndryshimet e strukturës pritet që të miratohen në mbledhjen më e afërt të KE-së në FSHF.

Nga Agron KAJA

“Ideja është që, duke pasur parasysh se ndeshjet derbi kanë më shumë interes dhe janë më të shikuara nga publiku, të ofrojmë më shumë ndeshje të nivelit kompetitiv garës së lartë si derbi”

E nisim me futbollin shqiptar. Çfarë risi keni menduar të sillni për sezonin e ri 2023-2024?

Fillimisht unë do të uroja që kampionati i ardhshëm të jetë akoma më i mirë se i kaluari. E kemi nisur një proces diskutimi bashkë me pjesëmarrësit në garë të kampionatit të Abissnet Superiore, për të ndryshuar skemën e kampionatit në këtë sezon, apo në sezonin e ardhshëm.

Dhe konkretisht çfarë ideje përcillni për këtë ndryshim në Superiore?

Ideja është që, duke pasur parasysh se ndeshjet derbi kanë më shumë interes dhe janë më të shikuara nga publiku, të ofrojmë më shumë ndeshje të nivelit kompetitiv garës së lartë si derbi, dhe këtë do ta diskutojmë edhe me klubet. Por do t’i ofrojmë sa më shumë garë dhe kompeticion spektatorëve dhe tifozëve.

Kategoria e Parë do të jetë me 12 skuadra në përbërje, kështu do ketë më shumë rivalitet e cilësi në garë?

Në Kategorinë e Parë marrin pjesë shumë skuadra, të cilat kanë qenë pjesë e elitës, madje kanë dalë edhe kampione. Janë emra të mirë dhe besoj se do të jetë një kampionat i bukur, mbase afërsisht si kampionati i Abissnet Superiore.

Vetëm emrat që marrin pjesë e bëjnë të bukur garën në këtë kategori, apo ka edhe faktorë të tjerë?

Për vetë formulën që ka, Kategoria e Parë është një garë që i lë emocionet deri ditën e fundit për të vendosur se kush ngjitet në Kategorinë Superiore, apo për të rënë më poshtë. FSHF-ja vazhdon përgatitjet për ta përgatitur sa më mirë këtë garë. Transmetimi i ndeshjeve të futbollit shqiptar ndërroi ekran. Pse ndodhi kaq shpejt ndryshimi?

Për mos respektim të kushteve, e kemi ndërprerë kontratën me “broadcaster”-in që kishim për transmetimin e kampionatit shqiptar. Kemi qenë të detyruar për të filluar një proces të ri, process që konsiston në ofrimin në treg të të drejtave televizive të lira, pa asnjë detyrim me partner tjetër.

Dhe këtë do ta gjeni tek televizionet e tjera në Shqipëri?

Do të shohim se çfarë do të ofrojë tregu, çfarë do të ofrojnë televizionet. Të gjitha këto bëhen për të arritur në një pritshmëri financiare që ne kemi, ose në shifrën që ne kemi objektivat, apo kishim vitin e kaluar për klubet. Nëse tregu nuk do të ofrojë këtë, padyshim që e kemi edhe një plan të dytë.

Ndoshta u zgjatëm paksa në këtë tregues, po kjo kërkesë e juaja do t’i rritë financat e klubeve?

Ne duam t’i ofrojmë një mënyrë kualitative shikuesve, por edhe klubeve me financat e pritshme. Kemi ndryshuar prodhuesin teknik të ndeshjeve, për të pasur një produkt sa më të mirë, sa më të kënaqshëm për spektatorët në ekran.

Si President i FSHF-së, pas dy ndeshjeve të fundit, ndjeheni i kënaqur me Kombëtaren?

Natyrisht që po, por kemi bërë vetëm detyrën. Këto ishin dy nga ndeshjet më të rëndësishme të grupit, sepse në këtë grup asnjë ekip nuk është i dobët. Duke i vlerësuar maksimalisht të dy, bëmë paraqitje të mirë dhe morrëm rezultate pozitive.

Kësisoj, duket se do nisni pushimet paksa më të qetësuar?

Asnjëherë puna me futbollin nuk ka qetësi, sepse është një sport që kërkon shumë angazhim. Pushimet do jenë në interval, sepse ritmika e punëve nuk na lejon shkëputje të gjata nga aktualiteti.

Dy Kategoritë

Sezoni 2023-2024

Abisnet Superiore

Skuadrat pjesëmarrëse

Sezoni 2023-2024

1.Partizani

2.Tirana

3.Egnatia

4.Vllaznia

5.Laçi

6.Teuta

7.Kukësi

8.Erzeni

9.Skënderbeu

10.Dinamo

KATEGORIA E PARË

Skuadrat pjesëmarrëse

Sezoni 2023-2024

1.Bylis

2.Kastrioti

3.Flamurtari

4.Tomori

5.Korabi

6.Apolonia

7.Luzi2008

8.Besa

9.Lushnja

10.Burreli

11.Vora

12.AF Elbasani

Skadrat e rajonit në Evropë

Ballkani shkon i sigurtë në transfertë

Skuadrat në Kosovë

Liga e Kampioneve

Turi i parë eliminator

Kthimi/ 19 korrik 2023

Ludogorets-Ballkani   20:00

Liga e Konferencës

Turi i parë eliminator

Kthimi/ Datë 20 korrik 2023

Europa-Dukagjini                 17:00

Gjilani-Progres            20:00

Të treja skuadrat nga Kosova, që marrin pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve dhe në Konferencë Ligë, u treguan më superior nga kundërshtarët e tyre. Jo vetëm nga rezultatet, ku në Ligën e Kampioneve, Ballkani fitoi 2-0 me bullgarët e Ludogorets. Në Konferencë Ligë, Dukagjini fitoi 2-1 me Europa dhe Gjilani barazoi me Progres. Parë nga rezultatet, por edhe nga vlerësimi që ka bërë UEFA, Ballkani duket skuadra kosovare më e favorizuar për kualifikim në turin tjetër. Ndërsa Dukagjini që drejtohet nga Armend Dallku favorizohet nga kompanitë europiane të basteve për fitore, skuadra e Gjilanit mbetet 50 me 50.

Duro dhe Struga 90 minuta në dilemë

Skuadrat kosovare të futbollit, që luajnë në dy kompeticionet e futbollit europian, Ligën e Kampioneve dhe në Konferencë Ligë, arritën dy fitore dhe një barazim, rezultate këto, që u japin siguri për ndeshjet e kthimit. Struga që drejtohet nga Shpëtim Duro pret në fushën e saj  Zhalgris, pas barazimit 0-0 në Lituani, dhe këto 90 minuta mbeten dilema e kualifikimit. Në Konferencë Ligë, fitorja 1-0 e Shkëndijës ndaj Haverforduest i jep shance të plota për kualifikimin. Ndërsa kryeqytetasit shkupjanë duket se kanë një ndeshje shlodhëse ndaj lituanezëve të Hegelman, duke menduar se kanë e fituar thellë 5-0 në transfertë takimin e parë.

Në Maqedoninë e Veriut

Liga e Kampioneve

Turi i parë eliminator

Kthimi/ 18 korrik 2023

Zhalgris-Struga            17:00

Liga e Konferencës

Turi i parë eliminator

FC Shkupi- Hegelman          21:00

Haverforduest-Shkëndija     20:45