Nuk kanë vrojtues, rrezikojnë të mbyllen mbi 5 stacione plazhi

131
Sigal

Më shumë se 5 stacione plazhi rrezikojnë të mbyllen për shkak se nuk kanë vrojtues. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Ledion Lako, në një intervistë paralajmëron se nuk do ketë asnjë tolerim për subjektet që nuk garantojnë sigurinë e pushuesve.

“Kemi mbi 5 raste, të cilat ne po i dërgojmë shkresat se duhet t’i lëmë një afat 15 ditor, në momentin që nuk plotësohet ai kriter automatikisht do i zgjidhet kontrata. Nuk do ketë asnjë tolerim për sa i përket çështjes së vrojtuesve që duhet të jenë në krye të detyrës”.

Inspektorati i Turizmit që nga nisja sezonit turistik veror nga 310 inspektime të kryera përgjatë vijës bregdetare ka vendosur 98 masa administrative për mosrespektim të kritereve që duhet të ketë një stacion plazhi.

“Nga inspektimet që janë kryer mbi 40 masa janë vendosur pikërisht se nuk ka qenë vrojtuesi në pikën e vrojtimit. Kemi vendosur edhe masa me 1 milion lekë, janë mbi 10 subjekte.”

Ndryshe nga sa ndodh me vrojtuesit, sipas Agjencisë Kombëtare të Bregdetit këtë vit ka një ndërgjegjësim të subjekteve për vendosjen e bovave dhe sinjalizimeve në det.

“Këtë vit ka një përmirësim të dukshëm për vendosjen e bovave në gjithë bregdetin e jugut, në Bashkinë Himarë, Sarandë, Vlorë pothuajse 100% e subjekteve i kanë vendosur bovat dhe kanë respektuar elementet e sigurisë.”

Në gjithë vijën bregdetare ka 1 130 stacione plazhi me kontratë, të cilat kanë detyrim garantimin e sigurisë së pushuesve.