Flet për “Telegraf” ish-portieri i Partizanit dhe Kombëtares, Artur Lekbello.
Agron Kaja
“Partizani tregoi se mbetet ende i pakonsoliduar në sulm dhe e tejkaloi dëshirën për fitore, ndërsa e humbi qetësinë para portës kundërshtare. Egnatia luajti më mirë, çka ajo bind më shumë për kualifikim ndeshjen e kthimit.”
Të enjten u mbyllën premierat e para të skuadrave të futbollit shqiptar në Europë, të cilat dhanë rezultate sa interesante, aq edhe të besueshëm. Nisur nga Partizani që barazoi 1-1 me BATE Borisovin ditën e martë, e deri te tre të tjerat: Egnatia-Ararat 1-1, Tirana-Dinamo Batumi 1-1 dhe Vllaznia që i përfundoi këto katër ndeshje të para të enjten me një humbje 1-3 me Linfildin e Irlandës së Veriut. Të katërta këto sfida i analizoi ish-portieri i Kombëtares, Partizanit e Teutës, Artur Lekbello, i cili për gazetën “Telegraf” veçoi më shumë lojën dhe rezultatin e Egnatias. “Në fakt, Europa e ndjeu peshën e futbollit shqiptar tek të katërta këto ndeshje. Nga skuadrat tona, spikati më shumë dëshira e tyre për t’i fituar sfidat e para. Por Egnatia luajti më mirë, çka ajo bind më shumë për kualifikim në ndeshjen e kthimit. Partizani e tejkaloi dëshirën për fitore, por e humbi qetësinë para portës kundërshtare. Edhe Tirana mendoj se ishte e njëjtë në lojën e saj, sikundër edhe Partizani, ndërsa Vllaznia mbeti peng i presingut të kundërshtarit, pasi golat e tij ishin të shpejtë e të befasishëm. Kështu mund të lexohen këtë 90 minuta të para për të katër skuadrat tona që luajtën në Europë”, ishte kjo nisja e bisedës me Lekbellon, i cili mendon se Tirana mund të veçohet se zhvilloi lojën më të mirë nga të katër ndeshjet e luajtura. “Në të tilla ndeshje ku më shumë shikohet goli, humbet bukuria e lojës. Por, tek Tirana edhe UEFA ka dhënë vlerësim pozitiv, pasi loja e saj ishte në ritmikën e zhvillimit të ndeshjes, e po kështu edhe te Egnatia. Ndërsa Partizani tregoi se mbetet ende i pakonsoliduar në sulm, repart ky që duhet ta kishte zgjidhur me fitore këtë ndeshje”. Për Artur Lekbellon, të katërta ndeshjet e dyta janë të hapura për rezultate kualifikuese, por ai ka edhe një gjykim tekniko-profesional për këtë parashikim. “Nëse do flasim për kualifikim, unë Egnatian e mendoj 90% të kualifikuar. Ndërsa për Partizanin dhe Tiranën shanset duken se janë 50 me 50, sepse rezultatet e ndeshjeve të para të çojnë në këtë përcaktim. Vllaznia? Për nga rezultati humbës, mund të duket me pak shanse, por besimi në përmbysje duhet të mbizotërojë në këtë sfidë që është e kalueshme për të. Ka edhe një fakt, se të gjitha ekipet kundërshtare të skuadrave tona në këto ndeshje kualifikuese, si tregues kanë dobësinë në fushat e tyre. Këtë duhet ta shfrytëzojnë mirë skuadrat tona në ndeshjet e kthimit, kryesisht Partizani e Tirana”. Ndërkohë, UEFA ka përcaktuar edhe oraret e zhvillimit të ndeshjeve të kthimit, dhe tek të gjitha janë shmangur orët e motit të nxehtë që ka përfshirë Europën.

Skuadrat shqiptare në Europë
UEFA Champions Ligë
Turi i parë eliminator
Ndeshja e kthimit
Datë 18 korrik 2023
BATE Borisov-Partizani 20:00
Ndeshja e parë 1-1
UEFA Konferencë Ligë
Turi parë eliminator
Ndeshjet e kthimit
Datë 20 korrik 2023
Egnatia-Ararat (Arm) 20:00
Ndeshja e parë 1-1
Dinamo Batumi-Tirana 19:00
Ndeshja e parë 1-1
Vllaznia-Linfild (Nir) 20:45
Ndeshja e parë 1-3

Arbitrat e ndeshjeve
Liga e Kampioneve
BATE Borisov-Partizani 20:00
Kevin Clancy (Skoci)
Konferencë Ligë
Egnatia-Ararat Armenia 20:00
Dragomir Draganov (Bullgari)
Dinamo Batumi-Tirana 19:00
Fabio Mareska (Itali)
Vllaznia-Linfild 20:45
Rauf Jabarov (Azerbaixhan)



















