Intervista/ Andrea Marko: Superiorja në fazë delikate! Hyn matematika në lojë

135

Flet për “Telegraf” Andrea Marko, i quan të vështira ndeshjet e mbetura

Sigal

 

Nga Agron Kaja

“Jemi në fazën më delikate të kampionatit dhe nuk janë përcaktuar ende vendet në renditje. Sepse me një ose dy fitore, çdo skuadër ndryshon gjithçka. Besoj se është një moment, që kërkon përqëndrim maksimal, sepse ka hyrë matematika në lojë”

Pas gjysmëfinaleve të para të Kupës së Shqipërisë, si i shikoni takimet e kthimit?

Ndeshja e parë 3-0 për Tiranën, premisë e mirë për të kaluar në finale por edhe për vazhdimësinë e mirë të saj. Kthimi një formalitet, ndërsa Egnatia-Vllaznia do jetë delikate, shkodranët luajnë mirë në transfertë dhe i rrit shpresat për kualifikim.

Të shtunën luhen ndeshjet e javës së 31-të në Abissnet Superiore, si i komentoni çiftet e kësaj jave?

Tirana ka ndeshje relativisht të lehtë, Erzeni-Partizani ndeshje delikate pasi  rrezikohen shijakasit. Vllaznia-Egnatia ndeshje nervash, por shkodranët duhet të fitojnë. Bylis-Laçi një nga ndeshjet më të vështira të kësaj jave me Bylisin favorit.

Nisur nga renditja aktuale, është përcaktuar ndonjë pozicion përfundimtar?

Jo jo, nuk janë përcaktuar ende. Jemi në fazën më delikate të kampionatit. Sepse me një ose dy fitore, çdo skuadër ndryshon gjithçka. Besoj se është një moment që kërkon përqëndrim maksimal nga çdo skuadër. Ka hyrë matematika në lojë.

Duke qenë se derbi Tirana-Partizani i javës së 33-të u shty për arsye të zgjedhjeve, sa vlen kjo në aspektin e garës?

Ne jemi mësuar me zgjedhjet. Këtu e mpleksin futbollin me zgjedhjet. Futbolli nuk ka nevojë për politikën, ai do më shumë politikë sportive, sepse ai është një aspekt tjetër në raport me politikën. Gjithsesi, ky derbi ka vlerën e vet në çdo kohë që luhet.

Janë edhe pesë javë deri në mbylljen e kampionatit, ku mendoni se do të ndryshojë renditja?

Tirana dhe Partizani do ta diskutojnë titullin, por diferenca prej pesë pikësh është e madhe dhe e favorizon Tiranën. Diskutohet vendi i tretë që të çon në Europë dhe në lojë janë dy-tre skuadra, si Egnatia, Vllaznia e Laçi. Në fund nuk shoh shumë vend për ndryshime.

Po verdiktet e këtij kampionati si i parashikoni?

Besoj se renditja aktuale do të jetë deri në mbylljen e kampionatit dhe verdiktet këto do të jenë. Varet se si do ta menaxhojnë skuadrat ecurinë e tyre deri në mbyllje.

Në Kategorinë e Parë janë përcaktuar dy kryesueset: Skënderbeu e Dinamos, mendoni se e kanë merituar?

Duhet t’i përgëzojmë Skënderbeun dhe Dinamon për rikthimin në Superiore. Është mirë për futbollin shqiptar që sezonin e ardhshëm t’i ketë në garën e fortë të elitës edhe këto dy skuadra. Dinamo mes më të mirëve, të jetë faktor në futbollin shqiptar.

Në këtë kategori luhen dy ndeshjet e fundit, ku mendoni se mund të ketë ndonjë ndryshim në renditje?

Nuk e besoj, sepse ka edhe ndeshje që janë të lehta. Por Flamurtari duhet të koncentrohet më shumë që të arrijë në Play-off. Të gjitha skuadrat në këto 180 minutat e fundit duhet të jenë në gjendje të mbajnë në lojë synimet e tyre të sezonit.

Së shpejti do kemi edhe Bastet online, si do të ndikojnë ato në futbollin shqiptar?

Mendoj se do të ndikojnë shumë mirë. Çuditem pse mbyllin bastet e lejojnë kazinotë? Bastet sportive janë shumë pozitive, sepse futbolli do të ketë të ardhura të mira në interes të cilësisë dhe infrastrukturës. Nuk duhet t’i kufizojmë njerëzit.

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java e 31-të

Të shtunën, datë 29 prill 2023

Bylis-Laçi                                15:00

Erzeni-Partizani                       18:00

Të dielën, datë 30 prill 2023

Kukësi-Teuta               15:00

Tirana-Kastrioti                       15:00

Vllaznia-Egnatia                     18:00

Renditja

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Tirana                       30        56

2.Partizani                   30        51

3.Egnatia                     30        43

4.Vllaznia                    30        42

5.Laçi                          30        40

6.Teuta                        30        38

7.Erzeni                       30        38

8.Kukësi                      30        36

9.Bylis             30        33

10.Kastrioti                 30        28

 

Kategoria e parë

Ndeshjet-Java e 25-të

Të shtunën, datë 6 maj 2023

Apolonia-Luzi             16:00

Dinamo-Tërbuni (Afr.)           3-0

Oriku-Lushnja             16:00

Skënderbeu-Besa                    16:00

Burreli-Turbina                        16:00

Tomori-Korabi                        16:00

Besëlidhja-Flamurtari  16:00

Renditja        

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Skënderbeu  24        48

2.Dinamo                    24        44

3.Flamurtari                 24        40

4.Tomori                      24        37

5.Korabi                      24        36

6.Apolonia                  24        35

7.Luzi 2008                 24        35

8.Besa             24        31

9.Lushnja                    24        31

10.Burreli                    24        28

11.Turbina                   24        26

12.Tërbuni                   24        24

13.Oriku                      24        24

14.Besëlidhja  24        17

Shënim: Tërbuni është përjashtuar nga gara me vendim të Komisionit të Displinës në FSHF

 

Kategoria e parë

Gjondeda: Flamurtari e ka detyrë Superioren

Edhe pse skuadra e Flamurtarit nuk e arriti ngjitjen direkt në Abissnet Superiore, në Vlorë kanë shumë shpresa se në ndeshjet Play-off skuadra e tyre do të tregojë se e meriton ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Në këtë mendim është edhe ish-mesfushori vlonjat Latif Gjondeda, i cili shpreson që skuadra të ngjitet në Superiore. “Ne (Flamurtari) e meritonim ngjitjen direkte në Superiore, por në disa ndeshje fati nuk ishte me skuadrën. Them se që nga drejtuesit, trajnerët dhe vetë futbollistët e bënë detyrën, por tani duhet të shohin Play-off-in”, kështu deklaroi ish-mesfushori vlonjat Latif Gjondeda, i cili kërkon që ta motivojë skuadrën për ta arritur suksesin në ndeshjet e Play-off. “Flamurtari duhet të jetë në Superiore, sidomos këtë vit që festoi edhe 100 vjetorin e tij. Shanset janë në fushën e lojës, pasi do të ndeshet në Play-off me ato skuadra që gaboi javë më parë. Ngjitja është detyrë”.

 

Shanset e fundit të mbijetesës

Java e 25-të dhe java e 26-të në Kategorinë e Parë, për disa skuadra vlejnë sa i gjithë sezoni 2022-2023. Nëse Skënderbeu e Dinamo e siguruan ngjitjen në Abissnet Superiore, Besa, Lushnja, Burreli dhe Turbina janë në ethet e zbritjes nga kategoria. Duke qenë se rregullorja ka përcaktuar që do të zbresin katër skuadra në Kategorinë e Dytë dhe dy të tjera shkojnë në play-out, në këto 180 minuta të këtyre dy javëve, mesi dhe fundi i renditjes do të funksionojnë me “dridhje”.

 

Displina me “dorë” të fortë, gjobit superiorët

Vendimet e Disiplinës

… KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 65/1 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 65/2 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Lojtari i KS Kastrioti, Eneid Kodra, për sulm ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti…

Në mbledhjen e tij të djeshme, Komisioni i Displinës në FSHF ka marrë disa masa ndëshkuese ndaj futbollistëve e drejtuesve, ku veç dënimit me ndeshje nuk është kursyer edhe “portofoli” i skuadrave. Kryesisht në Abissnet Superiore, java që lamë pas nuk ka kaluar pa incidente, ndërsa për sjellje të gabuar të tifozerisë janë dënuar Tirana dhe Vllaznia në klasiken e Shqipërisë që u luajt në stadiumin “Loro Boriçi”. Ndërkohë që Komisioni i Disiplinës ka ndëshkuar ashpër mbrojtësin e Kastriotit, Eneid Kodra, i cili dy javë më parë u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Bylisit. Ndërkohë, është hedhur poshtë edhe kërkesa e futbollistit të Kukësit, Dejan Rexhmati për faljen e dënimit, i cili është dënuar pak javë më parë me 10 ndeshje pezullim.

RIKTHIMI/ Duke qenë në fundin e sezonit sportiv 2022-2023, çfarë do të parashikohet në skedina?

Bastet online, “bast” politik, apo … jo sportiv?

Nga Agron Kaja

 

Ka pak kohë që qeveria shqiptare ka marrë vendimin që të rikthejë bastet sportive në tregun shqiptar, por këtë herë në një formë më të “moderuar”, online. Madje kjo kërkesë u ngrit me forcë edhe në Konferencën Kombëtare “Arritjet dhe sfidat e sportit në Shqipëri”, ku Presidenti i KOKSH-it Fidel Ylli e quajti këtë si një arritje të qeverisë shqiptare. Ndoshta nuk mund ta quajmë arritje këtë, sepse dolëm aty prej nga u larguam po nga kjo qeveri. Sepse ne ishim me baste deri në vitin 2019, të cilat kjo qeveri i mbylli pasi i quajti ato si forma që nuk ndikojnë pozitivisht në ekonominë dhe ecurinë e familjeve shqiptare.

Gjithsesi, duke ju referuar asaj çka është thënë për rifutjen në treg të basteve sportive, sot kur jemi në mbyllje të sezoneve sportive në të gjithë botën, ka shumë pikpyetje. Por, ka edhe përgjigje! Dhe një përgjigje alla-shqiptaçe është se, ky vendim po merret në pragun e zgjedhjeve lokale të 14 Majit. Sepse po të ishte marrë më parë, të paktën disa të ardhura të konsiderueshme duhet të ishin arkëtuar në shërbim të sporteve në vendin tonë. E duke qenë se sezoni po mbyllet, këto të ardhura do të jenë me pikatore në vazhdim, për të pritur sezonet pasardhës në gjithë futbollin botëror. Ndërkohë që një pikpyetje vjen nga eksperienca e kohëve të shkuara, ku skuadra shqiptare janë penalizuar pikërisht për rezultate të manipuluara në bastet sportive. Nëse do të ndodhë që të tilla raste të përsëriten, kush do të fajësohet: Viktima apo …?! Dhe tjetra: Pse mbyllën vetëm bastet sportive dhe mbajtën hapur kazinotë? Sepse edhe këto si baste janë, madje edhe më të sofistikuara.

Duke rikujtuar katër vite më parë, kur bastet sportive lulëzonin në tregun shqiptar, kur qytetarë të shumtë luanin baste me dhe pa lejë edhe me kompani fantazmë, sot jemi pa gjë fare. Dhe duke qenë kështu, në këtë rikthim vjen pyetja tjetër: Cilët do jenë individët që do t’i plotësojnë të gjitha kriteret e reja që ka vënë qeveria shqiptare? Ndoshta emrat e tyre asnjëherë nuk do të mësohen, kjo pak rëndësi ka në pamje të parë. Po, kush do t’i trajnojë qytetarët për format e reja që do të përdoren në bastet sportive online? Edhe këtu përgjigja duket se do të jepet pas përfundimit të sezonit sportiv 2022-2023, kur të ardhurat që duhej të jepeshin gradualisht në shërbim të sportit, në këtë rast do të shikohen me dylbi.

Kësisoj, duke parë e gjykuar shumë ftohtë në këtë rikthim, duhet të kemi parasysh se rifutja në treg e basteve sportive në Shqipëri, do të ketë efekte ekonomike të dobëta dhe të vonuara. Sepse sezoni i ri sportiv 2023-2024, në Shqipëri nuk do të ketë ndihmë financiare nga të ardhurat që vijnë bastet sportive. Futbolli më pak dhe sportet e tjera më shumë, këtë vonesë do ta vuajnë jo vetëm në angazhime, por edhe në rezultate. Të paktën nuk do të kemi persona të arrestuar se luajnë në fshehtësi baste sportive, me akuzat si “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

 

“Ky vendim po merret në pragun e zgjedhjeve lokale të 14 Majit. Sepse po të ishte marrë më parë, të paktën disa të ardhura të konsiderueshme duhet të ishin arkëtuar në shërbim të sporteve në vendin tonë”

Katër vite është periudha që në Shqipëri janë pezulluar bastet sportive, me vendim qeveriePesë muaj ka qeveria shqiptare që ka deklaruar rihapjen e basteve sportive, por vetëm online
Katër vite është periudha që në Shqipëri janë pezulluar bastet sportive, me vendim qeverie. Pesë muaj ka qeveria shqiptare që ka deklaruar rihapjen e basteve sportive, por vetëm online

Kupa e Italisë

Interi e Fiorentina, me një këmbë në Champions

Më 24 maj luhet finalja e Kupës së Italisë, ku Interi do të ketë përballë Fiorentinën. Në letër favorizohen zikaltrit, të cilët e kanë fituar tetë herë këtë kompeticion, ndërkohë që në Firenze, Kupa ka shkuar 6 herë. Fituesin e këtij trofeu e çon në Ligën e Kampioneve, ndërsa mbërritja deri në finale u jep skuadrave nga 8 milionë euro. Cilado skuadër që do fitojë trofeun në “Olimpico” të Romës do të fitojë 4.5 milionë euro, të cilave do t’u shtohen edhe 2 milionë euro që do të marrë secila si finaliste. Por, do të jenë edhe 2 milionë euro fitim për secilën prej finalistëve që vijnë edhe nga biletat e stadiumit, ku 45% e totalit shkon për secilin nga dy klubet.

 

FORMULA 1

Në Azerbaixhan, me format të ri në garë

Dje janë zhvilluar provat e para për garën e Formula 1 në Azerbaixhan, e cila është gara e katërt e këtij sezoni. Kjo garë ka një risi, sepse në pistën e Baku do të futet në fuqi edhe rregullorja e re e zyrtarizuar disa ditë më parë nga FIA, që ka të bëjë me garat sprint dhe kualifikueset e këtij sezoni. Kështu, radha e nisjes për garën nuk do të vendoset më nëpërmjet renditjes së garave Sprint, por ajo do të përcaktohet nëpërmjet provave kualifikuese të djeshme, ku u zhvillua një sesion provash të lira. Ndërsa sot do të mbahen tri sesione, 12 minuta në sesionin e parë, 10 minuta në sesionin e dytë dhe 8 minuta në sesionin e tretë, që të përcaktohet edhe radha e nisjes në garën sprint.