INTERVISTA/ Agim Çiraku: Sot hapet “tenderi” i rekordeve, në pishinë startojnë fëmijët

526
Nga Agron KAJA
Për organizmin dhe zhvillimin e Kampionatit Kombëtar të Notit për Fëmijë (meshkuj-femra), flet Presidenti i FSHF-së. “Te Stela” sot trokasin rekordet
Në ambientet e pishinave të Resortit “Te Stela”, për dy ditë më radhë, uji do të trazohet nga vajzat e djemtë, të cilët do të garojnë për Kampionatin e tyre Kombëtar. Në sezonin e kaluar, u thyen 15 Rekorde Kombëtare, dhe Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, deklaroi dje për gazetën “Telegraf”, se edhe këtë vit pritshmëritë janë të mira. “Natyrisht që nga viti në vit, progresi ynë ka qenë i dukshëm, ndaj edhe nesër (sot), pritshmëritë tona si federatë janë për më shumë nga sezoni i kaluar. Ka një fakt këto vitet e fundit, pasi në Kampionatin Kombëtar të moshave në pishinën 25 m, janë thyer 10 apo 15 rekorde kombëtare, për meshkuj e femra. Mendoj se këtu është evident serioziteti që tregojnë ekipet e notarët e tyre, pse jo, qartazi themi se në mes tyre është edhe menaxhimi serioz i FSHN-së”, kështu deklaroi dje Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, në bashkëbisedimin e tij me gazetën “Telegraf”, duke ju referuar zhvillimit të Kampionatit Kombëtar të Notit për Fëmijë.
Nesër (sot), ju si federatë çelni zyrtarisht Kampionatet Kombëtarë në pishinën 25 m, janë marrë masat tuaja organizative?
Natyrisht që janë marrë, madje është reflektuar edhe në ndonjë detaj që nuk na ka ecur mirë në sezonin e kaluar. Pritshmëritë i kemi shumë të mëdha, pasi ky është një event cilësor që zhvillohet në kushte optimale. Resorti “Te Stela” ka kushte shumë të mira organizimi e garimi, dhe ky është një detaj që na ndihmon pozitivisht në çdo veprimtari.

Duke qenë se e keni nisur me veteranët dhe pjesëmarrjen në Kupën “Mimoza Kup” në Malin e Zi, i mendoni këtë si nxitje për të rinjtë që do të garojnë sot?
Në këto evente kanë garuar të tjera kategori, por gjithsesi, duke qenë brenda federatës sonë, pse mos të themi se rezultatet kanë ndikim në çdo nivel e kategori. Me veprimtaritë që An “Te Stela” organizon jashtë kalendarit zyrtar të federatës, bëhet një lidhje e formës së notarëve.

Në muajin shkurt, në “Herceg Novi Meeting” në Malin e Zi garuan shumë notarë nga ekipet shqiptare, ju si federatë jeni të kënaqur më arritjet në atë event?
Ai është një aktivitet ku ekipet shqiptare marrin pjesë masivisht, dhe këtë herë morën pjesë rreth 170 notarë, meshkuj e femra. Sportistët mbajtën rezultatet e tyre personale, u thyen 3 Rekorde Kombëtare, ndërsa notari shqiptar Franc Aleksi, u shpall edhe “Notari më i mirë i aktivitetit”.

Në vitin e kaluar, në këtë kategori garimi u thyen edhe 15 Rekorde Kombëtare, prisni edhe në këto dy ditë sfida rekordesh?
Në çdo sport, aq më shumë këto që janë individuale si noti, gjithkush synon të bëjë më të mirën. Njëherësh, duke qenë se edhe koha e përgatitjes së fëmijëve ka qenë e plotë për tu përgatitur, unë figurativisht do t’u thosha se, nesër (sot) do hapet “tenderi” i rekordeve për këtë kategori.

Duket se FSHN-ja është në kërkim të vazhdueshëm të sfidave të reja, dhe mbetet për cilësia si synim primar? 
Përveç kampionateve kombëtare, ku gjithmonë pritshmëritë në rritjen e vazhdueshme të rezultateve janë të mëdha, gjatë këtij viti priten rezultate cilësore nga ekipi i meshkujve të datëlindjes 2000-2001, në Kampionatin Ballkanik të të Rinjve që do të zhvillohet datat 5-6 maj në Sarajevë. Gjithashtu priten rezultate cilësore në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”. 

Nisur nga Kalendari vjetor, ku janë pritshmëritë tuaja më të mëdha për rezultate më të larta nga notarët?
Pritshmëritë më të larta janë në Lojërat Olimpike Rinore në Buenos Aires, ku synimi i FSHN-së është që të marrë pjesë jo më me ftesë, por me sportistë meshkuj, të kualifikuar.

Në vitin e kaluar u organizua Kampionati Mbarëkombëtar në Durrës, për këtë vit, si është menduar organizimi i tij?
Kampionati Mbarëkombëtar tashmë e filloi rrugën e vet, dhe do të zhvillohet çdo vit dhe është vendosur edhe në kalendarin sportiv të LEN, pra i njohur edhe nga Federata Evropiane e Notit. Këtë vit, në datat 8 e 9 qershor do të zhvillohet përsëri në pishinën 50 m të Durrësit. Sigurisht që këtë vit do të ketë edhe masa organizative më të mëdha, dhe, si rrjedhojë organizimi do jetë më cilësor. 

Duke qenë se jeni në startin zyrtar të këtij viti sportiv, çfarë synimesh afatshkurtra apo afatgjata ka FSHN-ja?
Objektivat për vitin 2018 kanë disa synime. Më kryesorët do të jenë: Arritja e normave kualifikuese nga sportistët cilësorë për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Rinore “Buenos Aires 2018”; Kualifikimi në finalet e garave në Lojërat Mesdhetare në Tarragona të Spanjës, 22 qershor – 1 korrik 2018; Promovimi i sportit të notit në shkolla, gjetja, promovimi dhe mbështetja e talenteve të reja; Shtimi i anëtarësisë në Federatën Shqiptare të Notit; Shtimi numrit të trajnerëve femra; Organizimi i seminareve trajnuese me gjyqtarë dhe trajnerë; Promovimi i misionit dhe vizionit të FSHN-së në opinionin e gjerë publik.
Përveç kampionateve kombëtare, ku gjithmonë pritshmëritë në rritjen e vazhdueshme të rezultateve janë të mëdha, gjatë këtij viti priten rezultate cilësore nga ekipi i meshkujve të datëlindjes 2000-2001, në Kampionatin Ballkanik të të Rinjve që do të zhvillohet datat 5-6 maj në Sarajevë. Gjithashtu priten rezultate cilësore në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”. 
PIKËZIMI
Notarët do të vlerësohen për klasifikimin individual duke u bazuar në pikëzimin që vijon: 8 pikë vendi i parë; 6 pikë vendi i dytë; 4 pikë vendi i tretë; 3 pikë vendi i katërt; 2 pikë vendi i pestë; 1 pikë vendi i gjashtë. Për garat e stafetave, jepet dyfishi i pikëve
ÇMIMET
Për notarin dhe notaren më të mirë të veprimtarisë, do të jepet Kupa e Kampionatit e shoqëruar me diplomën përkatëse, bazuar në pikëzimin FINA për shumën e pikëve të fituara në 2 (dy) garat me rezultat më të lartë. Notari dhe notarja më e mirë për kategorinë B/C, do të nderohet me medalje dhe diplomën përkatëse. Gjithashtu, bazuar në shumën e pikëve të tre kategorive, do të bëhet edhe klasifikimi ekipor. Do të nderohet me Kupën e aktivitetit ekipi më i mirë M & F.
KALENDARI SPORTIV 2018

AKTIVITETET KOMBËTARE
1. Kampionati Kombëtar Dimëror i Fëmijëve në pishinë 25 m, 17-18 mars 2018.
2. Kampionati Kombëtar Dimëror për të Rinj, të Rritur dhe veteranë në pishinë 25 m, 21-22 prill 2018.
3. Takim Ndërkombëtar i Notit në pishinën 50 m, 8-10 qershor 2018 në Durrës.
4. Kampionati Kombëtar i Fëmijëve në pishinën 50 m, 27-28 qershor 2018.
5. Kampionati Kombëtar i të Rinjve, të Rritur e veteranë në pishinën 50 m, 12-13 korrik 2018.
6. Kupa e Shqipërisë, 1-2 shtator 2018.
7. Maratona Kombëtare, 9 shtator 2018.
8. Takim Mbarëkombëtar i Notit në pishinën 25 m, 22-23 dhjetor 2018.
AKTIVITETET NDËRKOMBËTARE
1. Herceg Novi Meeting, 16-18 shkurt 2018.
2. Kampionati Ballkanik i Notit, 5-6 maj 2018 (Meshkuj-datëlindja 2000 e 2001, Femrat-datëlindja 2001 e 2002)
3. COMËN Swimming CUP, 16-17 qershor 2018 në Qipro (Meshkujt 14-15 vjeç, Femrat 13-14 vjeç).
4. Kongresi i Federatës Evropiane të Notit (LEN), 2 qershor 2018 në Romë, Itali.
5. Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, 22 qershor-1 korrik 2018.
6. Kampionati Evropian për të Rinj, 4-8 korrik 2018, Helsinki në Finlandë.
7. Kampionati Evropian “OPEN”, 3-12 gusht 2018 në Gllazgou, Skoci.
8. Lojërat Olimpike Rinore, 6-18 tetor 2018, në Buenos Aires, Argjentinë.
9. Kampionati i 14-të Botëror i Notit në pishinë 25 m, 3-8 dhjetor 2018, në Hangzhou, Kinë.
Sigal