NOT/ Mbyllen garat e Kupës “Pavarësia”, në pishinën “Te Stela”. Garuan 216 notarë nga 11 ekipe. Më të mirët: Ekipi Te Stela, Kaltra Meça e Tiranës dhe Alesandro Hyso i Vllaznisë
PRESIDENTI FSHN, AGIM ÇIRAKU
Pavarësisht punëve: Me mëndje isha te Kupa “Pavarësia”
Dje pas mbylljes së garave në Kupën “Pavarësia”, Presidenti FSHN-së Agim Çiraku, shprehu kënaqësinë e tij, njëherësh edhe krenarinë që në to u thyen 12 rekorde kombëtare. “Më mungoi shumë kjo pjesëmarrje, por shpirtërisht ndjehem krenar që në garat e kësaj Kupe u thyen edhe 12 rekorde kombëtare. Madje janë përmirësuar kohët edhe në shtatë-tetë gara të tjera. Ju faleminderit notarëve, trajnerëve dhe prindërve të fëmijëve, të cilët e kanë zbukuruar zhvillimin e kësaj veprimtarie”.
216 GARUES
Në garat e Kupës “Pavarësia” morrën pjesë 216 notarë (Meshkuj+Femra), pjestarë të 11 ekipeve
12 REKORDE
Në garat e Kupës “Pavarësia” u thyen 12 rekorde Kombëtare. Dy nga individë dhe 10 në stafeta
Suela Haxhiaj, Sekretare FSHN: Tradita e rekordeve e zbukuroi Kupën
Agron KAJA
E pranishme në dy ditët e zhvillimit të garave në Kupën “Pavarësia”, Sekretarja e FSHN-së Suela Haxhiaj, dje për gazetën “Telegraf” shprehu kënaqësinë për zhvillimin e garave, dhe në veçanti për 12 Rekordet Kombëtare dhe për pjesëmarrjen e lartë në gara. “Ndryshe nga herët e tjera në 12 vite që organizohet kjo veprimtari, në Kupën “Pavarësia 2024” morrën pjesë 216 notarë nga 11 ekipe shqiptare. Kjo shifër tregon se nga ekipet e notit ka interes të veçantë për pjesëmarrje në gara, si kjo që lidhet me Pavarësinë e vëndit tonë. Ky masivitet ndoshta do tregojë se në vitet e ardhshme, Kupa “Pavarësia” do të ketë pjesëmarrje në rritje. Dhe në këto vite, synimi ynë si federatë do të jetë që të kemi notar garues nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora shqiptare”, kështu u shpreh fillimisht Sekretarja e FSHN-së, e cila u ndal te “thembra e Akilit” në dekadën e fundit në notin shqiptar. “Tashmë është bërë si traditë në të gjitha veprimtaritë tona kombëtare, që të thyen rekorde kombëtare. Dita e parë e garave ishte shumë e mbarë në këtë tregues ku u thyenë 9 rekorde, ndërkohë që 3 rekordet e tjera u thyenë në ditën e dytë. Një tjetër e veçantë e këtyre rekordeve kombëtare është fakti se, si individë ishin vetëm dy femra: Notarja absolute Kaltra Meça e Tiranës dhe notarja e Te Stela, Arla Dermishi. Mund të them se tradita në thyerjen e rekordeve kombëtare e zbukuroi më shumë zhvillimin e garave në këtë Kupë. Por, të gjithë garuesit janë për t’u falenderuar, së bashku me trajnerët, dhe në veçanti prindërit e tyre që në dy ditë gara dhanë mbështetjen e tyre në gjithçka të mirë në këto gara”. Por Sekretarja Haxhija, u shpreh në mbyllje të aktivitetit se u dhanë edhe disa porosi për të gjithë trajnerët, pasi me Kupën “Klavio Meça” mbyllen veprimtaritë kombëtare të notit shqiptar për vitin 2024. “Më 21 dhjetor 2024 organizojmë Kupën “Klavio Meça”, e cila i kushtohet një prej notarëve që bëri histori të shkurtër, por shumë cilësore në notin shqiptar. Me trajnerët e ekipeve biseduam për këtë veprimtari dhe i orientuam për gjithçka që ata duhet të kenë parasysh në pjesëmarrje”.
EKIPET FITUES
MESHKUJ
AN “Te Stela” 196 pikë
FEMRA
AN “Te Stela” 216 pikë
NOTARËT MË TË MIRË
FEMRA
Kaltra Meça Tirana 1118 pikë
MESHKUJ
Alesandro Hyso Vllaznia 1102 pikë
REKORDMENËT
#Kaltra Meça (Tirana)
50 m Shpinë-31.38
#Kaltra Meça (Tirana)
100 m Shpinë-1.05.82
#Arla Dermishi (Te Stela)
200 m Bretkocë-2.47.07
#4X50 m Stil i Lirë të Rinj
Partizani-1.43.52
#4X50 m Mix Femra, Rritura
Te Stela-2.11.72
#4X100 Mix Fëmijë
12-13 vjeç Te Stela-5.09.05
#4X100 m Stil i Lirë Femra
Te Stela-4.26.30
#4X50 m Stil i Lirë Meshkuj
11-12 vjeç Te Stela-2.05.19
#4X50 m Stil i Lirë Femra
13-14 vjeç Te Stela-1.59.68
#4X50 m Mix Fëmijë
11-12 vjeç Të Stela-2.17.50
#4X100 m Stil i Lirë Fëmijë
11-12 vjeç Te Stela-4.40.37
#4X100 m Femra Rritura
Te Stela-5.00.38
PJESËMARRJA
Garuan 11 ekipe me 216 notarë
Te Stela fitues, trajneri Mema: Kupa, historikisht e jona!
Ekipi i AN “Te Stela” u shpall fituesi i Kupës “Pavarësia”, për meshkuj e femra. Dy trajnerët, Sadik Mema e Eduart Cane, ishin të kënaqur, sepse u ruajt tradita e fitores së ekipeve të tyre në këtë veprimtari, por edhe pse nga notarët e tyre (kryesisht në garat e stafetave) u thynë 8 rekorde Kombëtare. “Kupën “Pavarësia”, tradicionalisht që nga viti 2012 që e krijuam ne për herë të parë, dhe deri më sot në vitin 2024, e kanë fituar ekipet tona, meshkuj e femra. Në të gjithë treguesit ekipi ynë ishte superior: Morrëm pjesë me 55 garues, thyemë 8 rekorde kombëtare dhe fituam në 80% të garave. Në Akademinë tonë, së bashku me trajnerin Eduart Cane, kemi punuar me programe të detajuara, individualë e kolektivë, duke e përshtatur stërvitjen me notarët, nga pishina 50 m në pishinën 25 m”, kështu u shpreh dje Mjeshtri Madh Sadik Mema, ndërkohë që trajneri Cane theksoi se kjo është një fitore e gjithë akademisë.
Trajnerët fitues, optimistë për rezultatet
Arjan Fetishaj, Tirana
Garuam me dinjitet dhe me rekorde
Për trajnerin e Tiranës, Arjan Fetishaj, të 27 notarët që garuan, treguan seriozitet e rivalitet në gara. Edhe pse prej tyre u thyen 3 rekorde kombëtare, për gazetën “Telegraf” Fetishaj u shpreh i kënaqur. “Nuk mund të them se kanë qënë garat tona më të mira, por mund të them se Tirana garoi me dinjitet dhe thyeu 3 rekorde kombëtare. Natyrisht që për ne, Kaltra Meça ishte kapitene dhe lidere, sepse ishte ajo që na i dha këto rekorde, njëherësh edhe motivimin e notarëve të tjerë”, kështu theksoi dje trajneri Fetishaj, i cili nuk e fshehu synimin se kishin ardhur me pritshmëri më të larta në këtë veprimtari. “Në pritshmëritë tona, ne erdhëm në Kupën “Pavarsia” për më shumë rezultate të larta. Por edhe me kaq, jemi në rrugën e duhur. Pasi mbyllëm garat në pishinën verore 50 m, me ekipin kemi punuar fillimisht në përshtatjen e tyre, jo vetëm për distancat e shkurtuara në gara, por edhe për stinën dimërore. Kryesisht, objektivat tona si ekip u realizuan, dhe kjo mbetet një motivim për notarët tanë, pasi më 21 dhjetor do marrim pjesë në Kupën “Klavio Meça”, që për më shumë, i dedikohet vëllait të ndjerë të notares sonë Kaltra Meça. Për Tiranën, ky mbetet një vit i suksesshëm”.
Kryegjyqtari Gripshi: Gjyqtaria korrekte!
Në garat e Kupës “Pavarësia”, kryegjyqtari, Mjeshtri Madh Emin Gripshi, kishte disa vlerësime. “Së pari, do thoja se gjyqtaria në garat e Kupës “Pavarësia” u tregua korrekte e serioze. Një pjesëmarrje kaq e madhe nuk kishte ndodhur ndonjëherë në këtë veprimtari, për të cilën kisha edhe një mendim ndryshe. Por pa i ulur vlerat e Kupës “Pavarësia”, unë do thoja se për më shumë cilësi, në këtë veprimtari të mos garojnë notarë nën moshën 14 vjeç, sepse kështu ritet më shumë cilësia e garimit. Kjo kupë e “prishi” qetësinë pas garave në pishinë verore 50 m”.
Rekordmenia Kaltra Meça: Test për vazhdimësinë
Në garat e Kupës “Pavarësia”, notarja e Tiranës, Kaltra Meça bëri edhe një test personal, pasi në fillimin e muajit dhjetor do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Notit në Budapest, në pishinë 25 m. “Për theyrjen e rekordeve kombëtare, unë kisha siguri në vetvehte, sepse isha e përgatitur. Mund të kisha kohë më të mira, por gjithsesi, këto gara ishin një matës për mua, sepse muajin tjetër (dhjetor) do marr pjesë në garat e Kampionatit Botëror të Notit në Budapest, pikërisht në pishinë 25 m. Jam krenare për gjithçka, rezultatet, trajnerin, shokët e ekipit, sepse garoj në një klub të madh në Shqipëri”. Duhet thënë se në garat ku Kaltra morri pjesë, brohoritjet e të pranishmëve treguan respektin ndaj saj.
Dy Mjeshtra rivalë, dy shikues kureshtarë!
Mjeshtri i Madh, Petrit Guma dhe Mjeshtri i Sportit Myrteza Didati, dje i kanë ndjekur së bashku garat e ditës së dytë në Kupën “Pavarësia”. Përpos vlerësimit të tyre për këtë veprimtari, kjo foto ka edhe një lidhje për karrierën që ata kanë patur si notarë. Sepse, rekordet e Myrtaza Didatit në garat e stilit të lirë 200 e 400 m i thyeu notari vlonjat Skerdilajd Shyti. Ndërsa rekordet e Skerdilajdit në këto gara, i thyeu Petrit Guma. Dy Mjeshtra, të cilët kanë shkruar histori në notin shqiptar, por që Guma e ngriti më lart nivelin e garimit dhe kohët e rekordeve kombëtare.
Kol Shiroka, Vllaznia
Jemi brënda objektivave, në rezultate e në pjesëmarrje
Trajneri i Vllaznisë Kol Shiroka, asnjëherë nuk të shmanget për të dhënë mendimin e vlerësimin e tij para dhe pas çdo gare. Dhe në garat e Kupës “Pavarësia” ai nuk e prishi “traditën”, duke treguar se për herë të parë morrën pjesë me 15 notarë. “Edhe pse me kushteve përgatitore teknike të vështira, përgatitjet tona për Kupën “Pavarsia” ishin të mira. Së pari, do thoja se Vllaznia për herë të parë merr pjesë me 15 notarë (7 meshkuj dhe 8 femra), dhe këtë ne e shihnim si sukses. Sepse në tërësinë e saj, në këtë kupë kishte pjesëmarrje të lartë nga shumë ekipe, si nga ata të traditës, ashtu edhe nga të tjerët në rretheve”, kështu tregoi dje për “Telegraf” trajneri shkodran Shiroka, por që veçoi njërën prej garueseve të tij. “Nuk dua të harroj se, notarja jonë Viki Tafrruku ishte në Top Listën në garat 200 m dhe 400 m Stil i Lirë. Rivalja e saj ishte kampionia Kaltra Meçe, dhe kjo e ka ndihmuar shumë edhe Vikin për kohët e mira që arriti në këto gara”. Trajneri Kol Shiroka i quan rezultatet në Kupën “Pavarësia” brënda synimeve, ndërsa mendon më shumë përmirësim në Kupën “Klavio Meça”. “Në këtë Kupë do vijmë me synime më të larta, edhe pse kushtet tona teknike përgatitore nuk janë shumë të mira”.
Viki Tafruku: Kam rezultate në rritje
Notarja e Vllaznisë Viki Tafrruku, sikur ka “fatin e keq”, sepse garon në garat me rekordmenen Kaltra Meça. Por ajo këtë e quan një fat, njëherësh edhe motivim. “Unë garoj në garat që garon edhe notarja kampione e rekordmene Kaltra Meça. Veç përgatitjeve që bëj me trajnerin tim Kol Shiroka, kjo më ka ndihmuar duke më rritur besimin në mundësitë e mia. Në tre gara, 3 vënde të dyta, këto janë rezultatet që në kohë ishin më të larta se në garat e vitit të kaluar. Janë rezultate në rritje, dhe në Kupën “Klavio Meça” pres përmirësim, do t’i afrohem rekordeve kombëtare në 100, 200 e 400 m stil i lirë”.