Tashmë është thyerje totale mes Interit dhe sponsorit kryesor të tij, Digitalbits. E si pasojë, ky i fundit është i destinuar të zhduket nga fanellat zikaltër deri në fund të tetorit. Sipas Gazzetta dello Sport, ndërprerja e marrëdhënieve mes klubit dhe kompanisë së kriptomonedhës është bërë e pashmangshme për shkak të pagesave të vonuara. Ky motiv, gjatë verës, e kishte shtyrë Interin të fshehë markën në kanalet e tij zyrtare, duke përfshirë edhe faqen në internet e rrjetet sociale.
Në 2021/22 Digitalbits kishte qenë sponsor i mëngës, për t’u “promovuar” më pas si kryesor në fanellë. Marrëveshja e përgjithshme parashikonte, një pagesë prej 85 milionë eurosh në katër vite. Megjithatë, kësti i parë i pagesave të sezonit të ri nuk ishte respektuar. Kështu, në fund të korrikut erdhi vendimi i klubit. U fsheh marka në platformat e internetit, si dhe u hoq logo nga uniformat e ekipit të femrave dhe moshave.
Tani ka ardhur ndalesa përfundimtare e bashkëpunimit. Por sigurisht, lind edhe nevoja për të gjetur një zëvendësues sa më shpejt të jetë e mundur. Interi është tashmë në gjueti për një partner të ri, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që fanella zikaltër të mbetet bosh deri në fund të sezonit.