Protesta e opozitës, forca policore pranë Ministrisë së Drejtësisë! Vendosen kangjella për moslejimin e kalimit drejt qendrës ku janë liderët e Evropës

50
Sigal

Pas pak, rreth orës 17:00, pritet të nisë protesta e opozitës pranë ministrisë së Drejtësisë, në kryqëzimin e Bulevardit Zogu I me rrugën Fortuzi.

Protesta e thirrur nga kreu i PD-së Sali Berisha mbahet paralelisht me punimet e Samitit të Komunitetit Politik Europian në qendër të Tiranës, ku janë mbledhur gjithë liderët e Europës.

Ndërkohë në zonën e Ministrisë së Drejtësisë ka prani të forcave policore, të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës, si dhe janë vendosur kangjella për moslejimin e kalimit nga ministria e Drejtësisë për në qendër.

Berisha e thirri këtë protestë pas rezultatit në zgjedhje ku humbi përballë PS-së së Edi Ramës, pasi sipas tij këto votime ishin farsë elektorale, të manipuluara. Berisha ka si qëllim të ndërgjegjësojë liderët e Europës për mënyrën si Edi Rama zhvillon zgjedhje në Shqipëri.