Petrit Stefa, ikona e basketbollit shqiptar

747
Sigal

Moisi Dalipi: Fillimet e sportit në vitet e vështirësive, karriera e suksesshme, trofetë e kampionit, vlerësimet: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Madh, Medalje e Meritës

Petrit Stefa, “profesori” pankinës së basketbollit

Sa herë që duam të flasim për basketbollin në qytetin e Vlorës, por pse jo dhe atij kombëtar, shumë natyrshëm mendimi do të shkojë tek Petrit Stefa. Një jetë e lidhur  ngushtë me sportin  e basketbollin, si  sportist  dhe  trajner që si pak kush tjetër i ka mbushur këto  vite sportive  me suksese dhe trofe. Dhe këto stoli plot vlera, duket se shijojnë  më shumë tani,  kur  ky “profesor “ i pankinës të basketbollit ka  lënë pas 75 vitet e jetës tij. Dhe nuk do ishte tepërt të thuhet për këtë specialist dhe trajner, që këto vite përbëjnë një veçanti të karrierës tij edhe në mes më  të mirëve të vendit. Gjithsesi, tek  Petrit Stefa, po të kërkosh  gjithmonë do të prekësh jo vetëm vitet e ngarkura  me shumë  punë, përpjekje, rezultate pozitive, dhe deri tek  libri  shkencor dhe praktik të  titulluar  “Filozofia e Trajnerit”, që ky njohës  dhe  specialist  i nivelit të larte të  baskebollit bashkëkohor, i ka bërë si dhuratë sportit shqiptar. Njerëz të tlilë  si “profesor“  Petrit Stefa me  pasionin e tyre,  gjithmonë kanë ditur dhe do të dinë se nga vijnë  dhe ku duan të shkojnë me punën e tyre. Edhe e thënë më qartë, Petrit  Stefa ka ecur fortë  drejt suksesit dhe  respekti dhe lavdia morale e kanë  ndjekur   nga pas  kudo dhe  kurdoherë. Jeta  e Petrit Stefës është një “leksion” që duhet  lexuar dhe mësuar  ashtu siç është,  sepse aty gjen shumë motivime, që  i duhen  çdo njeriu që kërkon të prekë  suksesin në jetë.

Fillimet në sport dhe vitet e vështirësive

Si shumë  fëmijë të lagjes “Varosh” të qytetit bregdetar  të Vlorës edhe Petriti Stefa, që në vitet e para të rinisë tij do merrej me sport. I lindur  dhe i rritur në një familje me tradita të hershme sportive, siç ishte ajo  e rrobaqepësit  të njohur vlonjat Panajot Stefa, djaloshi me trup mesatar, do të ushtronte edhe sportet e notit dhe pinpongut. Por papritur, kur dhe vetë mendonte se do të ishte bërë  një sportist i mirë në këto disiplina, trajneri i njohur i basketbollit të meshkujve Ilo Taska, do t’i bënte vend në ekipin e basketbollit të të rinjëve të ‘Flamurtarit’. Për katër vjet, djaloshi Petrit Stefa do të spikaste me talentin e tij në sportin e basketbollit përkrah shokëve të tij të fëminisë  si, Vladimir Xhindi, Edmond Luzi, Luan Alemi, Vendigjar Luzi dhe Dionis Qirinxidhi. Megjithatë sporti  nuk do ta  pengonte për ta përfunduar shkollën e mesme  me “Medalje të Artë”. Në vitin 1963, djaloshi Petrit Stefa, fiton të drejtën për të vazhduar studimet e larta në UT, për degën matematikë-fizikë. Kështu ndryshe nga vëllezërit  dhe motrat e tij që janë shquar në shkencat shoqërore, Petriti do të orientohej  tek  shkencat egzakte. Vazhdimi studimeve të larta në kryeqytet kushtëzuan tek ky  sportist i basketbollit të aktivizohej për një  sezon me ekipin e “Studentit”. Në vitin 1968  edhe pse i përfundon  studimet   me rezultate të shkëlqyera, duke zotëruar  shumë mirë dhe gjuhët e huaja si rusisht, frëngjisht, anglisht, greqisht dhe italisht, e emëruan për tre  vjet  rresht  mësues në shkollën “Hasan Tahsimi” të Sarandës. Një  pjesë e bukur e  jetës  tij, ose “copëza brilante të jetës time” siç i quan ai vetë këto momente  në ketë qytet, dhe  jo vetëm se njohu dhe lidhi jetën me bashkëshorten  e tij  Violenten, por dhe për atë se këtu hodhi hapat e para si trajner. Pas orëve të gjata të mësimit dhe stërvitjes me skuadrën e vajzave që synoi ta  formonte si ekip, por që nuk ja doli me sukses, me shumë durim dhe pasion, Petrit  Stefa ju përkushtua  përvetësimit të literaturës  bashkëkohore  sportive. Po kështu veproi dhe në vitet 1971-1972, kur u  emërua  mësues në  fshatin  Kuç të Vlorës. Si  hije e zezë i qëndruan gjithnjë paragjykimet në ato  vite, se studimi  literaturës të huaj përbënte një koncept  borgjez. Dhe ndoshta për këtë, dikush kërkoi ta largonte nga  pasioni tij, duke e detyruar të punonte në prodhim, jashtë Vlorës. Megjithëatë, Petrit Stefa  ja doli me sukses.  Diku në vjeshtën e vitit 1972  ish trajneri tij Ilo Taska, do të propozonte për t’i bërë  një vend  në pankinën e basketbollit të femrave të  “Flamurtarit” , trajnerin e ri 27-vjeçar Petrit Stefa. Deri në këtë vit, kjo skuadër bënte pjesë në Kategorinë e Dytë dhe nuk kishte prespektivë. Gjithsesi trajneri ri Stefa, sfidoi shumë gjëra, për ta  filluar punën  me ëndrrën e madhe se një ditë  do arrinte tek suksesi me këtë ekip. Fillimi ishte i vështirë. Megjithatë me punë dhe pasion ai arriti t’i kalonte këto  vështirësi, duke sjellë koncepte të reja  në lojën e basketbollit. Ekipi “Flamurtarit” po përgatitej kështu për ‘fluturimet’  drejt fitimit të trofeve. Skudrat me shumë përvojë në ato vite  si “17 Nëntori”, “Partizani” ,”Skënderbeu” , “ Vllaznia” dhe “Apollonia”, po ndienin nga afër  trokitjen e  vajzave vlonjate. Trajneri Stefa  kishte  një ekip lojtare të tilla si Valentina Hysi, Muhina Kuqi, Arjana Birçe, Eleni Beli, Violeta Çala, Piereta Çika, AfërditaVjero dhe vajza të tjera, që ishin  dhe dallandyshet e para  të basketbollit vlonjat.

Koha e  fitoreve dhe trofeve  nga ‘Ferrari’ Vlorës

 Dhe nuk do të vononte shumë dhe në skenën e basketbollit shqiptar do të  prezatohej  shumë bukur dhe më tërë vlerat sportive ekipi i  femrave të “Flamurtarit” të drejtuar nga trajneri pasionant Petrit Stefa. Rivalitet i fortë  i  “Flamurtarit” ishte me “17 Nëndorin”  e drejtuar nga trajneri Vaso Shakaj, me “Apolloninë” e  drejtuar nga Kozma Mone dhe “Skënderbeun” e drejtuar nga Pandi Balli dhe  më vonë  nga Edmond Dushku. Basketbolliste të nivelit lartë në ato vite si,  Myrto, Dibra dhe Alibegaj të “17Nëntorit”, Semajaku,Marini dhe Mustafaraj të “Apollonisë”, Lida Shehu dhe Zamira Koleci të ‘Skënderbeut”  do përballeshin me Kuqin, Belin, Çikën, Minën, Shabanin, Çalën, Birçen, Laçajn, Labovitin  e të tjera që  përbënin atë trup sportiv kuqezi  që  tifozeria  vlonjate e ka pagëzur me emërtimin  “Ferrari Vlorës”. Në Vlorë  në maj të vitit 1977 ky ekip do  të sjellë  titullin e parë kampion. Atë ditë i gjithë qyteti  Vlorës  është përkundur fortë nga  etuziazmi dhe gëzimi  mbarë qytetar. Personazhet janë ato  vajzat kuqezi  dhe trajneri tyre  Petrit Stefa, që mes gëzimit dhe lotëve, kanë prekur suksesin e një pune shumë vjeçare. Është thyer kështu hegjemonia shumëvjeçare skuadrës kryeqytetase të “17 Nëndorit”. Të gjithë  në Vlorë i mbajnë mend mirë ato ndeshje të forta dhe dramatike që zhvillonte kjo skuadër  ndaj çdo kundërshtari. Pallati sportit të Vlorës  mbushej  plotë, duke  mbajtur  për shumë orë  në  “supet” e tij  gjithë atë entuziazëm. “Ferrari” i   trajnerit Petrit Stefa do të shkruajë  historinë dhe lavdinë  e munguar sportive të “Flamurtarit”. Titull kampion i fituar  plotë shtatë  herë   në vitet  1976-1977, 1978-1979, 1979-1980, 1980-1981, 1983-1984-1984-1985, 1989-1990. Bukur pranë tyre qëndrojnë dhe stolisin  gjoksin kuqezi edhe  pesë Kupa Republike të fitura  në harkun e këtyre viteve duke ruajtur  serinë e  sukseseve  dhe trofeve siç janë ato në vitet  1978,1983,1985,1987, dhe 1990.  Por po t’i shtosh këtyre sukseseve dhe  nëntë kupat e fituara   gjatë aktiviteteve të ndryshme zyrtare të organizura nga F.SH.B .në ato vite, arshiva e këtij trajneri pasurohet edhe më shumë. Ndërkohë që  skuadra  rinovonte rradhët e saj me emra të rinj si Merkaj, Aliko, Dauti, Jaupaj dhe  Brinja, që  duke qëndrur pranë “veteraneve” u  kthyen shumë shpejt në titullare  të skuadrës edhe për shumë vite të tjera tek skuadra vlonjate. Aq i vërtetë është ky fakt, sa që  dhe sot, shumë specialistë të basketit shqiptar, shprehen se: “Flamurtari e ka krijuar traditën dhe shkollën e tij  të basketbollit të femrave që në vitet 1978-1990”.

“Shtegëtime” të sukseshme  dhe rikthimi në Vlorë

Pas vitive 1990  trajneri vlonjat  Petrit  Stefa  “shtegëton “ në basketbollin grek, duke lënë pas një “Flamurtar” të ngarkuar me  trofe dhe tituj të shumtë, si dhe me traditën e mirë të vazhdimësisë. Në vitin  1992-1994  trajneri vlonjat u “akomodua” tek skudra greke “Skeria” e Korfuzit, ku  spikati talenti dhe  aftësitë e tij si  trajner i përgatitur me njohuri të basketbollit bashkëkohor. Të njëjtat situata do të  përjetonte Stefa  dhe në vitet  1999-2000  me ekipin “Erithros Stavros” të meshkujve në Athinë. Shumë herë shtypi sportiv grek në ato vite do të vlerësonte punën, pasionin dhe njohuritë bashkëkohore të  këtij trajneri shqiptar në  basketbollin e zhvilluar të  shtetit grek. Dhe e veçanta  më shumë qëndronte në faktin se  ai   ashtu si më pare,  edhe në këtë vend me sport të zhvilluar ka  kryer revolucion  në lojën e basketbollit  duke futur koncepte të reja të kohës, veçanërisht atij amerikan mbi sulmin e shpejtë dhe mbrotjen. Ndërkohë në vitin 2003 trajneri Petrit Stefa  do të ndërmarrë një aventurë të bukur me  ekipin e  “Luftëtarin” e Gjirokastrës, ku suksesi përsëri nuk mungoi si për  titullin kampion kombëtar, Kupën e Republikës dhe Superkupën  që për herë të parë shkonin në qytetin e  gurtë. Trajneri Stefa me këto suksese si dhe  pjesmarrjen  e kësaj skuadre  atë vit në Kupat e Evropës bëri që  për sa kohë qëndroi  në krye  të “Luftëtarit”, të kthente vëmendjen e të gjithëve tek sporti i koshit. Dhe pas këtyre “shtegëtimeve” të sukseshme, Petrit Stefa si  “amerikani”  basketbollit shqiptar dhe  i pajisur dhe  me përvojën  e fituar në vitet 1999-2000 tek ekipi grek  i “Erithros Stavros” të Athinës,  e ka nxitur  atë  që të guxojë të vendoset në krye edhe të ekipit të meshkujve të “Flamurtarit”. Kështu,  që nga  muaji shkurt i vitit 2004  puna e tij u përqëdrua tek  rritja e  kësaj skuadre  të  qytetit të tij. Plotë pasion, dëshirë në çdo seancë stërvitje, trajneri i palodhur Petrit Stefa, me atë angazhim në maksimumin e  energjive, krijoji një grup të mrekullueshëm me djem  shtatlartë që  e donin  fort basketbollin  dhe premtonin   për të ardhmen si Metushi, Kaso, Toska, Merdani, Meminaj, Dede, Birçe  e të tjerë,  që të kujtoni pak a shumë  ekipin e femrave të “Flamurtarit” të viteve 1976-1990. Por  i vetmi  ndryshim  ishte   sepse  xhelozitë e njerzëve anti- sport nuk e lanë këtë skuadër dhe trajnerin Petrit  Stefa të fliste me  gjuhën e  suksesit në skenën e  basketbollit shqiptar. Gjithsesi, pas kësaj  ‘përvoje”  që nuk ishte dështim, por përpjekje për rilindur një skuadër  që  më pas  thuajse është  shuar, edhe pse  ishte në  moshën  60- vjeçare “profesori” pankinës të basketbollit shqiptar Petrit Stefa,  do të vendosë ‘katedrën” e tij për 15 vjet rresht, në vitet 2004-2019  tek “Perla –Akademi”, ku nga duart  dhe  ideologjia e tij sportive,  kanë dalë më shumë se  80 fëmijë me koncepte të reja  të kohës  për sportin e basketbollit. Kësaj përvoje  shumëvjeçare,  ku eksperimetohen  për herë të parë në Shqipëri fillimet e  basketbollit për fëmijët  e moshës 5-6 vjeç, ai ju  përkushtua dhe libërit të tij më të  ri që është në proces  botimi “Trajneri dhe Fëmijët”.

Kupa  e kampioneve dhe ekipi kombëtar

Një arshiv më vete në “invetarin’ e karrierës tij  gjysëm shekullore janë  pjesmarrjet si trajner në ndeshjet për  Kupën e Kampioneve dhe  ato  në   drejtimin e ekipeve kombëtare. Shqipëria që nuk mori pjesë me basketbollin e femrave në vitet 1959-1980,  e provoi këtë gjë për herë të parë me  ekipin kampion  në fuqi “Flamurtarin” e Vlorës në sezonin  1980-1981. Kështu “Flamurtari” bëhet  ekipi parë shqiptar që merr pjesë në kompeticionin  më prestigjoz  evropian për klubet. Kundërshtar  ishte emër i madh në basketbollin evropan të kohës, skuadra hungareze ‘BSS –Budapest’,  që në sezonin e kësaj Kupe  të viteve  1978-1979,  ishte shpallur nënkampione Europës. Dy humbje  me   këtë skudër të nivelit lartë europian,   në Vlorë  më  8  tetor 1980  me rezultatin  64-96  dhe ndeshja e kthimit  më 17 tetor  1980  në Budapest, me rezulattin 96-67 ishin më shumë një përvojë, e cila padrejtësisht u ndëshkua  nga regjimi kohës me mos pjesmarrjen e skuadrave shqiptare  në këto evente  për  periudhën 1981-1990.  Në sezonin   e Kupës Kampioneve 1990-1990  “Flamurtari”   është kundër  skuadrës kampione të Greqisë “Sporting”  të Athinës. Për t’u veçuar është se ndeshja e parë e zhvillur në Vlorë më  27 shtator 1990, ku “Flamurtari” me  Çikën, Ruçin, Laçaj, Birçen, Brinjën, Calën, Jaupin, Dautin   dhe Merkaj,   do të  përballeshin  si të  barabarta  me këtë skuadër kampione të  vendit fqinj, ku veçoheshin  dy baskebolliste ruse shtatlarta  me atë  lojtren si  Binajerva, që  ishte një  shënuese shumë e aftë nga çdo distancë. Ishte një mungesë  fati  më shumë në këtë ndeshje që  përfundon me rezultatin 83-85  për skuadrën greke. Por trajneri Petrit Stefa  do t’i rikthehet edhe një herë “parketit ndërkombëtar” të Kupës Evropës në vitin 2003 me ekipin e “Luftëtarit” të Gjirokastrës, ku në grup është përballur me skuadrën bullgare “Akademia –Test” dhe  kampionen greke “Tolemaidha”. Puna, pasioni, përkushtimi  dhe trofe të fituara shumë natyrshëm do i jepnin Petrit Stefës, këtij mjeshtëri të trajningut të drejtën që   të ishte dhe në  drejtim të ekipeve kombëtare. Në fakt,  për rreth  dhjetë vjet, ka  stërvitur   dhe përgatitur  skuadrat, por për të shkuar me ekipin  jashtë vendit   nuk  e kanë lejuar, ose më saktë e kanë ndaluar  padrejtësisht  me asryen ‘biografi”. Kështu i ka ndodhur në 1978,  kur ekipi kombëtar  i femrave do të  shkonte në turne miqësor në Kinë. Në vitin 1983,  me ekpin  kombëtar të  reja në Kampionat Ballkanik në Rumani, dhe  në vitin  1987, me ekipin kombëtar të femrave për Lojrat Mesdhetare “Lataka -1987”. Por “rrethimi” biografik  është  hequr vetëm  në  vitin 1989, kur në krye të ekipit  kombëtar të rejave ai  do  të jetë në Kampionatin Ballkanik që zhvillohet në Kastoria të Greqisë. Dhe  më tej vazhdon  në vitin 1990  me ekipin kombëtar të rritura në Kampionatin Ballkanik që zhvillohet në  Dhrama të Greqisë, në vitin  1991 në Lojrat Mesdhetare “Selanik  1991”,  në  vitin 2002   në Andorë  ku ekipi ynë kombëtar i drejtur  nga trajneri vlonjat   fiton  kupën e parë dhe vetme deri tani  për eventet ndërkombëtare, siç  ishte  Kupa e Promocionit (për vendet e vogla) . Në vitin 2012  është  përsëri trajner i ekipit kombëtar dhe  drejton skuadrën  në fazën de dytë në Kampionatit  Europian.

Medalja e munguar për Petrit Stefën

Një muaj më  parë,  më saktë,  në  20 Nëntor  2020,  Petrit Stefa mbushi 75 vjeç. Duke kërkuar  për të mësuar dikça më shumë për vlerësimet që ka marrë,  kuptuam qartë se  kësaj figure me kaq  dritë  dhe shkëlqim i mungon një vlerësim i  nivelit të duhur nga  qyteti tij i Vlorës. Gjithsesi, në podin e vlerësimeve  ndër vite ai është lauruar  me titujt “Mjeshtër Sporti”,  “Trajner i Merituar”, “Mjeshtëri Madh” në shkurt 2012  dhe “Medalje Meritës “ në dhjetor 2014. Këtë vlerësim të bërë për  25 figurat më të shquara të sportit shqiptar, vetë Petrit Stefa e vlerëson si të veçantë në dimesion dhe në vlerat  e saj. Dhe të gjitha këto, janë vlerësime shumë të merituara për  një jetë të lidhur fortë me sportin e basketbollit, si sportist dhe trajner. Nuk janë pak 50 vjet të përkushtuar për sportin e një qyteti, siç është rasti  i legjedës  të gjallë Petrit Stefa. Punë, pasion, vështirësi, zhgënjime dhe  suksese, që së bashku formojnë kornizën  e një karriere gjysëm shekullore, e cila ka bërë  sfidë në çdo kohë. E megjithatë,  për “floririn” e basketbollit vlonjat,  askush  nuk është kujtuar në Vlorë për ta konvertuar vlerën e tij  për aq sa i takon. “Profesori”  panikinës të basketbollit, që është gëzuar sa herë  suksese të “Ferrarit të Vlorës”, me modestinë që e karakterizon ka pritur ashtu në heshtje, që  dikush atje në pushtetin vendor të Vlorës, të kujtohet për të vlerësuar  me atë që i takon punën dhe vlerat e tij shumëvjeçare  në shërbim  të sportit. Edhe pse titujt dhe trofetë janë të shumtë, nuk do të teprohej që së bashku  me to të “prehej’ edhe një medaje  që ai e ka meritur plotësisht me kohë. Trofetë, titujt kampion dhe kupat  e fituara janë  dëshmi  të qarta për të vlerësur dhe nderuar, ashtu siç e meriton  Petrit  Stefën.

SKEDA PETRIT STEFA

Lindur: në  Vlorë më  20 nëntor 1945

Karriera si sportist:  Në vitet  1959- 1963 ekipi basketbollit të të rinjëve të ‘Flamurtarit’ dhe “Studentin “ në vitet  1963-1964.

Karrera si trajner: Në vitin  1972  -1992 ekipi  baskebollit femra të “Flamurtarit”  në vitet  1992-1994 ekipi femrave ‘Skeria” Korfuz , në vitet    1999-2000 ekipi meshkujve  ‘Erithros –Stavros” –Athinë , në vitet  2003-2004  ekipi ‘Luftëtari’-Gjirokastër , dhe  2004 -2005  ekipi meshkujve të “Flamurtarit “ . Në vitet 1978, 1983, 1987, 1989, 1990, 1991,  2002  dhe 2012 trajner  ekipeve kombëtare  të reja dhe të rrituara.

Trofe të fituara:  25  trofe gjithësej;   7  tituj kampion,  dhe 5 Kupa Republike, dhe 9 Kupa të Federatës dhe festave zyrtare me “Flamurtarin”,  1 titull kampion, 1  Kupë Republike dhe 1  Superkupë  me “Luftëtarin’ dhe  1 Kupë Evropiane  Promocionit  në 2002  me ekipin kombëtar.

Vlerësimet:  “Mjeshtër Sporti “ , “Trajner i Merituar” , “Mjeshtëri Madh” në shkurt 2012  dhe “Medalje Meritës “ në dhjetor 2014.