Gëzim Llojdia: Feti Brahimi, gjashtë violin dhe një penë e artë

476
Sigal

Kur kujtomë poetin ne kemi në mendje, perlën e polifonisë sonë :“Janinës ç’i panë sytë”.

Si e mori RAI këngën dhe e përpunoi aq mjeshtërisht
1.
Feti Brahimi ishte poet, një ndër xhevahiret e mëdhenj të polifonisë. Kur themi Feti Brahimi, ne kemi në mendje, perlën e polifonisë sonë :“Janinës ç’i panë sytë”.” Gjashtë violina” i kanë quajtur 6 djemtë nga Lapardhaja, që kënduan atë këngë dhe : “një penë e artë” në mes që identifikohet Fetiu. Ai ishte autori i vargjeve, por edhe i melodisë të cilën e krijonte vetë. Në të vërtetë, Feti Brahimi lindi në Lapardha dhe jetoi atje dhe në Kotë e së fundi në Vlorë, por ai ishte i zgjedhur nga bukuria hyjnore, si poet dhe një ndër më të veçantët. Nëse polifonisë, do t’i themi ujëvarë, uji më i distiluar i saj ishte Feti Brahimi me krijimet e tij. Përpara se grupi i Lapardhasë të shkonte në Gjirokastër aty nga viti ‘83, reportazhin e parë te gazeta: “Zëri i Vlorës” dhe gazeta “Bashkimi” e realizova një ditë vere, ndërsa në vjeshtë kryesisht në muajin tetor në bedenat e kalasë gjëmonte kënga, vallja dhe bukuria e folklorit shqiptar. Atë verë shkova në Lapardha dhe takova Fetiun. E njihja nga grupi i Lapardhasë i cili konkurronte çdo vit në Kotë, ose jepte shfaqje për kooperativistët dhe banorët e tjerë të zonës. E gjeta përpara dyqanit me artikuj të përzier. Lapardhaja është një fshat në këmbë të malit të Shashicës, që e rreh dielli sapo lag agun e ditës. Fetiu mësoi qëllimin tim dhe më tha: “Flasim më mirë jashtë”. Kishte fshatarë në dyqan dhe nuk ishte i qetë. Lëvizëm ngadalë duke shkuar drejt shtëpisë së tij. Ai fliste në këmbë.

-Feti, e pyeta,- me se do paraqiteni në Gjirokastër?
-“Janinës ç’i panë sytë”. Dëgjoje, më thotë, dhe filloi ta këndonte vetë i pari, -pastaj do shkojmë te dyqani, se kemi nja dy djem të grupit atje dhe ta dëgjosh më mirë.
-Si i gjete vargjet e këngës, ose më mirë si i keni krijuar?
-Në fakt i kam dëgjuar nga babai im. Bënte fjalë për një këngë të vjetër të hershme të luftëtarëve shqiptarë.
-Kënga përmend ngjarje historike ndoshta të viteve 1840 – 1890 dhe ka për vendngjarje Janinën, dhe Pesë Puset. Kur e pyeta ku është kënduar kënga, më tha në fshatë , Velçë , Mavrovë në Lumin e Vlorës.
-Unë e përpunoj vetë melodinë e ripërpunoj me veten, pastaj bëjmë prova te vatra e kulturës. Në prova shikojmë mangësitë dhe çfarë duhet ribërë nga e para për të aritur përsosmërinë. Lidhur me tekstin e këngës Fetiu më thotë është tekst i vjetër më shumë gjendet në memoriet e njerëzisë se në libra. Unë tha ai i dëgjoj nga pleqtë e vjetër, këngët bejtet e tyre i mbledh dhe i shkruaj, ose i stivos në memorie për t’i shikuar më vonë. Në një dasmë në një ziafet dhe kudo ku këndohet apo citohen bejte,vargje popullore nga të moshuarit, unë i dëgjoj dhe i shkruaj. Pasi pimë një gotë me raki te shtëpia e tij u nisëm te dyqani ku ishin disa nga këngëtarët e grupit folklorik të Lapardhasë, që aso kohe punonin në kooperativë. Më duket ishte Nazifi dhe një tjetër.
-Gazetari do të dëgjojë këngën, që do shpiem në Gjirokastër. Nazifi me bukurinë e zërit, virtualitetin dhe magjinë e tingujve më bëri të rrënqethem. Ishte aq mahnitëse sa kurrë më parë s’kisha dëgjuar një melodi të tillë të bukur flurore me aromë hyjnore.
Janinës çi panë sytë,/ ish e premte ajo ditë./ Te pesë puset në grykë/ Zenel Çelua vet i dytë./ Zeneli me të velçiotë/ dhe trimi Jaçe Mavrova./ Çau mes përmes taborë,/ kur shtriu Pashanë e njohën.
2.


Kënga u dëgjua në publik në festivalin folklorik në Gjirokastër në vitin 1983, ndërkaq më parë ishte dëgjuar në festivalin zonal të Kotës, ku përzgjedhësi ishte një juri me Haxhi Dalipin, sikurse më vonë më tej në Vlorë, nga ku bëhej përzgjedhja definitive për të shkuar në fest-folkun e Gjirokastrës.
2.
“Janinës ç’i panë sytë” u bë një ndër këngët më të dëgjuara dhe më të kënduara. Ishte vështirë ta këndoje një perlë, sepse duhej zëri i Nazifit dhe teknika e tij e veçantë në përpunimin e zërit. Aq popullore u bë “Janinës ….” saqë nami i saj shkoi përtej detit. RAI e mori këngën dhe e përpunoi. Por jo si ai përpunimi që bëri Ansambli i këngëve, por nxori një melodi tejet të bukur që i shkonte për shtat veç asaj bukurie polifonike. Shpesh melodia e këngës së Janinës jepej në RAI, aq sa edhe vet italianët mahniteshin me këtë bukuri të pashoqe. Mirëpo, RAI, një ditë e hoqi perlën nga transmetimi, pasi pjesëtarët e grupit të Lapardhasë nuk ishin dakort. Një ditë pa u mbyllur vitet ’80, Grupi i Lapardhasë dhe Fetiu, shkuan në Francë me: “Janinën…”. Mirëpo edhe: “Janina e Fetiut, kishte kundërshtarët e saj, si çdo gjë shqiptare. Studiuesi dhe mbledhësi i folklorit Fatos Merro Rrapaj, vjen një ditë dhe më thotë se kënga që ishte shfaqur në Gjirokastër: “Janinës ç’i panë sytë” nuk ishte ashtu siç e kishte shkruar Fetiu, por diçka ndryshe, madje s’kishte fare të velçotë apo mavronjotë. Fatosi kishte botuar këngët popullore te Çamërisë dhe Labërisë dhe më tregoi tekstin origjinal.
-Dëgjo Fatos miku i thashë, ja u bë një artikull, ja u bënë dy, ja edhe më shumë, por ata s’e rrëzojnë dot nga piedestali atë perlë, që vijon të mahnitë ende të huajt edhe pse ka shumë vite që është krijuar dhe kënduar.
-Ke të drejtë , -tha Fatosi. Më tutje i thash Fetiut, se studiuesi F.M.Rrapaj kishte një oponencë me vargjet e tekstit të Janinës. Fetiu u nxi në fytyrë dhe më tha: “Kënga mund të ketë si tekst disa variante. P.sh në zonën tonë është kënduar pikërisht ashtu siç është tashmë. Në zona të tjera mund të jetë përshtatur dhe kështu me radhë.”
3.
Disa rradhë nga bejtet e Fetiut. Fetiu punonte si normist në Lapardha. Një ditë ai vuri në lojë kryetarin e kooperativës me bejten e tij të famshme: “68-49 mbushur me mish nga brenda…”, ku diskreditohej kryetari i kooperativës, kryetari bënte nder e hynere për vete te të mëdhenjtë në Tiranë. Një herë tjetër ai thuri një bejte për një shofer autobusi i cili vinte çdo mëngjes e darkë në Kotë dhe sillej shumë mirë me njerëzit, madje nuk linte njeri pa marrë. Fetiu si rapsod popullor, thuri në vargje një fletërrufe ku midis të tjerave shkruhej: “Kush e njeh shofer Pëllumbin, atë djalin atë brunin…. dhe pas asaj fletë- rrufeje të bukur siç kishte një traditë aso kohe, por kjo ishte krejt ndryshe ajo nuk kritikonte por nxirte në pah vlerat humane të një njeriu punëtor, shoferi që i ishte hequr autobusi të nesërmen erdhi sërish në linjën e vjetër Vlorë-Kotë. Një ditë ishim në Mavrovë, unë punoja në sektorin e bujqësisë në atë fshat. Për mungesë të mjeteve ky sektor asnjëherë s’e realizonte planin që shkruante në fillesë të viteve. Fetiu aty për aty i bëri këtë varg agronomit: “Agronomi ynë krenar ka një plan në inventar….” Ka shumë vargje të thurura nëpër dasma, nëpër festivale, ceremonira dhe nga aktivitete të ndryshme nga Feti Brahimi. Janë aq shumë sa që do të kërkojnë volume të tëra për t’i botuar.