Interi i merr tre pikë Romës, Lukaku me shokë dalin me kokën ulur nga “San Siro”

28
Sigal

Një nga pretendentët kryesorë për titullin kampion në Itali, Interi, ia ka dalë të marrë 3 pikë të rëndësishme në shtëpi duke mundur minimalisht 1-0 Romën.

Zikaltërit dominuan totalisht në pjesën e parë, duke ushtruar presion konstant në zonën e kundërshtarit. Calhanoglu goditi shtyllën, ndërsa në minutën e 44-të, skuadra nga Milano pretendoi për penallti. Një mbajtje në zonë e Dumfries u vlerësua si e rregullt nga arbitri Maresca, pavarësisht pretendimeve nga ai aksion, djemtë e Inzaghit fituan thjeshtë një goditje këndi.

Në krahun tjetër, vetëm 2-3 prekje topi për Romelu Lukakun, sakaq portieri i Interit, Sommer, ngjante me një spektator. Në minutën e 74-të u aktivizua Kristjan Asllani, i cili mori vendin e Calhanoglu.

Dyshja e sulmit të Interit, Thuram-Lautaro nuk kishte “shënjestrën” e duhur për të ndëshkuar Rui Patricio-n. Pas shumë përpjekjesh, Thuram zhbllokoi takimin, pas një asist të Dimarco.

Një predhë e Carlo Augusto tronditi shtyllën e Romës por vetëm kaq, pasi shifrat do mbeteshin 1-0 deri në fund. Interi kryeson kampionatin me 25 pikë, ndeshja e radhës është në Bergamo ndaj Atalatës. Roma e vendit të tetë, do të përballet me Leccen brenda në Olimpico.