EURO 2020(2021)/ Anglia bën historinë, arrin për herë të parë finalen e Kampionatit Evropian

304
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ditën e djeshme u mësua dhe ekipi i dytë, që do të kalojë në finalen e Kampionatit Evropian ‘Euro 2020’, kompeticion i cili ishte planifikuar që të zhvillohej vitin e shkuar, por për shkak të vitit pandemik, që vitin e kaluar pezulloi të gjitha eventet ndërkombëtare, u vendos që eventi më i madh futbollistik i kontinentit, të zhivllohej këtë vit, me një risi, ku ndeshjet do të luhen në 11 stadiume, të 11 vendeve të ndryshme në Evropë, me finalen e madhe që do të luhet mbrëmjen e 11 korrikut, në stadiumin mitik të “Wembley”-t në Londër.

Angli 2-1 Danimarkë

Anglia arriti të kalojë mes vuajtjesh ndaj Danimarkës, në një gjysëm-finale tepër të luftuar në Londër, duke arritur të kualifikohet për herë të parë në histori, në finalen e një Kampionati Evropian. Loja nisi e zjarrtë, me të dyja ekipet që u hodhën menjëherë në sulm në kërkim të fitores, që përkthehet në një vend në finalen e madhe të 11 korrikut. Të parët në sulm ishin angelezët me Stërling dhe Kejn, të cilët u hodhën menjëherë në kërkim të golit. Kundërpërgjigjja nuk do të vononte dhe në minutën e 30’, Darmsgard do të kalonte në avantazh danezët pas një goditjeje fantastike nga një goditje dënimi, 30 metra larg portës angleze. Menjëherë anglezët u hodhën në sulm, ku do të ishte sërish Stërling ai që do të rrezikonte portën daneze, por goli i barazimit nuk do të vononte dhe, në minutën e 39’, pas një aksioni personal të Bujako Saka, i cili dërgon një pasim për Stërling brenda zonës, por Kjaer i pafat në tentativë për të larguar topin, e çon gabimisht topin në rrjetën e tij, duke barazuar shifrat. Me startin e pjesës së dytë anglezët ndryshuan fytyrën, duke u hedhur menjëherë në sulm.

Në minutën e 55’, Meguajër kërcen më lart se gjithë të tjerët, për të goditur topin me kokë, por portieri Shmajkëll ishte i vëmendshëm, duke e larguar rrezikun nga porta e tij. Pas Meguajër, do të ishte rradha e kapitenit Kejn, i cili do të rrezikonte portën daneze. Në minutën e 74’, Kejn bie në zonë, por fillimisht arbitri nuk akordon penallti, pas protestave të futbollistëve arbitri rishikoi aksionin me sistemin VAR, por sërish nuk u akordua. Me kaq përfundoi dhe pjesa e dytë, po në rezultatin 1 me 1, rezultat ky, që i hapi rrugë zhivllimit të kohës shtesë. Me startin e kohës shtesë, anglezët u hodhën direkt në sulm në kërkim të golit të fitores. Në minutën e 103’, mbrojtësi danez Joakim Mahle, ndërhyn keq brenda zonës ndaj Rahim Stërling, dhe pas rishikimit të ndërhyrjes me sistemin VAR, arbitri këtë herë akordon një penallti. Nga pika e 11-metërshit Kejn gabon, por fati është me të, pasi topi i rikthehet sërish te këmbët, duke e dërguar sferën në rrjetë. Me fitoren e kësaj sfide, Anglia kalon në finalen e madhe të 11 korrikut, ku do të përballet me Italinë, në një finale që pritet të jetë magjike.