Miltiadh Muçi: Arrestimet e fundit, nuk janë meritë e policisë, prokurorisë dhe gjykatës, por e ndërkombëtarëve

363
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Të mos habitemi, një ditë do të ndodhte kjo, me drejtuesit e policisë!

Nuk mund të harrohen skenat kur në Ishëm ishte ulur avioni që do të “provonte” pistën e përgatitur

-“Kanabis sativa që mbin vetë”, fenomeni shqiptar që po habit botën

– Policia e drejtësia nuk vepronin, bënin e bëjnë të paditurën sepse, e gjithë veprimtaria e kanabis sativës, ka qenë dhe mbetet e lidhur me interesat e shumë drejtuesëve të policisë

Sa herë që policia kapte ndonjë individ, kultivues apo transportues të  kanabis sativës, në gjithë këto vite janë vlerësuar sukses, kur dihej se personat që janë marrë dhe merren me kanabis sativa e jo vetëm, kanë qenë dhe janë, shumë herë më tepër. Prandaj të mos habitemi me arrestimet më të fundit të grupeve të organizuara që, me vite të tërë janë marrë me kultivimin, transportimin, shitjen e shpërndarjen e kanabis sativës. Nga informacionet e dhëna për opinionin të mediave e organeve të  policisë, prokurorisë e gjykatës, habia paska qenë se, midis personave të arrestuar janë edhe disa punonjës të shtetit, prokurorë e oficerë të policisë, të pushtetit vendor e të tjerë që kanë gjetur mbështetje për realizimin e gjithë veprimtarisë kriminale.

Por do të thosha se, një ditë do të ndodhte, që këta persona do të zbuloheshin e arrestoheshin dhe jo vetëm këta, sepse dihej  dhe dihet se, qytetarët diskutonin e diskutojnë, por policia e drejtësia nuk vepronin e nuk po veprojnë, bënin e bëjnë të paditurën sepse, e gjithë veprimtaria e kanabis sativës ka qenë dhe mbetet e lidhur me interesat e shumë drejtuesëve të policisë, të prokurorisë e gjykatës. Duhet ta themi se arrestimet e fundit, nuk janë meritë e organeve të policisë, prokurorisë dhe gjykatës, por e dashamirësve ndërkombëtarë, të vendosur për të realizuar reformën në drejtësi, derisa asnjëri të mos mendojë se është i paprekshëm, si deputetë e politikanë, qeveritarë e pushtetarë, kur jemi bërë dhe vazhdojmë të bëhemi pengesë të saj.

Pas ndërhyrjes së qeverisë socialiste në Lazarat, në qershorin e vitit 2015, që quhej bastion i demokratëve për kultivimin, shitjen e shpërndarjen e kanabisit, u fol dhe u përfol se do të ndodhte sikurse  me Lazaratin, prandaj bëra shkrimin e parë: “Një vit nga vrasja e Ibrahim Bashës dhe metastazat e Lazaratit”. Ishte shkrimi që e shoqërova me të  tjerë, në vazhdimësi sepse vërtetë ashtu ndodhi, metastazat kishin hedhur rrënjët në  të gjithë vendin, ku nuk mund të bëje përjashtim nga jugu në veri dhe nga lindja në perëndim, veçse konkuronin njëri-tjetrin. Dhe kjo më detyroi të botoja shkrimin e dytë, me titull: “Kanabis sativa në nivelet më të larta të eksporteve shqiptare”, sepse vetëm pak ton u kapën nga policia, ndërsa dhjetra të tjerë shkuan në destinacion. Trasportimi nuk njihte vetem skafet nëpërmjet detit, por edhe më shumë me kontenjerë e avionë,  nëpërmjet tokës e qiellit.

Por shteti u detyrua të “merrte masa si asnjëherë”, ku “rol të madh luajti opozita”, që  ngrinte zërin hera-herës në parlament. Nuk mund të harrohen skenat kur në Ishëm ishte ulur avioni që do të “provonte” pistën e përgatitur, se përse nuk u mor vesh, ndërsa ministri Tahiri informonte parlamentin se, u “asgjësuan” edhe rrënjët e fundit të kanabisit, ndërsa në shkrimin e shtatorit 2016, pyesja ministrin: “Vërtetë u asgjësuan rrënjët e fundit të kanabisit”? Nuk mjaftoi me kaq, ndërsa deklaronte se do të merreshin masa, për ta parandaluar kultivimin  në të ardhmen, dhe përsëri e pyesja: “Si do ta parandalosh kanabis sativën z. Ministër”? Kuptohej, veçse me fjalë, me propagandë, meqenëse nuk donte ta bënte dhe më parë. Prandaj e quajta shkrimin: “Përralla e radhës e ministrit të kanabis sativës”, ndërsa digasterin që drejtonte “Ish-ministria e kanabis sativës”.

Vërtetë kështu ka ndodhur, me “masat e marra nuk do të kultivohej kanabis”, por do të kishte kanabis që do të mbinte vetë, sikur garantoi në njoftimin e tij në media një drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, prandaj ciklin e shkrimeve për kanabis sativën e mbylla me titullin: “Kanabis sativa që mbinë vetë”, dhe ky fenomen shqiptar vazhdon, të mbijë vetë. Sepse është kultivari më i ri i zbuluar nga policia.

Si duhet të jetë ekspertimi ligjor në  një shtet të vërtetë ligjor…?

Në fillimin e viteve ’80, ekspertët e kriminalistikës, të mjekësisë e autoteknikës i shqetësonte objektiviteti në hetimin dhe në gjykimin e çështjeve penale e civile. Për të shmangur kontradiktat u bënë përpjekje, që të ngrihej institucioni i ekspertimit të pavarur, gjyqësor, pranë  Fakultetit të Drejtësisë, ose një institut si shumë të tjerë, në vartësi të Akademisë së Shkencave. Në vitet ’80, për ekspertimet në grup, kodet e procedurës e përcaktonin “nëse ka mendim të ndryshëm, eksperti i vetëm t’i formulonte në akt të veçantë”. Por në ndryshimet që iu bënë rregullores së Laboratorit Qendror të Kriminalistikës, shprehimisht thuhej, që ky ekspert përjashtohej dhe zëvendësohej nga një tjetër. Rastet nuk mungonin, sikurse ekspertimi i thikave të përdorura për shpimin e gomave të autoveturave të disa përfaqësive diplomatike;  lëshimi i aktit  të ekspertimit mjeko-ligjor  për shkakun e vdekjes të kryeministrit Mehmet Shehu, pa e kryer autopsinë; dhjetëra të akuzuar për vepimtari armiqësore të paprovuar, që mbylleshin në psikiatri pas ekspertimit në ndikimin e organit të akuzës etj.  Kanë kaluar dekadat nga ndryshimet e sistemeve, dhe ekspertimi kriminalistik, mjekësor, autoteknik, etj., nuk mbështeten në ligj të veçantë, sikurse në vendet e tjerë të Evropës, që të garantojë pavarësinë e ekspertimit. Në çështjet penale me veprime të këqyrjes së vendit të ngjarjes, të teknikës së marrjes, ekzaminimit dhe vlerësimit të gjurmëve e provave materiale, për identifikimin të personit dhe mjeteve të përdorura, në procesin gjyqësor nuk ka oponencë kriminalistike, etj.

Shumë ekspertime jo vetëm për çështjet penale, por dhe civile, padrejtësisht kryhen nga policia shkencore, kur duhet të merret me vrasësit dhe vjedhësit, grabitësit dhe të tjerë. Në Institutin e Policisë Shkencore, 35% e ekspertimeve janë për çështjet civile në gjykim.

Pas 30 vitesh ndodh e njëjta gjë. Gjykata pranon ekspertimin daktiloskopik të krahasimeve masive të “gjurmëve të vendit të ngjarjes”, me shenjat e duarve të kartelës që e administron policia; aksidenti automobilistik i Vishës në Himarë, me studentët e universitetit të Elbasanit, grupi i ekspertëve ishte me oficerë të policisë; në ngjarjen e maternitetit të “Mbretëresha Geraldi- në”, nga strukturat e këtij shërbimit; në ekspertimin e plumbave të ngjarjes së 21 janarit 2011, etj,…

Gjithçka ka ndodhur me gjykatat tona. Nuk vlerësohet “Institucioni i ekspertimit të pavarur”, përsa ekspertimi s’mund të  jetë objekt  i veprimtarisë së OJF-ve, që

pajisin çdo person me dëshminë e ekspertit kriminalist, autoteknik etj., njësoj si për te parukierëve e berberëve, pastiçierëve e kuzhinierëve. Prandaj, me nismën e një grupi ekspertësh, u përgatit drafti i “Ekspertimit ligjor”, që iu dërgua instucioneve shtetërore, por për të ardhur keq, sepse prej tyre, nuk pati aspak reagim.