Pelegrinazhi në Malin e Tomorrit, policia zbardh planin e masave

256
Sigal

Në datat 18-25 gusht 2022 do të mbahet pelegrinazhi në Malin e Tomorrit në Berat. Nisur nga kjo ngjarje, policia ka marrë masat për qarkullimin normal të automjeteve dhe të këmbësorëve.

Konkretisht, në terren do të jenë 185 efektivë me rreth 42 mjete, të cilat do të mbështeten nga shërbimet e Repartit të FNSH-Fier, si dhe nga Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore, të cilat do të mbikëqyrin 24 orë dhe do të menaxhojnë çdo situatë të krijuar në akset rrugore, si dhe në ambientet rreth teqesë në Kulmak, ku dhe do të kryhen ritet fetare.

Për zbatimin e këtij plani masash do të bashkëpunohet me organet e pushtetit vendor, P.M.N.Z.SH.–në, Spitalin Rajonal Berat, Kryegjyshatën Botërore Bektashiane etj.

Itinerari për drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të Malit Tomorr (drejt teqesë) do të jetë:

Hyrje e qytetit të Beratit – Rrethrrotullimi i Kombinatit – Unaza e qytetit – Rrethrrotullimi Uznovë – Kryqëzimi Plirëz – Teqeja e Kulmakut.

Itineraret për drejtuesit e mjeteve që kthehen nga Mali Tomorr (Teqeja) do të jenë:

Teqeja e Kulmakut – Bargullaz – Pronovik – Poliçan – Uznovë – Berat (rruga kryesore Antipatrea) – Rrethrrotullimi i Kombinatit;

Teqe e Kulmakut – Novaj – Bogovë – Poliçan – Uznovë – Berat (rruga kryesore Antipatrea) – Rrethrrotullimi i Kombinatit.

Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës, këshillohet të përdorin aksin rrugor “Çorovodë – Gjerbës – Teqeja Kulmak” dhe kthim.

Sa i përket kufizimeve për automjetet, në akset rrugore “Vlashuk Kuçovë – Berat”, ”Ura Kuçit – Dimal – Berat”, “Pobrat – Dimal – Berat”, ”Berat – Mali Tomorrit”, ”Berat – Çorovodë”, ”Çorovodë – Gjerbës – Mali Tomorrit”, nuk do të lejohet të qarkullojnë mjete të tonazhit të rëndë nga ora 06:00 – 24:00, për periudhën 18 – 25 Gusht 2022.

Kufizime do të ketë edhe për autobusët, të cilët nuk do lejohet të qarkullojnë në aksin “Plirëz – Teqeja e Kulmakut – Mali i Tomorrit”.

Me anë të këtij komunikimi për shtyp sjellim në vëmendje të drejtuesve të mjeteve që do të marrin pjesë në pelegrinazh, të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit, të evitojnë përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe të përdorin rripat e sigurimit.

Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor “Plirëz – Teqeja e Kulmakut”, qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë dhe nuk do të lejohen parakalimet.

Gjithashtu, është i ndaluar qëndrimi dhe pushimi i mjeteve në aksin e rrugës.

Drejtuesit e mjeteve të zbatojnë dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë për vendet ku do të lejohet pushimi dhe parkimi i mjeteve.