/Gazeta TELEGRAF
Dr. Victor Frankenstein, personazhi qendror i romanit “Prometeu modern” të anglezes Mary Shelley (v.1818), krijoi një përbindësh në laborator; ai besonte naivisht se do të mund t’a kontrollonte plotësisht krijesën e tij. Por përbindëshi i fuqishëm filloi të kërkonte gjëra të pamundura nga krijuesi i tij Dr. Frankensteini; pastaj e kërcënoi atë e më pas fillloi të vriste njerëzit e dashur të tij, në fund edhe nusen e doktorit, natën e dasmës.
E di që çdo krahasim çalon; por nuk di parabolë tjetër nga letërsia evropiane që do t’i përshtatej më mirë raportit të krijuar midis ndëkombëtarëve euroatlantikë e pushtetarit në Tiranë (parabola vlen edhe për ndonjë tjetër korruptokrat në Ballkan).
Ata u kujdesën t’a ushqejnë e t’a rrisin duke bërë sikur nuk ja shihnin cenet. Por kur cenet u zunë sytë e nuk fshiheshin dot, ndërkombëtarët filluan me ndonjë kritikë a kërkesë. Hazër-xhevapi i korruptokratit ishte “a, ç’më çani veshët!”;
15 kushtet për shtet ligjor i injoroi e i prezantoi si kapriçiot e disa politikanëve në Evropë; kjo e fundit, prapë mbylli sytë, zuri hundën me dorë dhe tha se, sikur ‘ok’ janë.
Dështimin fillestar me vaksinat, pushtetari ja la në derë BE-së, me akuza të padëgjuara. Veç një shtet serioz reagoi me nerv ndaj paturpësive. Të tjerët pëshpëritën të squllur.
Marrëveshjen zgjedhore me opozitën e shkeli, edhe pse e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët. Këta të fundit, kur reaguan, nuk bënë më shumë se një gëk-mëk të mekur.
Prandaj edhe injorimi sot, i apelit euroatlantik (OSBE përfshin edhe Amerikën e Veriut) për të ndalur emërimin e shefes së AMA-s, nuk ishte veçse një përsëritje e kronikës së një kapjeje të paralajmëruar. Dhe e dëmtimit të mëtejshëm të reputacionit e të influencës reale të komunitetit euroatlantik.
Mbrojta e lirisë së medias, duhet të ndodhë e do të ndodhë në fushëbetejën shqiptare. Por ndërsa korruptokrati i ditës është armiku i madh i lirive, lipset të vrasim pak mendjen, edhe për rolin e “nëpunësve syleshë të perandorisë”.





















