KATEGORIA E PARË/ Ish-mbrojtësi dhe tekniku i vlonjatëve, Eqerem Memushi, bën parashikimin
Agron KAJA

Faza e tretë e Kategorisë së Parë e nisi javën e 23-të me një shtrirje tre ditore në zhvillimin e ndeshjeve të saj. Në këtë javë u shënuan 13 gola, dhe më e veçantë mbeti vazhdimi i kryesimit të Vorës dhe Flamurtarit, skuadra, të cilat specialisti i futbollit Eqerem Memushi i quan 99% të ngjitura në Abissnet Superiore. Për gazetën “Telegraf”, dje ai theksoi se edhe starti i fazës së tretë nuk solli ndonjë ndryshim me efekte në tabelën e renditjes. “Asnjë lloj ndryshimi nuk kishte pas ndeshjeve të javës së 23-të. Skuadrat janë ndarë e të vendosura në pozicionet e tyre si e mbyllën fazën e dytë, me Vorën e Flamurtarin drejt Superiores dhe me Erzenin e Valbonën në mbyllje të tabelës së renditjes”, kështu nisi biseda me teknikun vlonjat, i cili ndryshimet i mendon kryesisht nga vëndi i 7-të dhe deri te i 11-ti. Më tej, ai shprehet se për dy skuadrat kryesuese nuk pritet të ketë rrezikshmëri deri në mbylljen e kampionatit. “Me kalendarin e 10 javëve të mbetura, Vora dhe Flamurtari nuk kanë rrezik ta humbasin shansin të jenë dy skuadrat që do hyjnë direkt në Superiore. Unë e konfirmoj se 99% ato janë në Superiore të dyja. Vora hyn për herë të parë në histori në elitën e futbollit shqiptar, dhe për të suksesi është i dyfishtë. Këtu merr një vlerë të veçantë edhe trajneri Arjan Bellai, i cili po bëhet “ekspert” në ngjitjen e skuadrave nga Kategoria e Parë në Abissnet Superiore”. Dhe nisur nga renditja, Memushi vazhdon me mendimin e tij se vetëm kreu nuk do ndryshojë deri në mbylljen e këtij kampionati. “Rivalitet do të kemi te Vora e Flamurtari për kampion, por edhe te Kastrioti, Apolonia e Pogradeci për një vënd në zonën Play-off. Do jetë një luftë e hapur edhe në fundin e tabelës, ku Valbona e ka mundësinë të ngjitet një vënd më sipër, e këtu kujdesi i shtuar duhet të jetë kryesisht te Kukësi, e më pak Korabi. Do kemi ndryshime të ndjeshme në tabelën e renditjes, sepse aty skuadrat nuk kanë shumë diferenca. Veç dy kryesuesve, të tjerat janë afër mes tyre në nivel”. Po si e shikon Memushi javën e 24-ët? “Si janë ndarë skuadrat me këtë skemë, nuk do ketë kompromise. Kampionati do jetë shumë i fortë dhe nuk do ketë tolerime e kompromise. Nuk besoj se Flamurtari do ndalet në Kukës dhe Vora në Tropojë. Flamurtari është skuadër më e kompletuar dhe ëndrra e rikthimit në elitë po bëhet realitet”, ishte kjo biseda me specialistin e futbollit Eqerem Memushi.
LEGJIONARË NË EUROPË
E kërkon Maqedonia e Veriut, Silvinjo lë në heshtje Kurtulan

Pas një paraqitje të mirë me Kombëtaren U21 të Shqipërisë, shqiptaro-maqedonasi Arda Kurtulan është duke kaluar një formë të mirë edhe në kampionatin turk, teksa është pjesë e skuadrës Adanademirspor. Kjo formë e mirë e tij ka bërë që nga Maqedonia e Veriut ti vijë ftesa për të qenë pjesë e kualifikuesve të Botërorit, një prapaskenë kjo e zbuluar në Turqi. Ata e njohin formën e mirë të 22 vjeçarit që nga moshat e vogla, dhe nuk kanë harruar që këtë talent ta bëjnë pjesë të tyre. Kjo ndodh në një kohë kur trajneri i Kombëtares shqiptare Silvinjo, ende nuk e ka menduar një ftesë për Kurtulan, ndërkohë që në mesin e muajit mars 2024 do të nisin ndeshjet në Grup për Botërorin 2026. Gjatë këtij sezoni, Kurtulan ka qënë titullar tek Adanademirspor, ku ka qënë protagonist në 4 gola në Superligë, ndërsa ka shënuar 1 gol në Kupë.
Forma e lojtarit që aktualisht po aktivizohet si mbrojtës i djathtë, ndoshta do të merret në konsideratë edhe në kombëtaren shqiptare.

Visar Bekaj ka mbrojtur portën e Tiranës në tre sezone, 2020-2023, ku edhe e ka mbrojtur portën bardheblu në 103 ndeshje zyrtare. Por në këtë fillimjavë veçohet fakti se ai është zgjedhur në formacionin e javës në Superligën turke. Skuadra ku ai luan, Hatyaspor, fitoi minimalisht 1-0 me Alaniaspor-in, ku Bekaj e mbajti portën të paprekur. Gjatë 90 minutave, portieri kosovar bëri katër pritje vendimtare duke e mbajtur të paprekur rrjetën e portës së mbrojtur prej tij, ndërsa u ndëshkua me karton të verdhë në fundin e sfidës. Paraqitja e mirë e tij u vlerësua me notë të lartë edhe nga faqja e specializuar e statistikave Sofascore, e cila i vendosi në formacionin e javës në kampionat. Ai u notua me notën 7.6 dhe ishte pjesë e formacionit në Superligën turke, përbri Viktor Osimhen, apo edhe Youssef En-Nesri. Kujtojmë se Visar Bekaj u largua nga skuadra e Tiranës dy sezone më parë, kun ë sezonin 2021-2022 u shpall kampion në Superiore, dhe një sezon më pas nënkampion, por me pikë të barabarta me Partizanin.
Renditja dhe verdiktet, “Rebus” në fazën e tretë
Faza e tretë e Kategorisë së Parë ka luajtur javën e parë, por renditja e saj nuk ka ndryshuar dukshëm. Referuar kalenderit, një “Rebus” mund të kemi nga vëndi i 3-të e deri te i 12-ti, sepse Vora dhe Flamurtari në vëndet 1 dhe 2 janë me një këmbë në Superiore. Janë tre verdikte në lojë për tu zgjidhur deri në mbyllje: Skuadra që do luajë Play-off me vëndin e 8-të të Superiores, skuadra që do luajë Play-out me skuadrat e Kategorisë së dytë dhe dy skuadrat që zbresin nga Kategoria e Parë.

KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java 23
E shtunë, 22 shkurt 2025
Apolonia-Burreli 13:30
Kastrioti-Pogradeci 13:30
Valbona-Vora 13:30
Korabi-Besa 13:30
Kukësi-Flamurtari 13:30
Lushnja-Erzeni 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Vora 23 57
2.Flamurtari 23 55
3.Besa 23 46
4.Burreli 23 37
6.Lushnja 23 33
5.Pogradeci 23 32
7.Kastrioti 23 30
8.Apolonia 23 29
9.Korabi 23 25
10.Kukësi 23 20
11.Valbona 23 13
12.Erzeni 23 8



















