SUPERIORE/ Ish-portieri i Elbasanit e Dinamos, Elvis Kotorri, e quan nisje të mbarë javën e 20-të
Agron KAJA
Në javën e 20-të Elbasani arriti dy fitore: 3-1 ndaj Teutës me tre gola të Lleshit, e kishit menduar të tillë?
Ne e kishim menduar që do ta fitonim ndeshjen me Teutën, por durrsakët na vunë në vështirësi në pjesën e parë me të vetmin sulm. Në pjesën e dytë, skuadra tregoi karakter dhe e ktheu ndeshjen me tre golat e Lleshit, i cili po tregon formën e një sulmuesi tipik.
Me këtë fitore, katër skuadrat e “Final 4” mos po “kërcënohen” nga AF Elbasani?
Kjo “Final 4” është bërë si temë reference në këtë kampionat. Në fakt, Elbasani nuk e ka shumë mëndjen aty, por do t’i marrim ndeshjen një e nga një. Sepse janë të gjitha të rëndësishme dhe ngjitja jonë në renditje në zonën “Final 4”, është synim.
Superiorja mbylli javën e 20-të, e para për vitin 2025, si i përshkruani rezultatet e tjera?
Ky kampionat është paksa i çuditshëm, sepse nuk ka shumë diferenca ndërmjet skuadrave sa i përket renditjes së tyre. Të gjitha i quaj ndeshje të luftuara dhe të fituara, apo të barazuara me meritë nga të gjitha skuadrat.
Si ndeshje të para për vitin 2025, si ishte performanca e skuadrave?
Skuadrat kishin uljet e ngjitjet e tyre, por që në këtë nisje të vitit 2025 nuk pamë një skuadër stabël në lojë dhe në rezultat. Gjithsesi, diferencat e ngushta mes skuadrave tregojnë se është një grup që pretendon “Final 4”, dhe një tjetër për mbijetesë.
U shënuan 13 gola, është kjo një shifër e mirë për nivelin e skuadrave?
Për mua është një shifër e mirë, me një mesatare 2.5 gola për ndeshje. Një shifër e mirë për kampionatin shqiptar, një nisje e mbarë sa i përket tundjes së rrjetave. Me këtë shifër, nuk do të thoja se portierët nuk e kanë bërë mirë detyrën.
Ka një ngjeshje të kreut të renditjes me tre skuadra të barabarta në pikë, si e lexoni ju?
Nga java në javë, unë mendoj se do ketë lëvizje në të gjitha pozicionet e skuadrave në renditje. Të gjitha skuadrat do bëjnë më mirë në vazhdimësi, e këtu zona e “Final 4” ndoshta do ketë edhe lëvizje që sot ndoshta edhe nuk mendohen.
Emra të ndryshëm janë përfolur në merkaton aktuale, e bënë diferencën në skuadrat e tyre?
Në këtë merkato të janarit, Elbasani ka nënshkruar me një mesfushor dhe një mbrojtës, që është pjesë e Kombëtares së Lituanisë. Për momentin ai nuk u përdor, ndërsa mesfushori e justifikoi. Të dy janë lojtarë të mirë për kampionatin tonë.
Në mesjavë luhen ndeshjet e turit të Kupës së Shqipërisë, nisur nga përballjet, cilat skuadra i mendoni të kualifikuara?
Kjo është faza e 1/8-ve në Kupë dhe duket se skuadrat e Superiores janë më favorite. Por ka edhe duele mes të barabartësh, ku do të veçoja Teuta-Elbasani, Tirana-Bylis apo Vllaznia-Besa. Le të them se do shohim ndeshje me rezultate interesante.
Në fundjavë do të luhet java e 21-të e Superiores, mundet t’i konsiderojmë të pesta si “kryendeshje” të javës?
Deri në mbylljen e kampionatit, për çdo skuadër, çdo ndeshje do të vlerësohet si një “kryendeshje”. Sepse lufta për kreun dhe mbijetesën do sjellë ndeshje me të luftuara. Do veçoja në këtë javë sfidën e AF Elbasanit me Dinamon, si ndeshja e kthesës.
Vllaznia me përforcim “Big”, Da Silva dje në Shkodër
Braziliani Viktor da Silva, dje ka qënë në Shkodër, teksa Vllaznia kërkon ta rikthejë atë në Abissnet Superiore pas tri viteve i larguar në Superligën e Uzbekistanit. Ky do jetë një përforcim cilësor për skuadrën shkodrane, pasi kujtojmë se Da Silva ka qënë pjesë e e Vllaznisë në sezonet 2020-2022 dhe ka qënë protagonist. Ardhja e tij do jetë një përforcim i rëndësishëm në repartin e sulmit të Vllaznisë, e cila kërkon që të mos i largohet zonës së “Final 4”.

ABISSNET SUPERIORE
Ndeshjet-Java 21
Datë 18 janar 2025
Laçi-Bylis 13:30
Tirana-Egnatia 16:30
Datë 19 janar 2025
Skënderbeu-Vllaznia 16:30
Teuta-Partizani 16:30
Dinamo C-AF Elbasani 19:30
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Partizani 20 34
2.Dinamo City 20 34
3.Vllaznia 20 34
4.Egnatia 20 33
5.AF Elbasani 20 28
6.Teuta 20 23
7.Bylis 20 21
8.Laçi 20 20
8.Tirana 20 18
10.Skënderbeu 20 16
Kupa e Shqipërisë në turin e 1/8-ve, Bylisi eliminon Tiranën
Ndeshjet e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2024-2025 nisën më 25 shtator dhe tashmë jemi në fazën e ndeshjeve të 1/8-ve. Në këtë tur kanë hyrë direkt 8 skuadrat e Abissnet Superiores për sezonin 2023-2024, si dhe 6 skuadrat që janë kualifikuar nga turi i 1/16-ve. Referuar shortit, tre janë çiftet që sjellin interes: Tirana-Bylis, Vllaznia-Besa dhe Teuta-AF Elbasani, e cila mbetet edhe ndeshja më interesante e këtij turi. Sepse në javën e 20-të të Superiores, AF Elbasani fitoi 3-1 me Teutën, ndërsa Tirana ndaj Bylisit do kërkojë që të shpëtojë sezonin me Kupën. Historia e Kupës së Shqipërisë ka regjistruar 13 skuadra fituese, ku Tirana është në krye me 16 trofe të fituar, më pas vijnë Partizani me 15 dhe Dinamo me 13. Vllaznia ndjek me 8 trofe, Flamurtari dhe Teuta me nga 4 trofe, ndërsa Besa, Laçi, Kukësi, Elbasani dhe Egnatia e kanë fituar nga 2 herë: Dy skuadrat e tjera, Apolonia me Skënderbeun janë fituese vetëm nga 1 herë. Dje, u luajtën dy ndeshjet e para: Laçi-Kukësi 3-1 dhe Tirana-Bylis 1-2, ndërsa sot mbyllen tetë takimet e tjera. Të gjitha këto ndeshje luhen me nga një takim dhe shërbejnë për kualifikim në çerekfinale.

Ndeshjet, turi 1/8
Dje, datë 14 janar 2025
Laçi-Kukësi 3-1
Tirana-Bylis 1-2
Sot, datë 15 janar 2025
Egnatia-Kastrioti 13:00
Dinamo-Erzeni 13:30
Teuta-AF Elbasani 17:00
Vllaznia-Besa 17:00
Partizani-Apolonia 17:00
Skënderbeu-Vora 17:00





















