Portieri i Izraelit, Ariel Harush, ka qenë heroi i sfidës së sotme për skuadrën e tij pasi thuajse i vetëm u përball me breshërinë e gjuajtjeve drejt katërkëndorit izraelit nga futbollistët e Shqipërisë. Sipas gardianit 30-vjeçar, sfida e sotme ishte më e mira e karrierës së tij.
“Po, kjo ishte ndeshja më e mirë e karrierës për mua. Një paraqitje si kjo e kam ëndërruar gjithmonë. Komplimente të gjithë shokëve të skuadrës që luftuan shumë. Po rrëqethem ende nga emocionet, nuk më kujtohet të kem përjetuar më parë një atmosferë të tillë në ekipin kombëtar. Nuk ishte një ndeshje e madhe si ndaj Skocisë, por kishte sakrificë dhe gjithkush dha 200%.
Kjo skuadër ka talent, edhe pse askush nuk besonte se ne kishim shanse. Kjo ishte nga ato ndeshje kur unë ndjeja se as një plumb nuk mund të më kalonte, dhe prisja ta ndaloja. Por nëse nuk plotësojmë detyrën në Skoci, asgjë nuk do të ketë vlerë”, tha portieri për të cilin kjo ishte ndeshja e 13 me përfaqësuesen e Izraelit, edhe pse ka qenë pjesë e saj që në vitin 2010.