Sigal

Shqiptarët hanë fruta e perime me pesticide, kanceri bën kërdinë, AKU “flë”

Petraq BARJAMI

Para disa javësh Greqia sekuestroi disa ton domate, e eksportuar nga Shqipëri, e cila, sipas analizave kimike, rezultoi se kishte përqindje të pesticideve më të larta se norma e lejuar. Në Shqipëri, ministria e Bujqësisë u nxitua të përgënjeshtronte lajmin, duke thënë se sasia e domateve nuk është nga prodhimi shqiptar. AKU, u fsheh nën fjalët e Ministrisë, por nuk guxoi të publikojë, qoftë edhe një analizë në këto 5 vite, që ka bërë në fruta dhe perime që prodhohen dhe tregtohen në Shqipëri.

AKU bën të “fortin” e …higjienës

AKU është institucioni shtetëror, i cili ka përgjegjësi të monitorojë ushqimet, mishin, bulmetin, frutat, perimet, peshkun, miellin etj., për cilësinë e tyre, për përmbajtjen në to të sëmundjeve, bakteriale, dhe të lëndëve të rrezikshme kimike, që mund të jenë pesticidet dhe ilaçet veterinare, hormonet. AKU deri tani, na njofton se ka sekuestruar 3 qengja që u therën në mal e jo në thertore, sekuestron 19 kg peshk që nuk tregtohet në akull apo ushqime që mbahen në një mjedis jo me higjienën e kërkuar, thua se AKU është institucioni i Higjienës dhe i Shëndetit Publik. AKU, edhe në sasitë e mishit që ka sekuestruar me përmbajtje salmonele, asnjëherë nuk ka publikuar analiza, sa është përqindja e salmonelës, e kujt lloji është. AKU asnjëherë nuk ka ushtruar kontroll në ushqimet bimore, si fruta e perime se sa është përqindja e pesticideve dhe hormoneve.

AKU blen makinë 100.000 euro, por nuk bën një analizë

Para disa ditësh, gazeta “Telegraf” publikoi edhe tenderin që AKU kishte bërë, për të blerë një makinë luksoze 100.000 euro për stafin e tyre. Ndërkohë që AKU nuk ka laboratorë modernë që mund të bëjnë analiza të hollësishme për përmbajtjen e pesticideve, të hormoneve por edhe të elementëve kimikë nga plehrat kimikë që përdoren në kultivimin e frutave dhe perimeve. Shumë herë AKU është justifikuar se nuk mund të bëjë këto analiza sepse mungojnë …lëndët kimike që përdoren për analiza, ndërkohë, që AKU fondet i përdor për të blerë vetëm një makinë luksi 100.000 euro! Me 100.000 euro AKU mund të blejë 2-3 laboratorë modernë për analiza, së bashku me lëndën e parë të analizave që mund ta përdorë për 100 vite.

Greqia sekuestron perime nga Shqipëria me përmbajtje pesticide mbi normën e lejuar

Agjencia për kontrollin cilësor, higjienik dhe të kimikateve në fruta-perimet e Pireut ka zbuluar 708 kg speca nga Shqipëria, që ishin të papërshtatshme për konsum. Kontrolli i organeve greke ka treguar se, specat nga Shqipëria kishin mbetje të pesticideve në një nivel shumë më të lartë sesa ai i lejuar. Ashtu siç parashikon rregullorja, ngarkesa është konfiskuar dhe më pas është shkatërruar me metodat përkatëse. Sipas një deklarate të Unionit Rajonal të Pireut, inspektimet dhe marrja e mostrave të ushqimeve do të vazhdojnë me intensitet në çdo periudhë kohore, në të gjithë zinxhirin ushqimor dhe në të gjitha pikat e shitjes, në mënyrë që t’u jepen konsumatorëve produkte ushqimore të sigurta dhe cilësore. Kjo është hera e dytë brenda dy javëve, që Agjencia për kontrollin cilësor, higjienik dhe të kimikateve në fruta-perimet e Pireut, konstaton dhe konfiskon ngarkesa me perime me pesticide tej nivelit të lejuar, të ardhura nga Shqipëria. Në fund të shtatorit, kjo agjenci ka kapur dy ngarkesa domatesh të ardhura nga Shqipëria dhe Italia, me nivel të dëmshëm pesticidesh, që janë tërhequr nga tregu menjëherë dhe janë shkatërruar për të mos rrezikuar shëndetin e konsumatorëve.

Kanceri përhapet me shpejtësi tek shqiptarët

Institucionet mjekësore po japin alarmin se sëmundjet kanceroze po përhapen me progresion gjeometrik tek shqiptarët. Një nga faktorët që ndikojnë në përhapjen e kancerit tek shqiptarët janë edhe përmbajtjet e pesticideve, hormoneve e plehrave kimike mbi normat e lejuara, sepse AKU nuk bën kurrë analiza, nuk parandalon të keqen, përgjegjësi që ngarkon edhe Ministrinë e Bujqësisë.