Dy futbollistët “tërbojnë” Partizanin, luftë nervash në stërvitjen e “demave”

110
Sigal

Pasditen e djeshme Partizani kreu stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e së shtunës ndaj Egnatias në “Elbasan Arena”, e vlefshme për javën e parë të kampionatit.

Në stërvitjen e djeshme te të kuqtë kishte disa risi, teksa rezultoi të ishte një seancë mjaft dinamike. Maget Gueje dhe Saliu Sembene kërkojnë prej muajsh largimin nga Partizani. Për më shumë se dy javë ata e bojkotuan stërvitjen me të kuqtë, ndërkohë që ditën e djeshme vendosën të ktheheshin, për të shmangur gjobat nga ana e klubit, që në ditët e shkuara nuk munguan.

Gjithsesi, fakti që Partizani nuk i lë të largohen i shtyn dy të rinjtë të zhvillojnë një “luftë” nervash me drejtuesit. Dy senegalezët, duke qenë se nuk stërviten prej ditësh, u stërvitën të veçuar, bashkë me Çarçanin, Bintsukën dhe Vexhin. Ndryshe nga shokët, Semebene dhe Maget zgjodhën të mos u bindeshin urdhrave të përgatitësit atletik, Marko Korali.

Ata herë pas here ecnin në fushë ose nuk përshkonin distancën e përcaktuar për vrapim, teksa shokët ishin shumë para tyre. Komunikimi me pjesëtarët e stafit nuk e përmirësoi situatën, madje edhe kur Marko Korali i mori të dy veç, Sembene dhe Maget thjesht ecnin në fushë.

Mesazhi i tyre është i qartë, kërkojnë largimin me çdo kusht. Nga ana tjetër klubi vazhdon të këmbëngulë se nuk dëshiron t’i largojë. Të dy kanë kontratë deri në vitin 2025.