Agron Kaja: Për “Derbin” e kryeqytetit, takohemi të shtunën në Vlorë!

83
Sigal

REAGIME/ Tirana-Dinamo luhet në “Migrim”, flasin për “Telegraf” Rrapo Taho, Bedri Omuri dhe Aleko Bregu

Agron KAJA

Kombëtarja, dhe më pas Kupa e Shqipërisë, ia lanë vëndin kampionateve. Ata kanë trokitur për ta bërë Vlorën “kryeqytet” të futbollit shqiptar. Pas shpalljes së pavarsisë në 28 Nëntor 1912, ku edhe ishte e mbetet kryeqyteti i Pavarsisë së Shqipërisë, këtë herë e ka rradhën futbolli që ta kthejë atë në kryeqëndër. Sepse aty është shpërngulur të luhet ndeshja numër 148 midis Tiranës dhe Dinamos, pasi Tirana nuk ka stadium! Gjatë këtij viti, skuadra bardheblu është shpërndarë në disa stadiume, pasi edhe dyert e “Air Albania” i janë hapur në varësi të aktiviteve të FSHF-së. Ndaj kjo sfidë shumë delikate dhe e rëndësishme me Dinamon rivale për katërshen e parë, e gjen ekipin kryeqytetas pa një stadium ku të zhvillojë ndeshjen. Dy skuadrat me 34 tituj kampionë në Shqipëri, do të përballen në Vlorë, 154 km larg nga kryeqyteti! Bardheblutë e patën të pamundur që gjatë këtyre ditëve të gjenin një stadium për ndeshjen, dhe kështu sfida u shpërngul në Vlorë në stadiumin “Flamurtari”, si mundësi e vetme. Tirana ka kërkuar që kjo ndeshje “Derbi” të luhej në “Air Albania”, madje duke pranuar të paguanin edhe 11 mijë eurot. Por FSHF-ja nuk ka pranuar, me argumentin se fusha është në gjendje të keqe dhe do të mbillet, për të qenë gati për takimet e nëntorit të ekipit kombëtar. Më pas, Tiranës i është kyçur edhe “Elbasan Arena”, me argumentin se është mbjellë fusha. Në një situatë të tillë, është kërkuar një stadium i përshtatshëm për të luajtur këtë ndeshje të javës së 9-të të Superiores, dhe i vetmi opsion mbeti stadiumi “Flamurtari” në Vlorë. Në mungesë të alternativave, FSHF-ja ka miratuar zhvillimin e kësaj sfide në Vlorë, ditën e shtunë në orën 14:00.

Ja si e përshkruajnë këtë “Derbi-vlonjat” të kryeqytetit protagonistë të këtyre skuadrave, por edhe pritësit vlonjatë.

TIRANA

Në 8 ndeshje Tirana ka grumbulluar 9 pikë dhe renditet në vëndin e 7-të, me 1 fitore, 6 barazime dhe 1 humbje, golat 9:10

DINAMO C

Në 8 ndeshje Dinamo ka grumbulluar 14 pikë dhe renditet në vëndin e 3-të, me 4 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje, golat 11:10

 

 

Bedri Omuri – Tirana

“Derbi-shtegëtar” në Vlorë! Nuk merr ngjyrat e kryeqytetit

Ish-futbollisti i 17 Nëntorit (Tiranës) Bedri Omuri, e priti me habinë e tij këtë transferim në Vlorë të “Derbit” të kryeqytetit, Tirana-Dinamo. Duke e vlerësuar se çfarë përfaqëson ky derbi, Mjeshtri Omuri u shpreh se me infrastrukturën që ka, kryeqyteti nuk po e përballon dot fluksin e ndeshjeve të Superiores. “Në kohën kur unë luajta futboll me fanelën e Tiranës, asnjëherë nuk është luajtur “Derbi” Tirana-Dinamo jashtë kryeqytetit. Kjo sfidë gjithmonë kishte një bazë të infrastrukturës, stadiumin “Qemal Stafa”, por luhej edhe në ish-stadiumin “Dinamo”. Kjo zhvendosje tregon se infrastruktura në kryeqytet nuk po e përballon mirë fluksin me tre skuadra që përfaqësojnë ngjyrat e tyre në qytetin e Tiranës. Janë ndërtuar fusha dhe minifusha, por nuk ka stadium të nivelit të mirë, që mos të ketë të tillë shtegëtime. Se nuk ka kuptim as edhe për tifozerinë e këtyre dy skuadrave, të cilët do të duhet që ta shijojnë në Vlorë këtë ndeshje “Derbi”! Uroj ta fitojë Tirana, dhe të mbahet mënd në historinë e saj kjo sfidë në të tilla kushte”, kështu e mendon Bedri Omuri.

Aleko Bregu – Dinamo

Në “derbin-vlonjat” Tirana-Dinamo, do mungojë tifozeria

Një nga futbollistët e Dinamos së “Artë”, Aleko Bregu, kur në përbërje të saj kishte emra të mëdhenj në futbollin shqiptar, tregon se skuadrat në rrethe “dridheshin” dhe argëtoheshin edhe me humbje. Por transferimi i ndeshjes “Derbi” me Tiranën për javën e 9-të të Superiores, sipas tij, është diçka e pazakontë dhe e quan mangësi në koordinimin e klubeve respektive me FSHF-në, për stadiumin “Air Albania”. “Në gjithë karrierën time si futbollist me fanelën e Dinamos, nuk kujtoj që një ndeshje “Derbi” të kryeqytetit ta kemi luajtur jashtë Tiranës. Atëhere infrastruktura në Tiranë ishte normale, me dy stadiume në funksion të plotë. Të gjitha ndeshjet zhvilloheshin vajtje-ardhje në Tiranë, sepse bukuria e një “Derbi” të kryeqytetit nuk shijohet jashtë Tiranës. Edhe tifozeria e ka të vështirë udhëtimin, çka do të thotë se në Vlorë do ndjehet mungesa e tyre. Por, duket se FSHF-ja e ka në plan të dytë Superioren, edhe kur bëhet fjalë për një ndeshje “Derbi” të kryeqytetit”, kjo ishte përgjigja e Leko Bregut për “Derbin-vlonjat” Tirana-Dinamo.

 

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java 9

E shtunë, 19 tetor 2024

Egnatia-Teuta              14:00

Laçi-Vllaznia               14:00

Tirana-Dinamo C        14:00

E dielë, 20 tetor 2024

Bylis-Skënderbeu        14:00

Elbasani-Partizani       17:00

RENDITJA                   

Skuadrat        Nd       Pikë

1.Partizani       8          15

2.Egnatia         8          14

3.Vllaznia        8          14

4.Dinamo C    8          14

5.AF Elbasa     8          13

6.Teuta            8          13

7.Tirana           8          9

8.Skënderbe    8          7

9.Bylis             8          5

10.Laçi            8          3

 

Rrapo Taho – Flamurtari

Vlora e mirëpret “Derbin”, në kryeqytet mungon infrastruktura

Mjeshtri i Madh, Rrapo Taho, në karrierën e tij si futbollist i Flamurtarit dhe i Kombëtares, nuk kujton që një ndeshje “derbi” midis tre skuadrave të kryeqytetit, të luhej në Vlorë, për çfardo lloj arsye. Sipas tij, zhvendosje kishin vetëm skuadrat e rretheve, kur bëhej fjalë për ndonjë finale Kupe apo Superkupe, edhe pse përballë mund të kishin skuadra të kryeqytetit. “Unë nuk mbaj mënd gjatë karrierës sime, që një ndeshje “Derbi” mes skuadrave të kryeqytetit, të zhvendosej në Vlorë. Si vlonjat, ne mirë na bëhet se do shohim një ndeshje, të cilën mund ta quajmë edhe nga më të mëdhatë e sezonit të Superiores. Por kjo tregon se infrastruktura në Tiranë po kthehet si vite më parë në disa qytete të tjera të Shqipërisë. Në Tiranë duhet të kishte dy-tre stadiume të gatshme, por uroj të shohim një ndeshje të mirë dhe të fitojë skuadra që do e meritojë. Nuk kanë ndikim historitë në këtë ndeshje, shikohet realiteti”, kështu theksoi Rrapo Taho, për “Derbin” e kryeqytetit që do luhet në Vlorë, 154 km larg Tiranës.