Sulejman Mema: Një ndeshje jo pozitive për skuadrën tonë, i mungoi eksperienca

742
Nga Agron KAJA
SHQIPËRI-NORVEGJI/ U luajt dje në “Elbasan Arena” miqësorja që grumbulloi “rininë”, flet për “Telegraf” ish-mesfushori i Kombëtares
Në tërësinë e 90 minutave të saj, cili është këndvështrimi juaj për miqësoren e djeshme me Norvegjinë?
Mendoj se kjo nuk ishte një ndeshje e mirë për skuadrën tonë. Ndoshta, sepse është një ekip i ri dhe nuk e ka arritur plotësisht përshtatjen në grup, dhe kjo u reflektua më shumë te emrat e rinj që Panuçi kishte besuar në këtë miqësore. Mungoi shumë eksperienca në këtë miqësore.

Çfarë u pa ndryshe nga kjo skuadër, e cila në përzgjedhjen e saj ka vetëm emrin e trajnerit Panuçi?
Është e natyrshme që përzgjedhjen do ta bëjë trajneri, ndërsa emrat e rinj që ai kishte afruar në këtë miqësore, mbetën vetëm te dëshira për të luajtur mirë. Norvegjia luajti qartë e saktë në grup, ndërsa te skuadra jonë veçoj vetëm Grezdën, ai bëri diferencën me pjesën tjetër.

Kësisoj, lojtarët e ardhur rishtas nuk lanë asnjë gjurmë në këtë ndeshje?
Me sa treguan jo, por duhet pranuar se është e pamundur që një lojtar të shfaqë vlerat e plota në një ndeshje apo në 45 minuta. Por, me atë që treguan sot (dje), mendoj se trajneri do ta ketë shumë të vështirë vazhdimësinë me këta futbollistë. Ndoshta duhet besuar më shumë te eksperienca.

Si e përshkruani pësimin e golit në portën tonë në minutën e 70-të?
Ishte një gol që duhet të evitohej, kryesisht nga dy mbrojtësit e qendrës, të cilët ishin të vendosur shumë gabim në atë moment. Nëse ata do të ishin të vëmendshëm, goli nuk do të ishte pësuar, dhe për portierin Strakosha ishte e pamundur që të evitohej.

Norvegjezët dukeshin më të qartë në veprimet e tyre në gjithë fushën, ishte kjo edhe për mangësitë e skuadrës sonë?
Natyrisht, se është ai i ligji i pashkruar që, po gabove do e pësosh. Norvegjia ka një trajner me eksperiencë dhe vërtet, që ai u kishte besuar disa të rinjve si titullarë, por në lojë ishin me parametra të lartë e shumë cilësorë. Trajneri Lagerbak bëri diferencën me homologun.

Po rasti për golin e dytë të norvegjezëve, tregoi se mbrojtja “fuste ujë” në minutat e fundit të ndeshjes?
Në fundin e ndeshjes ne ishim pranë pësimit të golit të dytë, por lojtari norvegjez u tregua egoist. Për mënyrën se si ata e ndërtuan aksionin, jo vetëm mbrojtja në këtë rast, por edhe mbështetja nga mesfusha nuk ishte e plotë. Nëse do ta pësonim atë gol, do na rëndonte më shumë se sa 0-1.

Nisur nga rezultati humbës, por edhe nga loja që zhvilloi dje Kombëtarja jonë, mendoni se ishin zgjedhjet më të mira nga Panuçi?
Nuk i shoh si zgjedhje pozitive. Vërtet që Panuçi deklaron se është në fazën e përzgjedhjes së elementëve për të pasur më shumë forcë në vazhdimësi, por në përmbajtjen e lojës jemi shumë larg asaj me De Biazin. Realisht, dje u pa se nuk jemi aty ku kemi qenë, në më të mirën tonë.

Ku gaboi më shumë skuadra jonë në këtë humbje me Norvegjinë?
Në të tre repartet, veç portës. Treguan mangësi, se është e natyrshme që ndryshimi nuk mund të vijë shpejt me lëvizjet e shumta që janë bërë. Do të ishte më mirë që lojtarët me eksperiencë si Agolli kryesisht, por edhe Basha e Kukeli, të jenë pjesë e kësaj Kombëtareje. Ata janë më në formë se dy-tre të rinj që dje nuk lanë asnjë gjurmë.

Në vlerësimin tuaj teknik, si ishte ndeshja me Norvegjinë?
Unë e quaj një ndeshje jo pozitive në këndvështrimin teknik. Ekipi duhet të jepte më shumë forcë e rendiment, duhet të kishte më shumë qartësi në organizim e finalizim, dhe duhet të ishte i përgatitur edhe për forcën e kundërshtarit.
Unë e quaj një ndeshje jo pozitive në këndvështrimin teknik. Ekipi duhet të jepte më shumë forcë e rendiment, duhet të kishte më shumë qartësi në organizim e finalizim, dhe duhet të ishte i përgatitur edhe për forcën e kundërshtarit
Sigal