Agron Kaja: “Hakmarrja” çeke ishte e “premte e zezë” për Kombëtaren

KOMENT/ Post Çekia, pse humbëm në Pragë dhe çfarë mundet të ndryshojmë në Tbilisi?

Agron KAJA

Duhet thënë që në fillim të këtij komenti, se ndaj Çekisë ka qënë një ndeshje shumë e dobët, të paktën në këto tre sfidat e para të Ligës së Kombeve. Me Çekinë ishim në një bilanc të barabartë historik, por edhe të barabartë në pikë dhe në renditjen e Grupit B1, Liga B. Këto ndoshta ishin “mashtrimi” ku ra në grackë Kombëtarja jonë, në mbrëmjen e së premtes në stadiumin “Epet Arena” të Pragës. Në çdo koment ndeshjeje të Kombëtares sonë ndër vite, jo si specialist futbolli, por si gazetar me përvojë në profesion, jam munduar të sjell anët më të mira të përfaqësueses sonë, jo vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit. Por le të themi se në një hark më të shtrirë kohor, 1994-2024, kjo mund të quhet edhe si ndeshja më e dobët. Duke sjellë në kujtesë pjesën e parë, përballë furisë çeke dukej një skuadër e dobët, e pa organizuar dhe e “ngujuar” si me zor në fushën e lojës. Para ndeshjes, por edhe gjatë kësaj periudhe kemi folur shumë për emra të veçantë në Kombëtaren tonë, madje mediatikisht është folur edhe me elozhe për ta se ku luajnë, në Serie A, në La Liga apo në kampionate të tjera të rëndësishme në Europë. Ndërsa në Çeki, paraqitja e tyre nuk ishte as si përfaqësues të një kategorie të futbollit shqiptar, jo të Superiores dhe Kategorisë së Parë se aty niveli është më i mirë se i kësaj ndeshjeje. Nëse kujtojmë trajnerin Silvinjo gjatë pjesës së parë, kishte marrë një çherre (pamje) në fytyrë në ngjyrë të verdhë. Dukej si pa busull, pa një reagim të menjëhershëm pas golit që në minutën e 3-të. Për  veprimet taktike në fushën e lojës kanë folur dhe do të flasin specialistët, por me syrin e një shikuesi normal, Silvinjo me këtë performancë të skuadrës, na ktheu shumë prapa në kohë, si atëhere që në ndeshjet jashtë Shqipërisë shkonin si të mundur pa filluar sfida. Silvinjo dhe lojtarët deklaronin para ndeshjes se e njihnin shumë mirë kundërshtarin dhe që nuk do t’u pëlqente as barazimi. Ishte normale, po rezultoi si një tollombace. Sepse ne shkonin për të fituar në Çeki, por fusha e lojës dhe veprimet e çekëve na treguan se ne nuk i njihnim mirë ata. Jo fati, por realiteti e ndihmon më të mirin, dhe kjo ishte një “hakmarrje” çeke që i prishi llogaritë për dështimin. Dhe së fundmi: Kush e mban peshën e përgjegjësisë për këtë dështim? Se, si trajneri ashtu edhe lojtarët, në intervistat e tyre pas ndeshjes nuk u ndjenë fajtorë. Por çuditërisht, kërkojnë rikthim të shpejtë aty ku kërkojnë tifozët!

NOA

Grumbullimi dhe largimi i Pajazitit!

Adrion Pajaziti erdhi, u grumbullua dhe iku! Pse e thirri FSHF-ja? Sepse ai ishte i pezulluar me data të caktuara, pezullim, të cilin e ka marrë me aktivizimin te Shpresat për shkak të kartonëve të verdhë. Ndeshjet e turit kur hynte në fuqi ky vendim, luheshin në datat 14, 15 dhe 16 tetor. Atëhere pse duhej kjo thirrje e tij?!

Reagimi i FSHF-së: Dënojmë me forcë aktet e turpshme


“Federata Shqiptare e Futbollit dënon me forcë aktet e turpshme që ndodhën gjatë ndeshjes kundër Çekisë. Koret raciste dhe përdhosja e flamurit shqiptar janë të patolerueshme dhe nuk i takojnë fushës së futbollit. Ky akt i rëndë përbën një sulm të hapur ndaj vlerave të futbollit dhe respektit midis kombeve. FSHF-ja dënon fuqimisht çdo formë të racizmit dhe fyerjes ndaj simboleve kombëtare dhe do të dërgojë një notë proteste në UEFA, duke kërkuar masa të menjëhershme disiplinore. FSHF reagoi që në pushimin e pjesës së parë, duke u kërkuar organizatorëve marrjen e masave të menjëhershme ndaj këtyre akteve për të mos radikalizuar veprimet me ndërprerjen e lojës. Futbolli është një lojë që bashkon dhe unifikon gjithë popujt duke promovuar barazinë dhe respektin për të gjithë, pavarësisht kombësisë apo përkatësisë etnike. Shqiptarët, si pjesë e familjes së madhe futbollistike, do të qëndrojnë gjithmonë në mbrojtje të këtyre vlerave dhe nuk do të tolerojnë asnjë formë racizmi apo urrejtjeje duke dënuar me forcë çdokënd që tenton të përdhosë bukurinë e këtij sporti. Pavarësisht ndeshjes, Kombëtarja jonë ka treguar gjithmonë forcë dhe guxim për të përballuar çdo vështirësi, duke u ngritur pikërisht atëherë kur lind nevoja. Bashkë me tifozët, do të lëmë pas këtë ndeshje dhe bëhemi gati për të shkuar në Gjeorgji për një rezultat pozitiv”.

Provokimi i tifozëve çekë, UEFA të shpejtojë ndëshkimet

Provokim i turpshëm i tifozëve çekë, të cilët para dhe gjatë ndeshjes Çeki-Shqipëri, në stadiumin “Epet Arena” të Pragës shpalosën flamurin serb, flamurin shqiptar me një kryq në mes dhe të ulur kokë poshtë. Një provokim i turpshëm ky i tifozëve ultras çekë, gjeste këto që nxisin urrejtje. Për më tepër, u pa qartë se te flamuri i Kosovës ishte vendosur harta e Serbisë. Në fundin e pjesës së parë, tifozët shqiptarë u afruan në tribunën e ultrasve çekë duke tentuar përleshjen fizike mes tyre, por shumë forca sigurie u vendosën mes dy turmave, ku gjuajtjet me sende nga larg nuk munguan. Është dora serbe, apo çeke? Këtë do ta zbardhë UEFA, por këto skena ishin të ngjashme si ato serbe tetë vite më parë. Madje ka patur shpesh edhe raste të tjera nga ultrasit serbë. Por, a do ketë ndëshkim nga UEFA për këto raste? Të presim, ndëshkimi duhet i rëndë para sfidës së 16 nëntorit në Tiranë.