A do ta nxjerrë Bulku Tiranën nga kriza?

790
Sigal

Java e 13-të e Superligës. Teuta pret Besën në “Niko Dovana”, Kastrioti luan ndaj Bylisit

Sokol Bulku është trajneri i ri i Tiranës, pavarësisht se detyra e tij është e përkohshme. Ish-ndihmësi i spanjollit Hulian Rubio, por edhe i trajnerëve të tjerë pasues si: Alban Tafaj, Artur Lekbello, Nevil Dede dhe Alpin Gallo, do të drejtojë 24 herë kampionët deri në caktimin e një tekniku të ri. 35-vjeçari Bulku, një ish-lojtar i shquar i Tiranës (kampion në sezonet 1996-97, 1998–99, 1999–2000, 2002–03 dhe 2003-04), por dhe i Partizanit e Elbasanit, do të drejtojë sot bardheblutë në sfidën shumë të vështirë ndaj Lushnjës në “Roza Haxhiu”. Lushnjarët kanë grumbulluar deri tani pesë pikë më shumë se Tirana dhe ndodhen në vendin e 8-të. Në fazën e parë Tirana fitoi 1-0. Klubi me më shumë trofe në vend ndodhet në vendin e fundit, duke përjetuar në krizë të vërtetë rezultatesh, boll të kujtojmë faktin se nuk ka marrë asnjë pikë në katër ndeshjet e fundit, duke qenë njëherësh edhe skuadra me sulmin më të dobët në kampionat: vetëm katër gola në 12 ndeshje. Gjatë 12 javëve të para, Tirana është drejtuar nga dy trajnerë: Nevil Dede (1-8) dhe Alpin Gallo (9-12), por asnjë prej të dyve nuk ka mundur ta nxjerrë skuadrën nga kriza.

ITALIANI GARGANO

Në fakt, stërvitjet e Tiranës po i kryen një italian, Luixhi Gargano (trajner i tretë i Interit), por zyrtarisht pranohet se ky i fundit është në rolin e një këshilltari sportiv. Gjithsesi, në kampin bardheblu thuhet se spanjolli Hulian Rubio mbetet dëshira e madhe për bankinën e Tiranës. Ish-trajneri i bardhebluve shihet si kandidati i duhur për këtë detyrë. Pritet që të nisin zyrtarisht bisedimet me të, me shpresën që spanjolli të pranojë ofertën dhe të kthehet sërish në krye të kryeqytetasve. Një alternativë e mirë është edhe Marijo Tot, ish-trajner i Dinamos së Zagrebit dhe NK Lokomotivës.

PREMIERA E SORRENTINOS

Trajneri i Teutës, italiani Roberto Sorrentino do të ketë premierën e tij në “Niko Dovana”, kur skuadra durrsake do të luajë ndaj Besës së Kavajës. Ndeshja e parë e Sorentinos, i cili pasoi në bankinë Gugash Maganin ishte barazimi 2-2 me Bylisin në Ballsh. Në fazën e parë, Besa dhe Teuta u ndanë në barazim 2-2, me dy golat e realizuar për durrsakët nga Tefik Osmani në limitin e ndeshjes me penallti. Besa vjen pas barazimit 1-1 me Skënderbeun dhe ka treguar formë të mirë në javët e fundit. Në Krujë, Kastrioti vendas (humbi një javë më parë me Partizanin) do të presë Bylisin. Të dyja skuadrat ndodhen në zonën e kuqe të Superligës, pasi renditen në katër vendet e fundit.

KATEGORIA E SUPERIORE

JAVA XIII

 

Të shtunën, 30 nëntor

Kastrioti-Bylis 13:30

Lushnja-Tirana  13:30

Teuta-Besa      17:00

Të dielën, 1 dhjetor

Partizani-Laçi  13:30

Skënderbeu-Flamurtari 13:30

Vllaznia-Kukësi 13:00

RENDITJA

1    Skënderbeu      12   +8   23

2    Teuta           12   +2   20

3    Partizani       12   +2   20

4    Laçi            12   +0   19

5    Kukësi          12   +0   18

6    Flamurtari      12   +3   17

7    Vllaznia        12   +3   17

8    Lushnja         12   -2   15

9    Bylis           12   +2   15

10   Besa            12   -4   12

11   Kastrioti       12   -5   12

12   Tirana          12   -9   10

* Flamurtarit i janë zbritur tri pikë nga Komisioni i Disiplinës

Fotolajm

Rama-De Biazi

Kryeministri Edi Rama me presidentin e FSHF-së, Armand Duka; sekretarin Ilir Shulku dhe trajnerin e Kombëtares, italianin Xhani De Biazi, gjatë pritjes në Pallatin e Brigadave me rastin e festave të 28-29 nëntorit. Rama deri tani nuk ka qenë përkrahës për ndërtimin e stadiumit të ri.

  Hasan Lika: “Detyrim, fitorja ndaj Laçit”

  Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, deklaroi se “fitorja ndaj Laçit detyrim për Partizanin”. “Kundërshtari i radhës meriton respektin maksimal, por ne do të kërkojmë të ruajmë vazhdimësinë e fitoreve në shtëpi. Ne gjashtë ndeshjet e mbetura të vitit 2013, përfshirë edhe dy ballafaqimet e Kupës me Vllazninë, do të kërkojmë të marrim maksimumin, pasi këto përballje rezultojnë vendimtare për arritjen e objektivave tona të përcaktuara në fillim të sezonit”, – tha Lika në konferencën e tij për shtyp në selinë e kuqe. Partizani kërkon të regjistrojë suksesin e tretë rresht në kampionat, pas dy fitoreve me Teutën (3-0) dhe Kastriotin (1-0), për të qëndruar në zonën europiane të klasifikimit. Por për të ligjëruar dëshirën për të ëndërruar, “Demat e Kuq” duhet të kalojnë Laçin në ndeshjen e javës së 13-të. Kurbinasit mbajnë vendin e katërt në klasifikim me një pikë më pak se kryeqytetasit, prandaj për Hasan Likën përballja e “Qemal Stafës” do të jetë një sfidë delikate. Gjithsesi për teknikun e Partizanit ky nuk është një 90-minutësh jetik në garën për vendin e tretë. Gjatë ndeshjeve të fundit skuadra ka arritur ekuilibrin e kërkuar, por për Likën sulmi mbetet ende një pikë e dobët. I pyetur për objektivat e këtij grupi, Lika thekson se, është koha ajo që duhet ta tregojë objektivin e vërtetë të kësaj skuadre. Ndeshja mes Partizanit dhe Laçit do të luhet të dielën në stadiumin “Qemal Stafa” në orën 13:30. Çmimi i biletave do të jetë sërish 200 lekë për në tribunat D dhe 500 lekë për në tribunat A dhe B (të mbuluarat)

Kapiteni i Shqipërisë: “Berisha bëri një ndeshje shumë të mirë. E meriton të pasojë Marketin”

 Lorik Cana: “Kjo Lacio arrin në finalen e Ligës së Europës”

 Lacio fitoi bindshëm 2-0 kundër Legias në Varshavë (grupi J), duke siguruar kualifikimin për në fazën tjetër të Ligës së Europës. Lorik Cana, mesfushori shqiptar i skuadrës italiane,

beson se Lacio duhet të arrijë e pakta në finalen e Ligës së Europës këtë sezon, duke theksuar se “lacialët” i kanë të gjitha mundësitë të fitojë trofeun. “Pamë një Lacio të mirë. E dinim që Legia nuk kishte asgjë për të humbur, pasi është e fundit, pa asnjë pikë dhe do të përpiqej ta ndryshonte këtë”, tha Cana pas ndeshjes për faqen zyrtare të UEFA-s. “E nisëm mirë ndeshjen dhe e kontrolluam pothuajse të gjithë. Legia pati vetëm raste dhe nuk i lejuam të krijonte të tjerë”. Pasi ka siguruar kualifikimin, Cana thotë se Lacio do të përpiqet ta mbyllë grupin në vendin e parë. “Kjo fitore na ka dhënë shumë besim. Jemi në pozita të mira. Nëse e fitojmë ndeshjen e fundit, kemi mundësi ta mbyllim grupin në vendin e parë. Jam veçanërisht i kënaqur për sulmuesit tanë të rinj. U paraqitën mirë dhe kam bindjen se do të kenë të ardhme të madhe me këtë skuadër”. Sigurisht që synimet e Lacios nuk përfundojnë këtu dhe Cana nuk fshihet: “Lacio është klub i madh, ndaj duhet të kemi objektiva të mëdhenj. Pse të mos mendojmë për ta fituar Ligën e Europës? Vitin e kaluar arritëm deri në gjysmëfinale, ku humbëm me Fenerbahçen, por ishte gjithçka e ekuilibruar. Mendoj se për sivjet synimi ynë duhet të jetë e pakta arritja në finale”. Kapiteni ruan fjalë pozitive edhe për bashkëlojtarin në kombëtare, Etrit Berisha, i cili ishte titullar, ashtu si në takimin e mëparshëm evropiane. “Ishte një ndeshje pozitive për Berishën, ndërhyri disa herë dhe nuk pati probleme. Ka treguar se është portieri i aftë dhe që mund ta zëvendësojë Marketin”. Tani Lacio i rikthehet kampionatit, ku përballë do të ketë Napolin, një skuadër në krizë, pas tre rezultateve negative radhazi. “Do të luajmë për ta fituar ndeshjen. Nuk e kemi parë ende Lacion e vërtetë, por besimi në vetvete na është shtuar”, garanton mesfushori Lorik Cana.

 Ronaldo, futbollisti më i mirë i vitit

 Pas trofeut “Di Stefano” të dhënë nga gazeta sportive spanjolle “Marca” si lojtari më i mirë i sezonit të kaluar, ka ardhur edhe çmimi i parë individual për këtë sezon. Kristiano Ronaldo është shpallur nga revista prestigjioze britanike “FourFourTëo”, si futbollisti më i mirë i vitit. Ylli i Realit të Madridit qëndron bindshëm në krye të një liste me 100 lojtarë, duke lënë pas Mesin dhe Riberinë, dy kandidatët e tjerë që shikohen si favoritë për Topin e Artë. Mesi nuk është në nivelin më të lartë për shkak të dëmtimeve, ndërsa dominimi i Bajernit konsiderohet më shumë rezultat i punës kolektive, sesa si kontribut i vetëm nga Riberi, kështu që zgjedhja e Ronaldos si lojtari i vitit ishte më e lehtë nga sa pritej. Numri 7 i “Los Blancos” është i pari që këtë vit ka arritur shifrën e 50 golave dhe për më tepër vendosi rekord të ri në Ligën e Kampioneve me 14 gola të shënuar gjatë gjithë vitit. Sezonin e ri gjithashtu, Ronaldo e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, 25 gola në vetëm 18 ndeshje, 11 më shumë se Mesi. Veç të tjerash, sulmuesi i Realit ka një statistikë të pakapshme nga askush tjetër, shënon çdo 86 minuta dhe këtu nuk mund të krahasohet me asnjë futbollist që luan në 5 kampionatet më të mëdha të Europës.