“Foleja e kuqe” e guerilsave të Sarandës në pritje të rikthimit të Partizanit kampion

693
Sigal

Që nga themelimi, më 1946 e deri më sot, ekipi i futbollit “Partizani” mbeti në botën sportive shqiptare ekipi më popullor dhe një nga më përfaqësuesit e vendit tonë. Rruga nëpër të cilën ka kaluar historikisht ky ekip dhe që i bën më krenarë tifozët e tij është një panoramë e suksesshme që është fiksuar në kujtesën e tifozerisë, që nuk e tradhtuan as në ditët më të vështira. Partzani mbetet ekipi më i fortë me një trashëgimi tradicionale brilante në futbollin  shqiptar që nga fillimet e tij deri në ditët e sotme. Është ky “aset” kaq legjendar që mbledh edhe “Folenë e Kuqe” në Sarandën e Milto Gurmës. Aty ku flitet vetëm për sport, shikohet vetëm sport dhe shpërndahen emocionet e tij, larg çdo preference politike. Futbolli është magjia e bashkimit të të gjitha shtresave të shoqërisë, jashtë çdo ndikimi politik. “Foleja e Kuqe” sarandiote është një çerdhe e rrethuar nga ngjyrat e simbolit të “Partizanit”. Legjenda e futbollit shqiptar që nga dita që u krijua, më 1946-n me iniciativën e gjeneralit Petrit Dume e deri ditët e sotme do të ruante shkëlqimin e futbollit shqiptar. “Foleja e Kuqe” i ngjan edhe një muzeu të udhëtimit në vite të këtij ekipi që ka pushtuar zemrat e mijëra tifozëve me emocionet që dhuron nga fusha e blertë.

Flamuj, banderola, certifikata, simbole të shpërndara ndër vite, kostume sportive, uniformat e përdorura në ndeshje, fotografi e relikte të shumta të ekipit etj, gjithçka që ka magjinë e ekipit të “Partizanit” është në “folenë e tij” Në “Folenë e Kuqe” të uraganit Ultras Guerrils të Sarandës festohet ,se festë janë edhe sukseset e Partizanit. Sot “Foleja” numëron mbi 40 anëtarë të Ultras Guerrilsave, çka nuk është pak në kushtet e tranzicionit shqiptar në një qytet të vogël si Saranda. Është “foleja” që i bashkon të gjithë para ekranit të rrethuar nga kuqëlimi i simbolikës “partizanase” me shpirtin dhe dashamirësinë sportive të tyre. Është ekrani i madh i TV, që iu dhurua “guerrilsave” të Sarandës nga bashkëpatrioti, presidenti Gaz Demi. Takojmë pronarin e lokalit “Foleja e Kuqe” në Sarandë, Ultra Guerrilasin Ilir Barjami, i cili nën pushtetin e emocioneve dhe entuziazmit nga suksesi i fazës së parë të superligës shqiptare ku “Partizani” u shpall kampion i saj, por edhe të ankthit të pritjes së ndeshjes së fazës së dytë me “Skënderbeun”, na thotë: “Përfundimi i fazës së parë ku “Partizani “ u shpall kampion i saj, u festua nga ne në Sarandë me madhështinë që i takon. Por jo vetëm kjo. Ne kemi festuar e përshëndetur çdo ndeshje, fitore dhe sukses të ekipit. Por titulli kampion i fazës së parë solli një manifestim spektakolar të një feste të vërtetë sportive ku nuk mungoi asnjë gjë festive që nga dekori, pijet dhe fishekzjarrët festive. Kaloi gjithçka bukur, gëzueshëm dhe entuziaste. E kemi ndjekur dhe do ta ndjekim ekipin e futbollit “Partizani”, jo vetëm nga ekrani televiziv, por edhe drejtpërdrejt nga stadiumet. Nuk kemi kursyer asgjë. Sot mbetet ekipi më popullor në historinë e futbollit shqiptar, ndiqet me fanatizëm dhe entuziazëm nga tifozët dhe “Guerrilsat”. Jemi të bindur se do të dalim kampion. Për këtë jemi përgatitur të festojmë, por disi ndryshe do të derdhen lumë, fishekzjarrët që do ta bëjnë natën “partizanase” Kemi besim tek suksesi, prandaj edhe përgatitjet i kemi të “projektuara”. Mjediset e jashtme të “Folesë së Kuqe” në Sarandë do të zbukurohen me 150 flamuj të mëdhenj kuq e verdhë të “Partizanit”. E presim me padurim rikthimin kampion aty ku do festojmë që të gjithë së bashku për Partizanin tonë, për Partizani kampion! Me të, deri në vdekje” –përfundon prononcimin e tij për “Telegraf” pronari i lokalit “Foleja e Kuqe” në Sarandë, Ultrasi, Ilir Barjami.

Agron MEMA