80 vjetori i lindjes së legjendës Panajot Pano

659
Sigal

Ai është historia, ndaj nuk mund të harrohet…

Prof. Përparim KABO

Sot (dje) Panajot Pano do të mbushte 80 vjeç…Mjafton vetëm emri i tij që i madh dhe i vogël, bashkëkohës dhe më të rinj, njerëz të futbollit dhe jo vetëm, sportistë, specialistë të medias, trajnerë, gjyqtarë, mjekë sportiv, sportdashës në të gjithë vendin dhe jashtë tij, kudo ku jetojnë sot anë e mbanë botës; të thonë ‘oh i Madhi Panajot Pano!’. Djaloshi që e nisi udhën e sportit si një fëmijë i një familjeje të thjeshtë në rrugën Fortuzi….do të mbërrinte një ditë shumë larg, ai do shndërrohej në futbollistin më të madh shqiptar, dhe i vetmi që në 100-vjetorin e FIFA-s në vitin 2003 të meritonte “Medaljen e Meritës” akorduar nga organi më i lartë i futbollit botëror… E kishte nisur si portier, sepse kishte kërcyeshmëri të lartë… dhe qe shumë i zhdërvjellët, por shumë shpejt do kuptohej se ai ishte një sulmues race i lindur… Sprinti i shkurtër dhe ai në gjysmë distancë ishin specialiteti tij. Me dhe pa top, Pano shpërthente duke na kujtuar çka thuhej për Pelen, epiteti benzina…që do të thoshte “që shpërthente”. I tillë ishte edhe Panajot Pano një shpërthyes që të çudiste, e mbante aq afër topin, të driblonte me trup dhe me top, godiste me të dyja këmbët nga vendi dhe në ecje, kërcente me kokë dhe i vidhte kohën mbrojtësve edhe më shtat lartë se ai, qëndronte në ajër më shumë se kundërshtari; aq sa të dukej se fiziku i tij ishte një prerje magjike që thyente dhe ligjet e fizikës si atë të inercisë dhe gravitetit….Kush e pa Panajot Panon dhe nuk e duartrokiti, në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Korçë, Kavajë. Gjirokastër, Berat, Lushnjë, Durrës, Elbasan, etj…por dhe jashtë vendit në RFGJ, në Danimarkë, Belgjikë, Holandë, Turqi, Rumani, deri në lindjen e largët… Kudo që ai zbriti në fushën e blertë vrapoi si era, dhuroi emocione, bëri që ti gufonte zemra tifozëve dhe të detyronte t’i hiqnin kapelën edhe kundërshtarët… Ai luajti në fushë me gjigantë si Bekenbauer, Overat, Shulc apo Gert Myler… por asnjëherë përball tyre nuk u zvogëlua, përkundrazi ai ndriste mes tyre me vlerat, cilësitë atletike, me artin e tij të topit, me kurajën dhe lojën e barabartë me ta. Ai veshi fanellën e kuqe të Partizanit dhe me të u lidh për jetë, sa që dyshja Partizani-Pano janë gati gati simbiozike. Nëse Partizani në 70-vjetorin e krijimit në vitin 2016 u dekorua nga Presidenti Republikës, Bujar Nishani, me titullin “Nderi Kombit” dhe nga Federata e Futbollit Shqiptar me titullin e lartë, “Legjenda e Futbollit” mes atyre që e themeluan dhe e ngritën në ato maja si Besim Fagu, Loro Boriçi, Rexhep Spahiu, Refik Resmja apo Lin Shllaku etj., etj…, pa dyshim xhevahiri ishte dhe mbetet Panajot Pano. Partizani e bëri Panon lojtar të madh, Panajoti e bëri Partizanin ekip fitues. Pano ishte një njeri i thjeshtë, një model njerëzor që në fushë njihte vetëm Fair- Play, një shpirt i madh njerëzor, një mik dhe shok për kokë, një model përkushtimi dhe sakrifice njerëzore… Ai argëtohej në fushë dhe dhuronte emocion por ai ishte një mik i ngushtë me çdo lojtar kundërshtar. Kurrë nuk përbuzi apo nënçmoi ndokënd, ai e donte futbollin dhe futbollistët ndaj dhuroi përqafime për cilindo që luajti në fushë me të, sa herë që gjyqtari fërshëllente për mbarimin e ndeshjes. Ai pati miq në të gjithë Shqipërinë, sepse aq sa i madhërishëm ishte në fushë po aq i thjeshtë ishte atje dhe në jetë. Kudo u kërkua, por zemra e tij ishte Partizani dhe Shqipëria… Sot ai nuk është më mes nesh… por nuk mund të jetë jashtë kujtesës sonë… Të harrosh Panajot Panon do të thotë të harrosh historinë, sepse ajo që bëri Panajot Pano me kontributin e tij mund të përmblidhet edhe në pak fjalë… “Panajot Pano me fanellën kuq e zi na mësoi se si dhe pse duhej ta donim atdheun…” Mirënjohje mjeshtër…! Mirënjohje në amshim…!