Shpëtim Duro: “E rikthej Partizanin në Superligë”

283

 Trajneri i të kuqve flet pas fitores me Elbasanin: “E merituam. Skuadra punoi si një ansambël i bukur”

Shpëtim Duro, trajneri i Partizanit, është i vetëdijshëm për misionin e tij: t’i rikthejë të “kuqtë” në elitën e futbollit shqiptar, në Kategorinë Superiore, atje ku skuadra kryeqytetase numëron 15 tituj kampionë. Duro ishte tepër i lumtur pas fitores me Elbasanin, çka a afroi Partizanin me vendin e dytë, duke hedhur hapin e radhës në misionin “Superliga”. “Kur mora drejtimin e Partizanit, – tha Duro për gazetën ‘Telegraf’, – e kisha të qartë atë kërkonin drejtuesit e klubit, por dhe atë që prisnin tifozët. Do të bëj gjithçka që, Partizani të rikthehet atje ku e meriton, në Kategorinë Superiore”.

   – Duro, një fitore e pritur për Partizanin, pavarësisht. Si do ta komentonit?

  – Në futboll asnjëherë nuk ka fitore të garantuar, apo të pritshme. Të gjitha ndeshjet janë të vështira, por unë jam shumë i kënaqur me lojën që prodhoi skuadra, duke marrë në konsideratë edhe terrenin shumë të vështirë, për shkak të kushteve atmosferike. Gjykoj se, bëmë një ndeshje të mirë, gjatë gjithë takimit.

 – Partizani pati shumë raste për gol, pavarësisht se ndeshje u mbyll me rezultatin e ngushtë 1-0. Ku çaloi reparti ofensiv?

 – Pikërisht, për këtë më vjen pak keq, pasi ne patëm raste të shumta për ta shënuar golin e dytë, që, për mendimin tim do ta mbyllte edhe ndeshjen.

 – Sa ë vështirë ishte fitorja me Elbasanin, një skuadër me shumë tradita futbollistike?

 – Sigurisht, ishte një ndeshje e vështirë. Sidomos, në planin psikologjik. Këto janë ndeshje të atilla, në të cilat skuadrat mobilizohen në mënyrë të natyrshme. Alternativa jonë e vetme ishte fitorja, kështu që çdo gabim do të na kushtonte shumë. Do të na krijonte një situatë jo të mirë. Përsa i përket lojës, jam shumë i kënaqur.

 – Duro, Partizani do të përballet me një kalendar aspak të lehtë, teksa pas tri ditësh do të luani kundër një tjetër rivali që,si Tërbuni i Pukës, që synon ashtu si dhe ju, ngjitjen në Kategorinë Superiore. Si e parashikoni takimin?

–  Absolutisht, që është një tjetër ndeshje e rëndësishme. Më duhet ta ritheksoj, se ndeshja ndaj Elbasanit lidhet pazgjidhshmërisht me takimet e tjera. Tani që, ne e fituam takimin me Elbasanin, jemi më të qetë për ta përgatitur takimin me Tërbunin. Nuk mund të kalosh në kat të dytë, pa shkuar më parë në katin e parë. Tani do të fokusohemi plotësisht në ndeshjen e Pukës. Është një kundërshtar për t’u respektuar, është përforcuar shumë, por ne shpresojmë të bëjmë dhe të marrim maksimalen.

 – Ndeshja kundër Tërbunit do të luhet pas tri ditësh. A e ka kontigjentin Partizani, për ta përballuar atë takim?

–  Po, sigurisht. Ne kemi një kontingjent të mirë lojtarësh, kështu që më lejohet të bëj edhe një rifreskim të skuadrës për ndeshjen e së dielës.

– Duro, veteranët e skuadrës po japin kontributin e tyre. Sa po vlenë përvoja e tyre në rezultatet pozitive që po merrni?

 – Sigurisht, janë lojtarë me përvojë dhe me eksperiencë. Është në natyrën time që, t’i mbështes këta lojtarë. Kampionati ynë dihet. Këta lojtarë japin maksimumin në momente të veçanta. Sot (dje) ata dhanë në kontribut të rëndësishëm. Devolli, Tafaj dhe shumë të tjerë përballuan me sukses një ndeshje në një terren shumë të vështirë.

 – Kë shikon Partizani rivalin kryesor për vendin e dytë?

 – Janë disa skuadra që e synojnë atë vend, pasi e kam thënë që Lushnja, me kampionatin që po bën dhe me distancën që ka krijuar, thuajse e ka siguruar ngjitjen në Superligën. Për të thënë të vërtetën, pres një kampionat të ashpër, ku ne nuk duhet të gabojmë. Ne do të respektojmë të gjithë kundërshtarët, si Mamurrasin, Tërbunin, Pogradecin apo ndonjë tjetër. Jo më kot, janë në ato pozicione.

 – Partizani ka një fizionomi më agresivë në lojë dhe më të qartë taktikisht…

 – Kjo është dhe ajo që unë u kam kërkuar djemve: agresivitet, lojë dhe t’i përngjajë sadopak Partizanit të viteve të dikurshme. Nuk përqendrohem tek një lojtar. Ka konkurrencë në skuadër, pavarësisht se jo të gjithë lojtarët janë cilësorë. Megjithatë, më i rëndësishëm për ne është rezultati. Kjo fitore me Elbasanin na qetëson shumë, pas asaj me Butrintin në Sarandë.

  – Duro, ardhja juaj në krye të Partizanit ishte rikthimi i një ish-lojtari dhe një ish-trajneri që e njeh mirë ambientin e kuq. Keni dhënë shumë për Partizanin, por a do ta përmbushnin shpresën për ta rikthyer në Superligë?

 – Sigurisht, që ky është dhe misioni im. Gjithsesi, vështirësitë janë të pranishme, pasi janë lënë disa pikë të rëndësishme në fazën e parë. Tani nuk lejohen gabime, pavarësisht se kemi ndryshuar skuadrën në një pjesë të mirë të saj, gati 80 për qind gjatë merkatos së janarit. Tani lojtarët po njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe unë besoj, se ne do të ngjitemi në Kategorinë Superiore.

 – Ju personalisht, jeni një trajner trofesh: kampion me Skënderbeun; Kupë dhe Superkupë me Besën, ndërkohë që dhe e kaluara juaj te Partizani si lojtar ka disa trofe…

 – Partizani për mua është shumë i veçantë, pasi jam rritur atje, së bashku me një grup shumë të mirë lojtarësh. S’diskutohet, është një përgjegjësi e madhe. Kam drejtuar disa skuadra në karrierën time, por Partizani mbetet për mua shumë i veçantë. Kam kaluar momente shumë të mira, por dhe të vështira.

 – Tifozët e kuq ishin të pranishëm në një numër të konsiderueshëm në “Qemal Stafa”, në mbështetje të skuadrës. Cili është mesazhi juaj?

 – Partizani është një skuadër popullore dhe ka tifozët ndoshta më të zjarrtë në Shqipëri. I falënderoj për mbështetjen dhe i ftoj ata, të jenë gjithmonë të pranishëm në ndeshjet tona.

Ilirjan File: “Erdhëm për të treguar futboll”

 Trajneri i Elbasanit, Ilirjan File, ishte mjaft i qartë pas humbjes 1-0 me Partizanit. “Ne erdhëm për të treguar futbollin tonë, por ky është futbolli. Elbasani nuk ka pasur një ecuri të mirë, por mendoj se në pjesën e dytë u paraqitëm më mirë. Kam pretendime për arbitrimin, pasi ishte një penallti e qartë. Zona e ftohtë më afër? Dëshirojmë të paraqitemi sa më mirë në pjesën e mbetur të kampionatit”.

 Partizani-Elbasani 1-0

 Fitorja e kuqe

  Partizani mori një fitore me vlerë, falë një goli të realizua nga Fatjon Tafaj, në ndeshjen e prapambetur të javës së 18-të të Kategorisë së Parë, mes Partizanit dhe Elbasanit. Nën dritat e prozhektorëve, në prani të mjaft tifozëve të kuq, skuadrat sfiduan njëra-tjetrën në njëlloj ndeshjeje me “aromë” Superioreje, po të kemi parasysh historikun e tyre, por dhe trofetë e fituar. Partizani ishte më superior gjatë tërë kohës, ndërkohë që ka pasur edhe mbështetjen e tifozëve të vet të zjarrtë. Nuk vonon shumë, në fakt, dhe rezultati i ndeshjes zhbllokohet. Një këndore nga e djathta për të kuqtë shkon në gjysmëlartësi në zonën e vogël të verdhebluve, ku mbrojtësi Tafaj ndërhyn me kokë dhe shënon. Ky moment shërben për t’i çliruar psikologjikisht të besuarit e Duros, që vijojnë të kenë iniciativën dhe të mos e lejojnë kundërshtarin të dalë nga gjysmëfusha e vet. Gjatë pjesës së parë, të kuqtë kanë krijuar edhe dy raste të mira për shënim, me anë të mesfushorit Ishka dhe sulmuesit Malo, ndërsa Abazaj ka marrë kartonin e parë të verdhë në minutën e 34-t. Skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes në pushimin mes dy pjesëve me epërsinë minimale të vendësve, ndërkohë që Elbasani pak e ka shqetësuar portën e kryeqytetasve. Pjesa e dytë ka pasur pothuajse të njëjtën “melodi” si e para, kur trajnerët kanë bërë edhe zëvendësime në formacionet e tyre. I tillë ishte edhe ai në sulmin e të kuqve, kur doli Tushe dhe u aktivizua Oladele. Evidentojmë këtë zëvendësim për faktin se lojtari i huaj kaloi një test prove edhe te Vllaznia, ndërsa bëri debutimin e tij me Partizanin. Pas kësaj fitoreje, skuadra e trajnerit Shpëtim Duro ka në llogarinë e vet 34 pikë, çka i mundëson vendin e tretë pas Lushnjës dhe Mamurrasit, duke spostuar pas vetes Pogradecin me një pikë më pak. Nga ana e tyre, verdheblutë mbeten në vendin e 11-të të Kategorisë së Parë me 19 pikë.

KATEGORIA E PARË

Java XVIII

Dje, 27.02.2013

Partizani-Elbasani         1-0

Të dielën, 24.02.2013

Kamza-Tërbuni              0-2

Të shtunën, 23.02.2013

Besëlidhja-Ada             1-0

Lushnja-Butrinti                3-0

Naftëtari-Burreli          2-0

Himara-Dinamo              1-1

Gramshi-Iliria             2-1

Mamurrasi-Pogradeci        4-3

  RENDITJA

 1    Lushnja              18   +20  43

2    Mamurrasi            18   +10  35

3    Partizani            18   +2   34

4    Pogradeci            18   +6   32

5    Tërbuni              18   +14  31

6    Iliria               18   +3   26

7    Dinamo               18   +3   24

8    Burreli              18   -1   23

9    Butrinti             18   -2   23

10   Gramshi              18   -8   23

11   Elbasani             18   -8   19

12   Besëlidhja           18   -4   18

13   Himara               18   -5   17

14   Ada                  18   -5   16

15   Kamza                18   -10  16

16   Naftëtari            18   -15  11

Java XIX

02.03.2013

 Mamurrasi-Besëlidhja

Pogradeci-Gramshi

Iliria-Himara

Dinamo-Naftëtari

Burreli-Kamza

Tërbuni-Partizani

Elbasani-Lushnja

Butrinti-Ada

Xhevahir Sukaj, “specialisti” i Ligës së Kampioneve

 Xhevahir Sukaj realizoi një dopjetë të mrekullueshme në fitoren 3-0 të skuadrës së tij iraniane, Sepahan, ndaj Al Nasri nga Emiratet e Bashkuara Arabe, në ndeshjen e vlefshme për grupin C të Ligës së Kampioneve të Azisë. “Bomberi” shkodran realizoi golin e parë në minutën e 22-të, pas asistit të Mahltabarit, duke mbyllur edhe pjesën e parë 1-0 në favor të iranianëve. Është sërish Sukaj, në një ditë të shkëlqyer, ai që dyfishoi rezultatin në minutën e 81-të, ndërkohë që në të 86’, Ebrahimi vulosi shifrat në 3-0. Duhet theksuar se, të tre asistet e golave u dhanë nga Reza Khalatabari. Gjatë këtij sezoni të kampionatit iranian, Xhevair Sukaj ka shënuar 9 gola, duke qenë ai golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij. Për ish-sulmuesin e Vllaznisë, por me eksperiencë ndërkombëtare ne Turqi, Egjipt dhe Kroaci, këta ishin golat me numër 3 dhe 4 në Ligën e Kampioneve të Azisë. Sezonin e kaluar Xhevair Sukaj shënoi dy gola në Ligën e Kampioneve gjatë sezonit të kaluar, për ekipin e tij iranian, Sepehan. Sulmuesi shkodran realizoi një gol në fitoren 2-1 kundër Al Ahlit të Ahlit nga Arabia Saudite (më 15 maj 2012) dhe një gol në fitoren 3-0 ndaj Al Nasrit nga Emiratet e Bashkuara Arabe (1 maj 2012). Për Sepahanin luajti si titullar dhe Ervin Bulku, por mesfushori shkatërrues i Kombëtares shqiptare u zëvendësua në minutën e 78-të. Në ndeshjen tjetër të atij grupi  Al Ahli (Arabia Saudite) fitoi 2-0 me Al Gharafa (Katar). Të martën, Hamdi Salihi e nisi në mënyrën më të mirë aventurën e tij me skuadrën kineze, Jiangsu Sainty, duke realizuar golin e vetëm të ekipit të tij, në humbjen 5-1 me koreanët e Seulit, në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve të Azisë. Ndeshja i përkiste grupit E, ku bëjnë pjesë edhe Vegalta Sendai (Japoni) dhe Buriram Junaitid (Tajlandë). Golat në Ligën e Kampioneve të Azisë ka shënuar edhe sulmuesi kosovar i Brisbejn Roarit (Australi): një gol kundër japonezëve të Tokios, në humbjen 4-2 (më 2 maj 2012), dhe një tjetër në barazimin 1-1 me kinezët e Beijing Guan (16 maj 2012).