Zylfi Tola: “Një letër nga Skrapari në mullirin e kafesë”

55
Sigal

– Baxhanaku im Shukri Fana, nga Vërmica e Prizrenit, më kishte çuar fjalë, se donte një mulli kafe nga Shqipëria

-Skraparlliu nga Vendresha më dërgoi mullirin e kafesë kur se prisja duke më kërkuar mijëra herë të fala

– Ngjarje e vërtetë –

Ka qenë saktësisht viti 1988. Në Bashkimet Profesionale detyra ime kryesore, si instruktor ishte veprimtaria masive, sporti, kultura, ngjarjet historike etj. Ato kohë Bashkimet Profesionale shpërndanin fletët e kampeve për të gjitha institucionet, ndërrmarrjet ekonomike, ushtrinë, shkollat etj. Duke qenë se punoja këtu, edhe unë zgjodha një të tillë, madje në një nga kampet më të bukura, në Sarandë. Në fletët e kampit ishte e caktuar edhe dhoma, edhe numri i saj, që kështu pushuesit të mos sorrollateshin andej e këndej. Së bashku me Hasijen, gruan time, pas një udhëtimi të lodhshëm arritëm në qytetin jugor. Hoteli ishte në rrugën që të çon në Ksamil, buzë detit Jon. Dhoma e bukur në katin e parë dhe me pamje nga det , bile kur frynte era e fuqishme, dallgët vazhdimisht përplaseshin në ballkonin tonë. Unë kam qenë gjatë jetës sime në disa kampe pushimi, por atë të Sarandës nuk e harroj, jo vetëm për detin me ujët e kristaltë, por edhe për qetësinë, ambientin, ata shkëmbinjtë e pak, edhe për rërën aq të pastër, sikur ishte e situr me dorë. Disa kohë më parë baxhanaku im Shukri Fana, nga Vërmica e Prizrenit, më kishte çuar fjalë, se po të gjendej rasti, t’i siguroja një mulli kafe nga Shqipëria, se ai i vjetri i tij e kishte kaluar shekullin e tani ishte dorëzuar plotësisht. Pasi jemi stabilizuar në kamp, gjej rastin dhe komunikoj me njërin nga punonjësit e hotelit dhe i them nëse mund të blija në ndonjë dyqan një mulli kafe, pasi dua t’ia dërgoj një mikut tim në Kosovë. Punonjësi me dashamirësi më thotë se ka vetëm në Delvinë, bile edhe shumë të vegjël, tamam për një familje. Një ditë të diel, së bashku me Hasijen, pasi ajo kishte dëshirë ta njihte nga afër Delvinën, me autobusin e linjës, arritëm në qytetin e vogël ku ishte bërë e njohur edhe me hidrocentralin e Bistricës. Unë në Delvinë kisha qenë më parë me ekipin e futbollit dhe e njihja shumë mire. Kur arritëm në Delvinë, gjatërrugës, pa hyrë plotësisht i tregova Hasijes me dorë edhe fushën e futbollit. Pastaj shëtitëm pak edhe nëpër bulevardin e vogël. Pimë një kafe dhe ende pa u nisur e blemë edhe mullirin e kafesë, që e kaluam nëpër duar të dy. Hasija tha se është tamam për Shukriun, burri i motrës së saj, martuar në vitin 1946 në Vërmicë. Kthehemi në kamp, pak i lodhur dhe pa shkuar në dhomën tonë të zakonshme, pimë kafe, por mullirin e mbanim gjithnjë në dorë. Disa pushues e panë e na pyetën ku e kishim blerë, por edhe çmimin etj. Pas dy ditësh na vjen në derë një plakë dhe i kërkon Hasijes mullirin e Delvinës për të bluar ca kafe që e kishin blerë. Gruaja më pyeti se si të vepronte? Unë i thashë t’ia jepte, sepse tani këtu ishim komshinjë .

Pasdite në lokalin e kampit e takojmë plakën, burrin e saj, e pjestarë të tjerë të familjes së tyre. Na thanë  se janë nga Skrapari , për fshatin nuk e kam të saktë, por ata na e treguan, Vendresha apo ndonjë tjetër, nuk mund të jem i saktë. Mullirin, u thamë, mbajeni deri në ditën kur të ikni dhe pastaj na e ktheni. Kaluan disa kohë, por ne nuk po i shihnim më komshinjtë tanë, bile Hasija një mbrëmje më tha me shaka, se skraparllinjtë na kanë humbur. Një mëngjes e pyes njërin nga punonjësit e hotelit, se ku janë ata dy pleqtë nga Skrapari me familjet e tyre? Kamarierja, që na dëgjoi, tha se ata janë larguar; patën një hall, ikën mirë dhe keq, bile edhe materialet e dhomës i numëruam pa qenë prezent. Patën një lajm e haber, andej nga ishin – u shpreh përsëri kamarierja. Tani me Hasijen pamë njëri –tjetrin edhe pak të habitur, se mesa i njohëm, ata qenë njerëz të mirë, malësor të çiltër. Sidoqoftë, mulliri ynë i kafesë tashmë kishte marrë rrugëtimin për në malet e fshatrat e largët të Skraparit. U kthyem në dhomë me gruan. Mulliri u bë temë e ditës, gjithsesi, edhe të bindur plotësisht, se skraparllinjtë kanë harruar të na e sjellin dhe Hasija, që ishte më shumë bujare se unë dhe tepër xhymerte, më tha- se ua kemi falë, hallall e paçin e nuk do ta përmendim më. Sidoqoftë, një mulli tjetër duhej blerë për Shukri Fanën nga Vërmica e Prizrenit. Një ditë herët në mëngjes, arrij në Delvinë. Në dyqan i kërkoj shitësit një mulli kafe. Pasi e vështroi në disa qoshe, e gjeti, më tha se ishte i fundit dhe ju, në qoftë se nuk harroj, e keni blerë një të tillë të dielën e kaluar. Po i përgjigjem unë, por ai ka mbërritur tani në Skrapar. Nuk e zgjata më shumë me qytetarin e jugut. Mora mullirin dhe pasi u përshëndetëm u largova që andej.

Kthehemi në Kukës. Nuk e zumë më në gojë emrin e mullirit të Delvinës, kjo edhe për faktin se Shukriut i kishim blerë një tjetër. Gjithsesi në fshehtësi me veten time e vrisja mendjen, se si e ka marrë me vete ai burri mullirin tim, e të tjera? Ishte mbrëmje, në lagjen ku banoja unë, pra në lagjen numër katër, takoj rastësisht shoferin, Musa Sherifin, me origjinë nga Tropoja dhe pasi u përshëndetëm, më tha se kishte një amanet për mua. Po çfarë i them? Shoferi i autobusit të Çorodovës tek agjensia e Tiranës, pasi ka pyetur disa pasagjerë të rastit, më ka takuar dhe më ka dhënë një mulli kafe, si porosi nga një burrë me origjinë nga Skrapari. Skraparlliu,- më shpjegoi Musai, mbante mend se unë punoja në Bashkimet Profesionale. Kaq ishte adresa ime e asaj kohe. Mora mullirin dhe pa u takuar me Hasijen, hapa kapakun dhe në të gjej një letër të palosur me shumë kujdes e merak. Gjithashtu në pjesën e poshtme të mullirit kishte futur edhe një grusht me kokrra kafeje të pabluara. Në të shkruhej, me një kaligrafi shumë të qartë dhe shkurtimisht:

“I nderuar kuksian! Po ta dërgoj mullirin tënd. Nuk e di se si e kam marrë, ndoshta edhe jam turpëruar dhe më ke quajtur të pabesë . Ika, se si , as vet s’e di. Një problem familjar më detyroi edhe pa të thënë lamtumirë e dorëzuar mullirin, i cili qe lidhës mes nesh në atë kampin e pushimit në Sarandën e bukur. Po ta dërgoj mes shumëduarve. Besoj, por edhe kam bindje se tani jam edhe i shfajësuar, pasi jeta ka peripecitë e veta .”

Të fala shoqes dhe ju përqafoj !

Petriti

Letra nuk kishte datë, por edhe mbiemrin e personazhit tim, që mbeti si një kujtim dhe histori e bukur në atë periudhë, qoftë për mua, Hasijen, punonjësit e hotelit dhe vetë burrin besnik e familjen e tij nga Skrapari i largët.

Letrën ia dhashë Hasijes, ramet pastë e në përjetësi e lexoi me shumë vëmendje dhe u shpreh çiltërsisht : – s’ka rëndësi mulliri e vlera e tij, por më shumë virtyti e besnikëria e atij burri që ndodhemi aq larg, Kukës –Skrapar. Tani jemi me dy mullinj kafe! Këtë të Skraparit e quanim të vjetër, e mbajtëm për vete, ndërsa atë tjetrin do ta nisim për në Vermicë , te baxhanaku im, Shukri Fanaj.

Kukës , më 23.12.2022