Ylli Polovina: Ja misteri i pranisë së Titos në vaporin, ku udhëtonte Mehmet Shehu në Amerikë dhe telegram i koduar i Reiz Maliles

503
Sigal

Libri  i Ylli Polivinës: MEHMET SHEHU DHE TITO TAKIM NË “QUEEN ELIZABETH”?

Vijon nga numri i kaluar

Gazeta “Telegraf” boton sot ekskluzivisht  pjesën e katërt  të librit të  ri “MEHMET SHEHU DHE TITO TAKIM NË “QUEEN ELIZABETH”?” të publicistit Ylli Polovina, i cili aktualisht është vetëm në formën elektronike.Në këtë pjesë zbardhen prapaskenat diplomatime midis Misionit Shqiptar pranë OKB-së dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Hammarskjold për kushtet diskriminuese të SHBA ndaj delegacionit shqiptar të kryesuar nga kryeministri Mehmet Shehu. Më tej, publicisti Ylli Polovona, përshkruan misterin e pranisë të Presidentit jugosllav Tito në të njëjtin vapor ku udhëtonte edhe kryeministri shqiptar dhe  zbardh për herë të parë të vërtetën e takimit të Mehmet Shehut me Josif Broz Tito në vaporin “Queen Elizabeth”.

Një “Aide Memoire” e Misionit të Shteteve të Bashkuara pranë OKB-së

Po atë 10 shtator në një orë të vonë të pasmesnatës së Nju Jorkut nga Reiz Malile u nis me ngut drejt Tiranës edhe një tekst tjetër i koduar. Kur u ra në dorë shifrantëve të Ministrisë së Jashtme, për shkak të gjashtë orëve të distancës mes dy qyteteve dhe shkujdesjes së shefit të tyre në ndarjen e punës, këtu akrepat shënonin 13.30. Pas pesëmbëdhjetë minutave megjithatë çfarë transmetohej me urgjencë u zbardh e gjitha. Informacioni i ri e plotësonte edhe më mirë pamjen e promemories së Misionit Amerikan pranë OKB-së, i cili qe, siç e ritheksonte posaçërisht radiogrami i ri, edhe vetë qëndrimi i qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Një radiogram i tretë i mbërritur po aq vetëtimthi, edhe ai sërish me një tufë fjalësh shpjeguese për promemorien e ashpër të Shtëpisë së Bardhë, transmetonte një njoftim të ri: “Mbas dy herë ndërhyrjeve në Sekretariat autoritetet amerikane i dhanë urdhër përfaqësive të tyre në Budapest dhe Paris t’i jepet vizë gjithë delegacionit”. Sigurisht që këtë ditë, 11 shtator, Mehmet Shehu ndodhej akoma në Tiranë dhe e ndiqte çast pas çasti vrapin e tensionuar të lajmeve. Patjetër edhe me dijeni e dëshirë të tij, por detyrimisht duke kaluar nga Enver Hoxha e në mos hartuar plotësisht mbi tezat e tij, po ato orë u formulua teksti i një deklarate proteste që Misioni Shqiptar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara duhej t’ia përcillte sa më shpejt kolegëve të tyre amerikanë. Kjo donte të thoshte po ashtu edhe Shtëpisë së Bardhë. Në paragrafin e parë të saj kufizimet ndaj Mehmet Shehut cilësoheshin diskriminuese.

Në të dytin radhiteshin njëra pas tjetrës fjalët “Misioni i RPSh-së deklaron se pavarësisht nga pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi politikën e Republikës Popullore të Shqipërisë ndaj SHBA, në frymën e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Marrëveshjes së 26 qershorit 1947 përfunduar midis OKB-së dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me selinë e kësaj organizate, Kryetari i Këshillit të Ministrave të RP të Shqipërisë Mehmet Shehu duhet të gëzojë të gjitha të drejtat dhe privilegjet që gëzojnë kryetarët e delegacioneve të shteteve të tjerë anëtarë të Kombeve të Bashkuara”. Paragrafi i tretë komunikonte me ton të prerë se “Misioni i RP të Shqipërisë thekson se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mban përgjegjësi të plotë për sigurimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave Mehmet Shehu gjatë qëndrimit të tij në territorin e SHBA”. I katërti dhe njëkohësisht i fundit paragraf i deklaratës së protestës njoftonte se “Kryetari i Këshillit të Ministrave të RP të Shqipërisë do të arrijë në Nju Jork në 20 shtator 1960 me vaporin “Queen Elizabeth” dhe se do të banojë në selinë e këtij Misioni”. Kur tashmë në Nju Jork kalendari shënonte 12 shtatorin nota e protestës u nis për në destinacionin e saj: Misionin e SHBA pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Pa u lënë të kalonin dhjetë minuta nga kthimi i diplomatit shqiptar të ngarkuar për ta dorëzuar deklaratën e protestës në selinë e kolegëve amerikanë, iu dërgua Tiranës radiogrami i mbyllur se gjithçka qe përmbushur sipas udhëzimit të ardhur. Shënonin se teksti i dorëzuar nuk kishte pasur asnjë ndryshim prej atij të ardhur. Me telegramin e koduar numër 322 Reiz Malile njoftonte qendrën se kishte bërë një vizitë tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Dag Hammarskjold dhe pat protestuar për kufizimet ndaj Kryeministrit.

Nuk kishte shmangur edhe një kujtesë: plogëtinë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së vizave. Hammarskjold, një suedez biond me pamje mjaft simpatike, nga natyra temperament i qetë, iu përgjigj diplomatit shqiptar vetëm për shqetësimin e parë. Zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara premtoi një bisedë mirëkuptimi me autoritetet e vendit. Kur u kthye në seli, ndërsa mbi Manhatan bashkë me natën kishin rënë edhe llamburitjet e reklamave, Reiz Malile gjeti mbi tavolinë një gjysmë fletë. Në të ndodhej i shtypur me teletajp një njoftim i AFP-së. Agjencia Franceze e Lajmeve shkruante “Mehmet Shehu u nis nga Tirana në Nju Jork”. Ishte saktësisht kështu. Ka qenë ditë e hënë. Ngjarja gjendet e fiksuar në “Ditar për çështje ndërkombëtare (1958-1960)”. E regjistron vetë Enver Hoxha. Madje saktëson se bashkë me shokë të tjerë ka dalë edhe vetë në aerodrom. Avioni italian i pasagjerëve do të ulej në Romë. Të nesërmen, në pasditen e 12 shtatorit, njëkohshëm Ministrisë së Jashtme, por edhe një drejtorie të posaçme në Komitetin Qendror të PPSH-së, e cila merrej me marrëdhëniet ndërkombëtare, nga legata shqiptare në kryeqytetin italian u shkoi i njëjti radiogram: “Në orën 13.40 u nis delegacioni për në Paris. Shoqërohet nga titullari dhe sekretari i parë deri në kufi. Në stacion erdhën të gjithë përfaqësuesit e vendeve mike, ambasadori sovjetik e polak, ministri çek e hungarez etj. Ishte ai i Sudanit dhe Indisë ndërsa bullgari jo me të gjithë kolegët e tij që u lajmëruan”. Kur në Nju Jork 13 shtatorit iu afrua mesnata një këshilltar i Sekretarit të Përgjithshëm Hammarskjold telefonoi në selinë e Misionit Shqiptar duke u thënë se çdo gjë për vizat e hyrjes në territorin amerikan qe rregulluar. Nuk shqiptoi asnjë fjalë për problemin tjetër, atë të lehtësimit të masave shumë shtrënguese për qarkullimin e Mehmet Shehut. Ky në 14 shtator, në mëngjes, kishte mbërritur në Paris. Në stacionin e trenit patën dalë për ta pritur që nga përfaqësuesi Kastelno i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, deri tek ambasadori i Çekosllovakisë, diplomatët e parë të Bullgarisë, Hungarisë dhe Rumanisë, si edhe i ngarkuari me punë i Bashkimit Sovjetik. Për të pritur delegacionin gjithashtu qenë me kohë në stacion Dhimitër Lamani, Ministër fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Francë, bashkë me të gjithë personelin e Legatës. Një radiogram informues, i cili iu dërgua Tiranës që në orën 10.00, nuk harronte të shkruante edhe hollësinë se gjatë pritjes “Shokut Mehmet Shehu iu dhanë lule nga fëmijët shqiptarë”. Në pasditen e këtij katërmbëdhjetë shtatori mbi oqeanin Atlantik u kryqëzuan dy mesazhe të ngutshme. Ai që shkonte drejt Tiranës thoshte se tashmë kishte dalë botimi i posaçëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara me të gjitha emrat e pjesëmarrësve në delegacione. Që në kopertinë thuhej se këto punime do të zhvilloheshin prej 20 shtatorit deri në 17 tetor 1960. Në renditjen e dërgatave Shqipëria vinte e dyta pas Afganistanit. Në përbërje qenë rreshtuar katërmbëdhjetë persona, duke nisur me Mehmet Shehun. Mes të ngarkuarve me sigurinë e kryeministrit nuk mungonte edhe emri i atij që pati zëvendësuar zbuluesin politik të refuzuar. Radiogrami i dytë bëri drejtimin e kundërt të lëvizjes. Shkonte për në Nju Jork, por fillimisht jo i nisur nga Tirana. Për në brigjet amerikane e filloi rrugën që nga Parisi. Qe nënshkruar nga vetë Behar Shtylla. Telegrami iu drejtua kryeqytetit shqiptar, zëvendësministrit të dytë të Jashtëm: “Njofto Reizin urgjent për sa vijon: Në rast se midis përfaqësuesve të vendeve të kampit tonë bëhet mbledhje konsultimi për problemet e OKB-së dhe në këtë mbledhje shtrohen propozime të reja nga miqtë për çështje të rëndësishme si çarmatimi e të tjera, Reizi të thotë se merr shënim dhe do t’ia njoftojë delegacionit, pa mbajtur fare qëndrim”. Pasi mbërriti në Tiranë kjo porosi urgjente me një radiogram tjetër vrapoi drejt Nju Jorkut. Në mbrëmjen e vonë të 14 shtatorit Behar Shtylla sërish formuloi një telegram të dytë. Ai iu nis një zyre të rëndësishme në Komitetin Qendror të Partisë së Punës duke i propozuar që protesta e Misionit Shqiptar në Nju Jork kundër qeverisë amerikane të botohej në shtypin e Tiranës dhe po ashtu nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve të shpërndahej për koleget e saj të huaja. Ndërkaq paralelisht me veprimin e ministrit të Jashtëm, Mehmet Shehu me një telegram të mbyllur që mbante numrin 480, i shkroi Enver Hoxhës se qenë mjaft të gëzuar për qëndrimin e vendosur të partisë në debatin me sovjetikët dhe sidomos ishin entuziazmuar prej përgjigjes së fortë kundërshtuese që u ishte dhënë, në një debat të fundit, përfaqësuesve të komunistëve gjermano-lindorë. Kryeministri e përfundonte teleksin e fshehtë me po të njëjtën ide si edhe ministri i Jashtëm: “Do qe mirë të botohej protesta që i bëmë Amerikës për restrikcionet e delegacionit”.

Mehmet Shehu ngjit shkallët e “Queen Elizabeth”

Natën e 14 shtatorit 1960 Mehmet Shehu e kaloi në kryeqytetin francez. Për në portin e Sherburgut u nis të nesërmen. Me delegacionin qe bashkuar edhe diplomati i parë i legatës në Paris, tashmë edhe ai pjesëmarrës zyrtar. Në ceremoninë e përcjelljes në stacionin e trenit gjendeshin të pranishëm autoritete të vendit si edhe shefat e përfaqësive diplomatike të vendeve socialiste në Francë. Po ashtu edhe drejtues lokalë. Ndërsa po bëheshin gati të ngjiteshin nëpër shkallët e “Queen Elizabeth” panë se si një grup gazetarësh po zbriste prej tyre zhurmshëm. Tek shkëmbeheshin dikujt prej delegacionit iu bë sikur prej njerëzve të shtypit dëgjoi fjalën Tito. Nuk i dhanë rëndësi. Në qoftë se Josip Broz Tito do të qe edhe ai në atë vapor duhej ta kishin dëgjuar që më parë. Ardhur me tren nga Jugosllavia apo me avion ai patjetër do të kishte qëndruar në Paris, qoftë edhe për një orë. Por edhe drejt për së drejti në Sherburg të kishte zbritur, prania e tij do të shkaktonte lajm dhe për pasojë legata e tyre do ta kishte kapur në kohë të dhënën. Ndërkohë asgjë e tillë nuk pat ngjarë. Kur u afruan tek autoritetet doganore për të bërë kalimin njëri prej tyre i informoi se në anijen e madhe dhe luksoze të pasagjerëve kishte një udhëtar të shquar, Josip Broz Tito. Pastaj u uroi udhëtim të mbarë. Nuk do të kalonin shumë orë pas fillimit të lundrimit të “Queen Elizabeth”, kur në sallën e ngrënies, në mbrëmje, e panë Titon tek rrinte në mes të një tryeze. Qe i shoqëruar prej të vetëve. Mehmet Shehu ndërkohë ndodhej i mbyllur në kabinën e tij.

Tito, agjenti i Moskës me kodin TT

Kur zbardhi e nesërmja, 16 shtatori, ndërsa dolën në kuvertë së bashku për një shëtitje të shkurtër, kryeministri tregoi se mbiemri apo emri i dytë Tito, jugosllavit i qe vënë prej një funksionari të vjetër të Kominternit. Ky e kishte bashkëpunëtor sekret. Tito, vijoi Mehmet Shehu, nuk ishte që tjetër veç shqiptimi i emrit të pistoletës sovjetike “TT-30”. Këto dy germa, shpjegoi, ndërsa në të folurën shqip thuheshin “TëTë”, në atë të rusëve shqiptoheshin Tito. Pra, tha jo pa ironi Shehu, njeriu që në atë vapor të mbretëreshës angleze mbahej me të madh si mik i saj nuk ishte tjetër veç agjenti i Moskës me kodin TT. Pas asaj shëtitjeje të shpejtë kryeministri shqiptar u rimbyll në kabinën e tij për të punuar mbi dy fjalimet që do të mbante në mbledhjen e OKB-së

 

Nuk do të kalonin shumë orë pas fillimit të lundrimit të “Queen Elizabeth”, kur në sallën e ngrënies, në mbrëmje, e panë Titon tek rrinte në mes të një tryeze. Qe i shoqëruar prej të vetëve. Mehmet Shehu ndërkohë ndodhej i mbyllur në kabinën e tij

Tito, vijoi Mehmet Shehu, ishte shqiptimi i emrit të pistoletës sovjetike “TT-30”, në të folurën shqip thuheshin “TëTë”, në atë të rusëve shqiptoheshin Tito. Pra, tha me ironi Shehu, njeriu që në atë vapor të mbretëreshës angleze mbahej me të madh si mik i saj, ishte agjenti i Moskës me kodin TT

Kurrkush nga anëtarët e delegacionit nuk e dinte që një ditë më parë, ndërsa “Queen Elizabeth” ende nuk qe nisur, një gazetar apo zbulues politik i maskuar si i tillë, e kishte fiksuar praninë e përbashkët të Josip Broz Titos dhe Mehmet Shehut

 

Publicisti Ylli Polovina

Ylli Polovina ka lindur në Berat në 15 gusht 1948, ku edhe përfundoi gjimnazin e njohur “Babë Dudë Karbunara”. Më pas i vijoi studimet në degën e Gjuhë Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Librin e parë, vëllim me poezi, “Nëpër stacione”, e botoi këto kohë, në 1971 dhe deri tani ka publikuar në letër 33 libra, kurse në format elektronik 7 të tjerë. Pesë prej këtyre librave janë përkthyer në italisht dhe greqisht. Që prej vitit 1988 zhvillon veprimtari të pandërprerë publicistike e të kronikës dhe analizës historike.  Për 17 vitet e parë të jetës së tij si intelektual ka punuar në Berat, si mësues në shkolla të mesme, më pas, për po aq kohë, ka qenë drejtues i Pallatit të Kulturës “Tekstilisti”, i Teatrit Profesionist të qytetit dhe në fund të viteve nëntëdhjetë qe kryeredaktor i gazetës “Kushtrimi”. Për një dekadë ishte kryetar e degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për Beratin. Afro tetëmbëdhjetë vitet e fundit, deri sa në 2014 doli në pension, ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.