Hyqmet Zane: Popullata e Çamërisë provoi 3 genocide në një shekull

720
Sigal

Ahmet Xhafo, ish kryetari i Shoqatës Çamëria në SHBA rrëfen tragjedinë 75- vjet më parë

Popullata e Çamërisë provoi tre genocideve në një shekull.

Nga Hyqmet ZANE

Shqiptarët në gadishullin Ballkanik, apo siç edhe njihet historikisht gadishulli Ilirik, kanë pësuar genocidet më të mëdha gjatë rreth 200 vjetëve të fundit dhe kjo ka arsyet e veta historike, që vijnë për shkak të mosruajtjes së parimeve të shenjta të pavarësisë së fqinjëve, që kanë bërë pazare në kurriz të një kombi të tërë. Duhet thënë se është për t’u shënuar fakti se Çamëria dhe popullata came, eskluzivisht kanë përjetuar bashkë tre genocide.

Nëse për kosovarët mori fund një herë e përgjithmonë genocidi serb, për popullatën çame rëndon ende si kular trioja e genocideve : atij nazifashist, atij komunist, por edhe ai grek. Nëse u dënua genocidi nazifashist dhe po pritet të dënohet genocidi komunist, Rezoluta e të cilit që u hartua nga këshilli i Europës pritej të ratifikohej edhe nga Parlamenti Shqiptar, mbetet si një ferr i vërtetë dhe i patrazuar genocidi grek, tipik shovinist dhe barbar i një vendi që fatkeqësisht në sytë e Europës krenohet për këtë genocid, Europa e di dhe e ka pjesë të sajën, derisa vetëm se është bërë palë me të, por kurrë dënuar. Kjo do të jetë ndoshta sfida e këtij fillimshekulli të XXI.

Kur flasim për genocid të Greqisë ndaj Çamërisë,  kjo ka edhe të vërtetat që kanë ndodhur mbi popullatën çame për të cilat historia e sotme moderne hesht, por kujtesa e njerëzve që e kanë përjetuar atë genocid është e gjallë. E tillë është e gjtihë gama e masakrave që ndodhën mbi një popullsi të pafajshme, të pambrojtur dhe në shtëpinë e saj. Nisi më 27 qershor në Paramithi dhe përfundoi në Filat, e cilësuar si masakra e dytë e Filatit,  e zhvilluar më 13 mars 1945.  Për këtë masakër të dytë flet një dëshmitar  okular i asaj kohe që ka parë me sytë e tij gjithçka si një fëmijë që i mbetën në mendje, si në një film bardh e zi. Flet Ahmet Giaffo, ish kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Njeriut « Çamëria », në SHBA.  Ai, si njeri që nuk e duroi dot genocidin komunist pas atij grek, i përcjell me dhembjen që i ka parë në ato ditë, kur masakrat greke mbi çamët u kthyen në një ritual nacionalizmi të shfrenuar greko-ortodoks.

Në kujtim të masakrës së Filatit

Ahmet Xhafo

Më 13 mars u mbushën 75- vjet nga masakra e Filatit e kryer më 1945,  nga  bandat shoviniste  greke kundër popullsisë  së pafajshme çame të Filatit me rrethe. Kjo ishte vala e dytë tragjike e genocidit të filluar në qershor të vitit1944, nga trupat fashiste të Napolon Zervës.

Sipas dokumentave të Komitetit Antifashist të Minoritetit Çam, të referuara edhe nga historiani Beqir Meta, pas shpartallimit të trupave të Zervës nga ana e ELAS-it në vjeshtë 1944,  rreth 3000–5000 refugjatë çamë të shpërngulur në Shqipëri vetëm disa muaj më parë, vendosën të ktheheshin në shtëpitë e tyre, në  Çamërinë Veriore, pas disa muajsh vuajtjesh në kampet e ngritura me mjete rrethanore në fushën e Mursisë dhe Vrinë, ku dhjetëra refugjatë çamë kishin gjetur vdekjen nga kushtet e vështira higjienike, mungesa e ushqimit, sëmundjet, apo moti.  Para kthimit në Çamëri, ata kishin marrë sigurinë verbale, madje edhe nga një mision i rëndësishëm diplomatik perëndimor në Tiranë.  Por tek punonin arat e tyre dhe mbarështronin blegtorinë në Filat, ata u bënë sërish viktimë e hiper-nacionalizmit të verbër grek.

Më 5 mars 1945,  rreth 100-200 ushtarë grekë, zbarkuan nga Korfuzi në Sajadhë.  “Pasi rrethuan Filatin, Shqefarin e Spatarin, – shkruan më tej historiani Meta, – nisën vrasjet e banorëve  paqësorë, që sapo kishin filluar  të punonin tokat e tyre.”  Vrasja makabre e 13 marsit 1945 e rreth 70 vetëve në Filat dhe dhjetëra të tjerëve në Përroin e Vanarit dhe krimet e tjera rrënqethëse ndaj grave, fëmijëve, pleqëve e plakave të pafajshme e të pambrojtura çame,  u cilësua si një “masakër e vërtetë” nga vetë zyrtari britanik, Palmer në Raportin e tij drejtuar Forin Ofisit, (Foreign Office) për vizitën që ai bëri në terren nga 9 – 14 prill 1945.

Akti i dytë i genocidit ndaj minoritetit çam në Greqi i marsit 1945, i zbatuar në Filat shumë muaj pas largimit të pushtuesve  nazistë nga Epiri, apo Çamëria, ku edhe në këtë rajon ishte vendosur autoriteti qeveritar grek i pas luftës, është një tjetër argument që hedh poshtë edhe një herë akuzat e pathemelta dhe propagandën mashtruese se “çamët u larguan vullnetarisht drejt Shqipërisë për t’i shpëtuar dënimit që meritonin si bashkëpunëtorë të nazizmit.”

Këtë krim rrënqethës nuk e mban dot as dheu.  Urdhëruesit dhe ekzekutorët e tij ishin leitnant  Kristo Kaca, major Ilia Kaca dhe kolonel Zoto.  Ata për fat të keq i shpëtuan drejtësisë.  Por frymëzuesit e vërtetë ishin qeveria e Plastiras dhe pjesa më e skajshme, raciste, intolerante, antisemite e fondamentaliste e klerit ortodoks, e ushtrisë dhe opinionit publik grek.  I takon qeverisë së sotme greke, madje do të ishte detyrim moral dhe juridik i saj, që edhe sot të hapte një hetim, të përcaktonte përgjegjësitë dhe të spastronte ndërgjegjen aq fort të ngarkuar.   Masakra e Paramithisë e 27 qershorit 1944, ajo e Filatit në shtator 1944, si dhe e Filatit e marsit 1945, apo ato të trevave të tjera në Çamëri, përbëjnë krime kundër njerëzimit, dhe si të tilla as nuk mund të parashkruhen, dhe as të harrohen. Një nga dëshmitarët e shumtë të kësaj masakre,  Zaije Tafil Haxhiu nga Filati, tregon se : « Tasho Çifuti e grekër të tjerë nga Filati, morën përsipër të përcillnin për në kufirin shqiptar fëmijët, gratë e burrat që kishin mbetur gjallë, por në « Vanar » turmën e pambrojtur e ndalën bandat e armatosura të komanduara nga Kristo Kaco. Ata filluan vrasjet me sëpata e therrjet me thika. Dëgjoheshin vetëm klithmat në agoni të burrave që vdisnin dhe lemeritjet e fëmijëve e të grave që kërkonin pjestarët e familjes.».

U tmerrova, – thotë më tej dëshmitarja, – kur pashë kokën e Haki Banës që rrokullisej në tokë dhe trupin e Dalip Hamzajt nga Versela, të bërë copa-copa e të futur në thes. U tmerrova kur pashë tre të rinj të lidhur, të cilëve u kishin prerë veshët, hundën, u kishin nxjerë sytë dhe rrjepur lëkurën».

Në lidhje me masakrën e Vanarit shkruan edhe historiani grek N. Zhangu : “Nga një dëshmi e një të E.D.E.S-i raportohet ekzekutimi në vendin e quajtur Vanar, të 65 çamëve. Dhjetra të tjerë u hodhën në urën e Naçit. Në Thesproti u shkelën të gjitha ligjet e njerëzimit”. “Këto ishin, – shkruan historiani tjetër grek J. Shara, – përfundimet e politikës pa lavdi të Metaksajt, të politikës imperialiste italiane dhe të politikës së papërmbajtur të E.D.E.S.-it, të cilët vulosën me gjak dhe me një fat katastrofik për të dyja popullatat, që kishin për epilog çrrënjosjen e shqiptarëve  çamë nga dheu i të parëve të tyre, nga shtëpitë e malli i tyre, ishte shpërthim i hakmarrjes mbi të pafajshmit dhe të pambrojturit.”

Kujtimi i kësaj ngjarjeje të hidhur nuk mund dhe nuk duhet të provokojë ndjenja armiqësore ndaj popullit grek.  Në fakt, popullsia çame, qoftë minoriteti çam në Greqi dhe qoftë refugjatët çamë në Shqipëri, nuk kanë ushqyer kurrë ndjenja të urrejtjes ndaj shtetit dhe popullit grek.  Përkundrazi, çamët nuk kanë qenë asnjëherë të interesuar për dëmtimin e marrëdhënieve greko-shqiptare.  Madje, edhe Kongresi i Minoritetit Shqiptar të Greqisë, i mbajtur në shtator të vitit 1945 në Vlorë fill pas ushtrimit të genocidit, nuk pati kurrfarë shfaqje racizmi apo armiqësie ndaj popullit grek apo minoritetit grek në Shqipëri. (« Reportazh nga Kongresi Çam »,- gazeta Bashkimi, 26 shtator 1945).

Sot, tek nderojmë kujtimin e viktimave të masakrës së Filatit, nuk mund të mos shprehim shqetësimin për mosgadishmërinë nga ana e qeverisë greke të njohjes dhe zgjidhjes së të drejtave të njeriut të minoritetit çam që jeton përkohësisht në Shqipëri apo në vende të tjera.  Shoqata për të Drejtat e Njeriut, « Çamëria »,  i bën thirrje qeverisë së z. Karamanlis që të tregojë vullnetin dhe guximin e duhur,  për zgjidhjen dhe trajtimin njerëzor të halleve e problemeve të minoritetit çam të Greqisë, këtyre banorëve të Thesprotisë së lashtë, e pasardhës të Pirros së Epirit, që kërkojnë të kthehen në shtëpitë e tyre e të jetojnë në paqe e harmoni me popullin grek, njëlloj si të gjithë shtetasit e tjerë të Greqisë, apo të Bashkimit Evropian.  Greqisë moderne të z. Micotaqis do t’i rritej shumë prestigji, autoriteti dhe respekti ndër shtetet dhe kombet e qytetëruara të botës nëse do ta trajtonte problemin tonë me mendje të kthjellët, pa pasione dhe pa paragjykime.

Por ka ardhur koha që problemi i të drejtave të njeriut të minoritetit çam të gjejë vëmendjen e duhur dhe të trajtohet edhe në instancat e larta europiane, si në Strasburg apo në Bruksel. Në Europën e shekullit XXI, nuk mund të pranohet më mungesa e vëmendjes ndaj minoriteti më të harruar dhe më të neglizhuar në kontinent », përfundon rrëfimin e tij Ahmet Xhafo.

Nuk kanë mbetur shumë dëshmitarë të atyre masakrave gjakatare të pas genocidit në fund të Luftës II Botërore që t’i shohin sytë e Europës, megjithëse gjithçka është e shkruar si e zeza mbi të bardhën e historisë së Çamërisë. Për fatin e keq, heshtja e qeverive të njëpasnjëshme të shtetit shqiptar, për të kërkuar  reciprocitetin  mbi parimet e Deklaratës  Universale të të Drejtave të Njeriut, por edhe shurdhëria e qëllimshme europiane, si dhe mosfunksionimi i strukturave të komunitetit çam përmes atyre që pretendojnë se kanë merita përfaqësuese, bëjnë që Greqia të mos bëjë asnjë hap para, por edhe bën shantazhe përmes kërkesave për të drejtat e njeriut të minoritetit grek në Shqipëri. Në këtë rast do të përdorja një shkrehje tipike që përdorej në Çamëri « Ata që na kanë borxhe (grekët), na kërkojnë  edhe  kaun ».