Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Mandati i tretë, mandat për t’u hakmarrë kundër kundërshtarëve!

264
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Më 11 maj paralajmërova se “Zjarri do të ndizet më 12 qershor te dera e PS”! Adhuruesit e “zjarrëvënësit” u mërzitën, si gjithmonë, e ndonjë pëshpëriti me mosbesim.

Çfarë parashikoja? Ja statusi:

Pasi e “ndezi zjarrin” në presidencë, Rama i paralajmëroi kundërshtarët brenda partisë, se do ua “ndezë zjarrin” ditën e themelimit të Partisë Socialiste, më 12 qershor. Pse i kërcënoi kundërshtarët brenda partisë me 12 qershorin? Sepse ajo datë, nuk do të jetë ditë festive, por dita e gjykimit dhe e largimit nga forumet drejtuese të kundërshtarëve të tij, dhe ata pritet që të jenë të shumtë. Përse duhet ndezur zjarri te “pragu i vet”?  Sepse, deri atëhere, do të jetë “shuar zjarri” në  Presidencë. Ai e “ndezi zjarrin” në Presidencë, për të larguar vëmendjen e opinionit publik dhe të ndërkombëtarëve nga procesi zgjedhor, i cili po kontestohet me dosje voluminoze nga opozita. Ai e ka shumë të qartë, se e ka të humbur edhe betejën e dytë të shkarkimit të Metës, sepse, nuk ka asnjë shkak ligjor për ta marrë nismën e shkarkimit. Provoi ta shkarkonte Metën, kur pretendonte se Presidenti kishte tejkaluar kompetencat kushtetutese, kur ekzistonte një dekret, jo më tani, që presidenti, nuk ka prodhuar asnjë akt, nuk ka nxjerrë asnjë dekret! Ai e di, se nuk mund të legjitimohet një Komision Hetimor për shkarkimin e Presidentit, me ish- deputetë, dhe me një parlament, me ish- deputetë. Ky parlament e mbaroi misionin e vet, që ditën që u shpallën zgjedhjet parlamentare dhe duhet të mbetet formalisht, vetëm për një situatë të jashtëzakonshme. Ai është i bindur, se edhe thirrjet për të bashkëpunuar me PD-në, për zgjedhjen e Presidentit të Ri, janë thjesht demagogji, por, ai do të vazhdojë ta luajë atë lojë, derisa të mbarojë analiza e ankesave të opozitës nga organet e legjitimuara nga Kodi Zgjedhor. Me krijimin e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, Rama shfaqet krejt ai që ka qenë, se mandati i tretë i duhet për hakmarrje ndaj kujtdo, që e pengon në ëndrrën për të qeverisur deri në 2030, ashtu si i është fanepsur në ëndërr!

“Ai nuk e kupton, se po e deklaron publikisht atë që ka  fshehur kaq kohë, se i ka mbrojtur për interesat e oligarkisë politike dhe pushtetin e tij personal, qëkurse themeloi dhe ndërtoi “makinën e korrupsionit” me ligje dhe vendime qeverie!”

Le të analizojmë.

Nuk e besoni, se mandati i tretë, do të jetë “mandat” për ata, që deri para zgjedhjeve i quante “shërbëtorët e popullit”, dhe administratorët e shquar të fondeve publike?

Rikujtoni fjalimin e tij në “Air Albania”!

Pasi Kryetari i Kuvendit dha dorëheqjen, Rama e “vlerësoi” aq shumë, dhe e “ngriti aq lart”, me lëvdatat e tij, sa edhe ata që nuk kanë aftësi të analizojnë, e kuptuan, sa shumë gëzoi nga largimi, aq sa shprehu habinë, se si ka jetuar aq gjatë në politikë një i ardhur nga periferia, me një biçak në dorë, pa  gjuhë të huaja dhe në kohën moderne, nuk mund të komunikojë me askënd në rrjetet sociale, sepse nuk ka, ‘facbook’ e ‘whats up’!

Por, le të bëjmë një pyetje të thjeshtë. Përse Rama i vendosi “senatorët”, si ka qejf t’i trajtojë media, në zonën e rrezikut në listën e deputetëve ? Të pa mendëtit, do të  përgjigjeshin menjëherë. Që të mobilizoheshin për të siguruar maksimumin e votave, për partinë, sepse, duke punuar për mandatin e tyre, do të siguronin edhe vota për partinë! Të pamendët nuk e kuptojnë, se me atë përgjigje, shprehin pikërisht atë, që adhuruesi i tyre e mendonte, po nuk e shprehte. Pra, ai nuk kishte besim, se ata do të punonin njësoj, edhe po të ishin në krye të listës! Përse i paralajmëroi të gjithë socialistët, se nuk do të kenë më “ombrellë” partinë, nënkupto atë, kur do të akuzohen për korrupsion e shpërdorim të detyrës! Sepse ai nuk e kupton, se po e deklaron publikisht, atë që ka  fshehur kaq kohë, se i ka mbrojtur për interesat e oligarkisë politike dhe pushtetin e tij personal, qëkurse themeloi dhe ndërtoi “makinën e korrupsionit” me ligje dhe vendime qeverie! Mandatin e mori, prandaj do i lëshojë e akuzojë, që të distancohet prej tyre. A e dëgjuat si i kërcenoi drejtorët e policisë? Nëse nuk vendosni, rendin, brenda rendit, brenda 100 ditëve, do përgjigjeni, penalisht, administrativisht dhe civilisht ! Pra, ai, pa e dëshiruar  e deklaroi publikisht, se me metodën e tij të drejtimit në 2920 ditë të qeverisjes së tij, e mbushi policinë me “skifterë”e “larashë” dhe tani, sikur të ishte mandati i parë, i urdhëron të vendosin rendin për tre muaj. A nuk deklaroi pardje të njëjtën gjë me kryetarët e këshillave popullore  të rretheve se, janë kredhur në korrupsion?  Në filozofinë politike thuhet,  pushteti absolut, korrupton në mënyrë absolute. Prandaj, i ndodhur para faktit të korruptimit masiv, ka filluar t’i shkarkojë kryetarët mandatgjatë, të emëruar prej tij, e gjasme i ka zgjedhur populli dhe i përjashton nga partia, kur ende nuk ka një vendim gjykate për akuzën. Përse hoqi  dorë nga mbrojtja e tyre, ashtu si ka vepruar me ministrat e akuzuar dhe për ta, përdorte tezën se, nuk mund t’i shkarkonte, pasi nuk kishte një vendim gjykate ?! Apo tani nuk i duhen, sepse e mori mandatin, për të cilin i përdori. Ja, shikoni se ç’po i bën kryetarit të Bashkisë Vlorë. As në mbledhje nuk ishte. Pse? Sepse, në drejtimin shtetëror, nuk respekton, as norma kushtetute, e as ato ligjore, por drejton si Sekretari i Parë i Komitetit Qendror. Lelin e përjashtoi nga partia, prandaj nuk mund të jetë as kryetar bashkie. Kush nuk e kupton këtë realitet absurd, le të vazhdojë të adhurojë Zeusin. Këmbanat po bien për ata që kanë vesh. Përgjegjësitë janë e duhet kërkuar te koka e korrupsionit. SPAK-u e nisi sulmin nga  Fatosi, i akuzuar për një tender me 24 milionë lekë, por besoj se nuk ka harruar tenderin me 40 milionë eurot te “Sillosi”. Nëse “harron”, unë nuk do ta dëshiroja të ndodhte, do të kuptohej sikur urdhërin SPAK-ut, për t’u marrë më këshillat popullore të rretheve, i shkruar nga “Zeusi”, që të goditen edhe futen në burg edhe shumë të tjerë në administratën e Këshillave popullore të rretheve, që në pranverë 2022, të shpallen zgjedhjet e parakohëshme të vetëqeverisjes vendore dhe, të harrohet hetimi i ministrave dhe drejtorëve të administratës qendrore, ku është bërë kërdia.