Vithkuqi prej tri ditësh mes zjarreve, rrugët në pyje të degraduara prej vitesh

450
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Vepror Hasani

Mungojnë specialistët, nga 28 që duhen, ka vetëm 2 inxhinirë dhe 3 teknikë

Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri, i mungojnë automjete me kalueshmëri të lartë

Një zjarr i shpërthyer në vendin e quajtur “maja e Jankës” në zonën e Vithkuqit, arriti të djegë sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh dhe shkurresh, rreth 20 ha. Banorët e zonës dhe forca të tjera të mbledhura në këtë vend nuk mundën ta fiknin zjarrin as pas tri ditësh, pasi temperaturat e larta favorizonin mbajtjen “gjallë” të flakëve. Madje zjarret i rezistuan edhe ndihmës së ofruar nga njësitë administrative Vithkuq, Mollaj dhe Drenovë, të cilat ndihmuan me njerëz dhe mjete pune.  Në vendngjarje mbërritën edhe 20 forca ushtrie, dhe forca të Detashmentit të Mbrojtjes Civile të Korçës, por beteja me zjarret qe mjaft e vështirë, pasi flakët kishin arritur të zgjeronin territorin e tyre. Ndodhi kështu edhe për faktin që zjarri kishte shpërthyer në një zonë të vështirë, ndërsa Shërbimi për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimit, nuk kanë mjete me kalueshmëri të lartë për të mbërritur te vatra e zjarrit. Megjithatë, gjatë ditës së diel, në orët e pasdites, u bë i mundur neutralizimi i flakëve të zjarrit, por fatkeqësisht zjarret u riaktivizuan gjatë ditës së hënë.  Zjarrfikset nuk mundën të shkonin tek vatra e zjarrit, vetëm njera prej tyre për të cilën  mundi të themi se u afrua diçka më shumë. Ndërkaq, përpjekjet për shuarjen e flakëve me mjete rrethanorë, nuk kanë asnjëherë efikasitet e nevojshëm. Edhe gjatë ditës së hënë, forcat e ushtrisë ndihmuan me 65 veta. Nga burime në vendin e ngjarjes mësohet se sipërfaqja e djegur e pyjeve shkon në rreth 20 ha. Aktualisht ende nuk janë përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit, policia e Korçës po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Prej vitesh mungojnë investimet

Ashtu si në vitet e mëparshme edhe këtë vit pyjet e bashkisë Korçë, vijojnë të mbeten të rrezikuara nga djegiet sepse rrugët brenda pyjeve janë përkeqësuar nga viti në vit, ndërsa investime për përmirësimin e gjendjes së tyre nuk ka patur, gjithashtu Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit i mungojnë automjetetet me kalueshmëri të lartë për të shkuar pa vështirësi deri në vendngjarje. Përveç sa më sipër, Bashkisë Korçë, sektorit të pyjeve, i mungojnë prej vitesh edhe specialistët e pyjeve, inxhinirët dhe teknikët. Gjendja e rrugëve është bërë e njohur nga burime pranë Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarrit dhe Shpëtimit në Korçë. Edhe sot e kësaj dite, punohet me automjete zjarrfikëse të viteve 1960.

Rrugë të degraduara

Aktualisht rrugët e brendshme në pyje janë të degraduara, të pakalueshme nga automjetet. Ndodh kështu sepse subjektet e licensuara për shfrytëzimin e pyjeve, pasi marrin lëndën drusore, e cila u siguron fitime të larta, largohen nga pylli, pa u kujdesur për  rrjetin rrugor të brendshëm të pyjeve. Për pasojë, rrugët mbeten të zëna nga degët, trungjet dhe mbetjet e tjera drusore, të cilat gjatë dimrit, për shkak të reshjeve të shumta, krijojnë pellgje dhe gërryerje të udhëve, pa përjashtuar  rrëshqitjet e mundshme të dheut, të cilat e nxjerrin rrugën jashtë funksionit. Nëse rrugët do të mirëmbaheshin nga viti në vit, sot rrjeti rugor brenda pyjeve, do të ishte shumë më i përmirësuar, i kalueshëm nga automjetet në çdo kohë dhe efikas në fikjen e zjarreve. Por, realisht, nuk ndodh kështu edhe pse “Personat juridikë ose fizikë që kanë marrë pyje në përdorim sipas legjislacionit në fuqi ndërtojnë, riparojnë dhe mirëmbajnë rrugët pyjore me mjetet e tyre financiare”. Gjithashtu, subjekteve që fitojnë të drejtën e shfrytëzimit të pyjeve, së pari, u kërkohet: “Të kenë në pronësi makineri e pajisje të përshtatshme për ndërtimin e mirëmbajtjen e rrugëve autopyjore, të vërtetuara këto me bilance vjetore, shoqëruar me inventarin e aktiveve, fatura blerjeje, leje qarkullimi ose të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Veç sa më sipër, në momentin që subjektet kanë realizuar kontratën e shfrytëzimit të pyllit, para se të largohen, nga ana e organeve përgjegjese duhet të përmbushet edhe ky detyrim: “Kolaudimi dhe marrja në dorëzim e segmenteve të rrugëve autopyjore bëhet sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin përkatës”. Por, edhe pse gjithçka është e përcaktuar saktësisht, duket se nuk ka ndodhur kështu. Përvoja e deritanishme ka treguar se kalimi i rrugëve nga automjetet, ka qenë i paaksesueshëm.

SHMZSH, pa automjete me kalueshmëri të lartë

Sipas burimeve pranë Shërbimi të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Korçë, degradimi i rrugëve në pyje, ka qenë pengesë për realizimin e detyrës së tyre për fikjen e zjarrit. Madje sipas Shërbimit në fjalë, mosmirëmbajtja e rrugëve e vështirëson ecjen e automjeteve, dhe kjo është vetëm njëra anë e problemit, sepse edhe sikur rrugët në pyje të ishin më të mirëmbajtura, sërish automjetet e SHMZSH-së nuk do të mundnin të arrinin dot deri në vendin e rënies së zjarrit, sepse ky shërbim nuk ka në dispozicion automjete me kalueshmëri të lartë. Të gjitha automjetet e tij janë me një aks, kur për të hyrë në pyje për fikjen e zjarrit, duhet medomes që automjetet të jenë me dy akse. Pra, e thënë më qartë, edhe pse Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, është strukturë e specializuar e gatishmërisë së përhershme për shuarjen e zjarreve dhe shpëtimin e jetës, gjësë së gjallë, pronës, mjedisit, pyjeve, kullotave etj, nuk mund të bëjë dot më të mirën, kur nuk ka automjetet e duhura dhe rrugët ku mund të qarkullojnë mjetet e tij. Për rrjedhojë, edhe këtë vit nëse do të ketë shpërthime zjarresh në pyje, e sigurtë është që do të digjen hektarë të tëra pyjesh. Megjithatë këtë vit nuk ka patur rënie zjarresh në pyje, kjo edhe për shkak të pandemisë Covid-19, e cila pakësoi lëvzjet e njerëzve gjitkund, përfshi edhe pyjet. Kurse një vit më parë zjarret shpërthyen  që në muajin prill në Meçkojat të Voskopojës, në Krushovë, në Boshanj, në Nikolicë e gjetkë, mirëpo tashmë temperaturat e larta, mund mbeten rrezik për pyjet e këtij qarku, sepse për rrugët brenda pyjeve nuk është investuar.

Sa automjete do të ishin blerë me pyjet e djegura?

Për pasojë, kostot e djegies së pyjeve çdo vit, kanë qenë mjaft të larta, aq sa mund të blihej jo vetëm një automjet me kalueshmmëri të lartë, por aq sa do të duheshin për të mbrojtur pyjet në çdo cep të qarkut Korçë.

 Mungojnë specialistët

Gjithashtu, Bashkisë Korçë, sektorit të pyjeve, i mungojnë edhe specialistët, (teknikët dhe inxhinierët). Sipas ligjit të pyjeve, prill 2020, për pyjet e larta duhet të ketë 1 specialist për 750-1000 ha pyje, kurse për pyjet e ulta një specialist për 1500-2000 ha pyje. Sipas ligjit në fjalë, Bashkia Korçë, duhej të kishte 20-28 specialistë pyjesh, por aktualisht ka vetëm 2 inxhinierë dhe 3 teknikë në prag pensioni. Mungesë specalistësh për pyjet, kanë edhe bashkitë e tjera të këtij qarku, pasi ky profesion nuk është më i preferuar nga studentët.